“CNN”: 5 qytetet shqiptare ku janë groposur lëndët kimike

Zhdukja në Shqipëri e 1300 konteinerëve me lëndë kimike është bërë lajm kryesor edhe në mediat greke. Pas agjencisë “Lifo” dje ka qenë CNN që ka shkruar për këtë lajm të rëndë. CNN në gjuhën greke shkruan se, në Shqipëri kanë nisur hetimet në lidhje me zhdukjen e konteinerëve. Është Prokuroria e Durrësit që ka nisur verifikimet për këtë ngjarje, shkruan CNN.
Më pas, televizioni i njohur citon edhe median italiane “Pianeta Italia News” dhe gazetën “Roma”, në lidhje me këtë ngjarje, duke shkruar se konteinerët me mbetje të rrezikshme ishin nisur për në Maqedoni, por kurrë nuk kanë mbërritur atje. Por CNN, shkon edhe më tej. Televizioni shkruan se janë 5 qytete ku dyshohet se janë zhdukur lëndët kimike. “Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Dibra, janë qytetet ku dyshohet se janë zhdukur konteinerët me lëndë kimike të ardhura nga Italia”, shkruan CNN në gjuhën greke.
Artikulli i “Pianeta Italia”, i publikuar pak ditë më parë pretendon se 1300 konteinerë me mbetje kanë hyrë nga Porti i Durrësit, gjë e cila pritet të sqarohet nga vetë ky autoritetet nëse ka ndodhur ky shkarkim mbetjesh në port apo jo. Megjithatë pretendimet dhe pikëpyetjet e këtij artikulli pritet të marrin edhe një përgjigje zyrtare nga Prokuroria e Durrësit.
Edhe gazeta greke “Proto Thema” i kushton një reportazh çështjes së 1.300 konteinerëve me mbetje të rrezikshme, që janë futur në Shqipëri nga Italia, por që deri tani askush nuk di, se ku kanë … humbur gjurmët e mijëra ton mbetjeve të rrezikshme.
Gazeta “Proto Thema”, duke iu referuar botimeve të medias italiane dhe deklarimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, shkruan se 1300 konteinerët me mbetje të rrezikshme nga Italia, që janë importuar në Shqipëri nga mafia italiane Dekreta, janë groposur në Shqipëri, madje përmend edhe Durrësin, Vlorën, Fierin, Dibrën, etj., si vendet e mundshme.
Sipas gazetës “Proto Themas”, përgjegjësia është e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama. Madje, gazeta greke i referohet edhe ligjit të plehrave që votoi qeveria e Edi Ramës, por që ky ligj u rikthye nga Presidenti i Shqipërisë dhe, se akoma Parlamenti shqiptar nuk e ka rivotuar, pasi partia e LSI dhe Ilir Meta, që janë në koalicionin qeverisës me Edi Ramën, janë kundër importimit të plehrave në Shqipëri.
Vazhdojnë në Shqipëri reagimet për problemin që është shkaktuar me 1.300 konteinerët me mbetje të rrezikshme, të cilat erdhën nga Italia, u futën në tokën e Shqipërisë dhe pas kësaj, kanë humbur gjurmët e tyre. Prokurori i Durrësit ka ndërmarrë iniciativë, duke dhënë urdhër hetimi, në bazë të botimeve nga mediat italiane, si edhe të mediave shqiptare. Durrësi, sipas informimeve, është porti detar, ku janë shkarkuar konteinerët me mjetet e rrezikshme në verën e vitit të kaluar, sikurse theksojnë mediat italiane dhe shqiptare, të cilat nuk kanë dalë kurrë nga doganat shqiptare. Këtë çështje e publikoi për herë të parë revista italiane “Pianetta Italia”, për të dhënë vazhdimësi gazeta “Roma”, e cila u referohet mediave shqiptare. Sipas gazetës “Roma”, konteinerët u shkarkuan e u ngarkuan në limanin tregtar italian “Gioa Tauro”.
Duke u referuar Guardia di Financias dhe ambasadave në Tiranë dhe Shkup, gazeta italiane “Roma” thekson se mbetjet e rrezikshme nuk arritën kurrë në Maqedoni, dhe arriti në përfundim edhe kërkimet për të gjetur, se ku janë groposur këto mbetje të rrezikshme. Gazeta italiane në fjalë, duke iu referuar shërbimeve Antimafie në Kalabri, thekson se kjo çështje i përket organizatës mafioze italiane Draketa!
Dyshimet bien më shumë në mundësinë që këto mbetje të rrezikshme janë groposur në territorin e Shqipërisë. Sali Berisha, ish¬Kryeministri i Shqipërisë, duke iu referuar burimeve të informacionit nga FIROM, vërteton këto informacione të palës italiane. Berisha thekson se vendet e mundshme ku mund të jenë groposur në Shqipëri këto mbetje të rrezikshme mund të jenë në Durrës, Fier, Vlorë dhe në Dibër dhe Shkodër, etj. Berisha akuzon si përgjegjës kryesor dhe të vetëm qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Nga ana tjetër, nga ana e qeverisë ka vetëm heshtje dhe asnjë përgënjeshtrim për asgjë. Në shtator të 2016, qeveria socialiste votoi në Parlament ligjin për importimin dhe riciklimin e mbetjeve nga vendet perëndimore. Ky ligj ishte krejtësisht në drejtimin e duhur nga premtimet elektorale, si edhe nga zotimet e vetë kryeministrit Edi Rama.
Sikurse është e ditur, vendimi i parë i qeverisë së Edi Ramës në 2013, ishte që të shfuqizonte ligjin që ishte votuar nga opozita e sotme shqiptare, që lejonte importimin e mbetjeve në Shqipëri për riciklim. Votimin e importimit të mbetjeve në Shqipëri e pasuan edhe krijimi i kompanive të biznesit që do të përpunonin dhe do të riciklonin mbetjet që do importoheshin nga vendet perëndimore, i cili shkaktoi reagimin dhe kundërshtimin e fuqishëm të opozitës së sotme shqiptare. Presidenti i Shqipërisë riktheu ligjin e importimit të Mbetjeve, por dekreti i Presidentit të Shqipërisë ende nuk është votuar në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka numrin e duhur të votave, sepse partia bashkë qeverisëse e Edi Ramës, LSI dhe Ilir Meta kanë shprehur publikisht që janë kundër votimit të importit të mbetjeve në Shqipëri.

Berisha: CNN zgjeron skandalin e lëndëve kimike

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të lajmit nga CCN grek për zhdukjen e 1300 konteinerëve me lëndë kimike në Shqipëri. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, zhdukja e 1300 konteinerëve, CNN zgjeron skandalin: “Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Dibra, janë qytetet ku dyshohet se janë zhdukur konteinerët me lëndë kimike të ardhura nga Italia”, shkruan CNN në gjuhën greke.
“Të dashur miq, lajmi për zhdukjen në Shqipëri të 1300 konteinerëve me lëndë kimike është bërë lajm kryesor edhe në mediat greke. Sot është CNN që ka shkruar për këtë lajm të rëndë.
CNN në gjuhën greke shkruan se, në Shqipëri kanë nisur hetimet në lidhje me zhdukjen e konteinerëve. Më pas, televizioni i njohur citon edhe median italiane “Pianeta Italia News” dhe gazetën “Roma”, në lidhje me këtë ngjarje, duke shkruar se konteinerët me mbetje të rrezikshme ishin nisur për në Maqedoni, por kurrë nuk kanë mbërritur atje. Por CNN shkruan se, janë 5 qytete ku dyshohet se janë zhdukur lëndët kimike. “Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Dibra, janë qytetet ku dyshohet se janë zhdukur konteinerët me lëndë kimike të ardhura nga Italia”, shkruan CNN në gjuhën greke.
Zhdukja “misterioze” në Shqipëri i 1300 konteinerëve të mbushur me mbetje të rrezikshme ka bërë jehonë, edhe në median maqedonase. Gazeta “Telegraf.mk” shkruan se vendi i tyre, është i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë skandal të zbuluar nga media italiane. Sipas tyre, këto konteinerë kanë hyrë në Portin e Durrësit me destinacion Shkupin, por në fakt nuk kanë kaluar në doganën e Qafë Thanës.
Sipas tyre, konteinerët dyshohet se kanë mbetur në Shqipëri dhe janë zhdukur në këtë vend, por që nuk dihet se ku. Gjithashtu mësohet se një grup gazetarësh maqedonas kanë nisur investigimin për landfillin e Shkupit, më i madhi në Europë, nëpërmjet të cilit si destinacion, dyshohet se janë falsifikuar dokumentet e tranzitit nëpër Shqipëri, të 1300 konteinerëve që s`kanë mbërritur kurrë aty dhe dyshohet, se janë groposur në vendin tonë.

Shoqëria Civilie: 1300 konteinerë me lëndë kimike, katastrofë e madhe

Për zhdukjen e 1300 konteinerëve me mbetje të rrezikshme ka patur reagime edhe nga Shoqëria Civile. “Forca Rinia” u ka bërë thirrje qytetarëve, që nëse ka parë mbetje të rrezikshme në vendin e tyre të njoftojnë menjëherë. “Forca Rinia” shprehet se, nëse ka ndodhur që 1300 konteinerë me lëndë kimike janë në Shqipëri, është vërtetë një katastrofë e madhe. “Bëjmë thirrje për çdo qytetar që ka parë apo sheh diçka të çuditshme në qytetin/lagjen/komunën tënde të na kontaktojë në #inbox. Mund të shihni konteinerë, fuçi, ngjyra jeshile apo ngjyrë tjetër në ujë, etj. Kini kujdes zonat e thella, minierat e braktisura, apo vende që janë vështirë të shihen nga njerëzit në përditshmëri.
Nëse ka ndodhur që 1300 konteinerë me lëndë kimike janë në Shqipëri, është vërtetë një katastrofë e madhe, sepse nga groposja apo hedhja e lëndëve kimike, të cilat janë vdekjeprurëse, do të ndoten lumenjtë, liqenet, tokat bujqësore, uji i pishëm, etj. Shqipëria kthehet në një vend të pabanueshëm.
Duhet ta ndalojmë në kohë.
Shpresojmë në bashkëpunimin e gjithsecilit, jo për “Forca Rinia”, por për vendin dhe veten tuaj.
Keni tre detyra për veten dhe vendin tonë:
-Monitoroni lagjen tuaj.
-Lajmëroni dhe miqtë.
-Na lajmëroni ne.
Forca.
Së bashku do t’ja dalim”, shkruhet në reagimin e “Forca Rinia”.

Hetimet e Prokurorisë: Rakordim dokumentave të doganës maqedonase

Drejtoria e Doganave mohon kategorikisht që në territorin shqiptar të ketë kaluar qoftë edhe 1 konteiner me mbetje, gjatë vitit që shkoi. Sipas Drejtorisë së Doganave, “këto tranzite kanë kaluar në doganën shqiptare me doganë hyrëse Durrësin, dhe doganë dalëse Qafë-Thanën, dhe këto tranzite rezultojnë të mbyllura në sistemin elektronik”.
Por specialistët shprehen se në sistemin elektronik të doganave shqiptare, kjo procedurë është mbyllur nga vetë punonjësit e doganave që kanë akses në këtë sistem, siç janë mbyllur dhe mbyllen në mënyrë fiktive shumë procedura tranzite, të kafes, cigareve dhe mallrave të tjera me akcizë.
Specialistët kërkojnë që organi i akuzës t’i kërkojë Doganës së Maqedonisë në Qafë-Thanë rakordimin e dokumentat e tranzitit. Hetimi në doganën maqedonase në Qafë-Thanë do të zbulojë të vërtetën e hidhur se çfarë janë bërë me këta konteinerë dhe çfarë bëhet me tranzitet në Shqipëri. Ka dyshime se dogana shqiptare e Qafë Thanës i ka regjistruar sikur kanë kaluar kamionët me mbetje drejt Maqedonisë, por në fakt nuk kanë kaluar.
Një specialist doganash bëri të ditur se ka patur mjaft raste, ku gjysma e tranziteve përfundojnë jo në destinacion, por magazinohen në Shqipëri, duke i shpëtuar kështu zhdoganimeve doganore, dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej qindra milionë euro në vit. I takon Prokurorisë të kontrollojë këtë skandal me pasoja financiare, por më shumë për jetën e shqiptarëve, nëse nuk e mbyllin si skandalet e tjera.
Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet, pas publikimit në mediat italiane dhe shqiptare për 1300 konteinerët me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga Italia drejt Maqedonisë, por dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Fillimisht hetimet nisën nga Prokuroria e Durrësit, por për mungesë kompetencash, ajo ia kaloi çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vendimin e Prokurorisë së Durrësit thuhet se, nga denoncimet e bëra në media dhe nga të dhëna të tjera, ka elementë të mjaftueshëm që të nisin hetimet. Po kështu, investigimi në vazhdim do të hedhë dritë nëse do të zbulohen persona përgjegjës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, ka nisur hetimet për tre akuza, atë të “shpërdorimit të detyrës”, “transportit të mbetjeve toksike” dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mesditën e djeshme dy oficerë të Prokurorisë për Krime të Rënda kanë zbarkuar në Portin e Durrësit. Burimet thonë se, ata kanë sekuestruar të gjithë praktikat e hyrjeve tranzitore në Shqipëri që kishin me destinacion final Maqedoninë. Pasi edhe publikimet në mediat italiane, hedhin dyshime se konteinerët e mbushur me mbetje toksike janë nisur nga Bari me destinacion landfillin e Drislës në Maqedoni, por që hedhin dyshime se ata janë groposur në vende të ndryshme në Shqipëri.

R.POLISI