Çmimet 2.7% më të larta se sa janari i vitit të kaluar

Të ardhurat buxhetore në janar rezultuan thuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një tjetër vit të vështirë për financat e shtetit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat buxhetore në janar qenë 32.89 miliardë lekë nga 32.82 miliardë që ishin në janarin e vitit të kaluar.
Rritja prej 0.2 për qind është 10 herë më e ulët se sa inflacioni. Sipas Institutit të Statistikave, në janar çmimet ishin 2.7 për qind më të larta se sa janari i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se vetëm si pasojë e çmimeve të ardhurat duhet të ishin rritur minimalisht me 2.7 për qind krahasuar me një vit më parë. Por ato janë rritur me vetëm 0.2 për qind ose 13.5 herë më pak.
Nga ana tjetër qeveria pretendon se ekonomia këtë vit do të rritet me 3.7 për qind, çka edhe kjo duhet të kishte sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Buxheti e ka nisur vitin 2017 në të njëjtën mënyrë që përfundoi vitin e kaluar. Performanca fiskale e qeverisë vazhdon të përkeqësohet duke bërë që arka e shtetit të humbasë qindra milionë euro në vit, që përfundojnë në xhepat e evazorëve.
Buxheti i vitit 2016 ka rezultuar një dështim total i qeverisë, të cilës i avulluan plot 100 milionë euro nga plani që miratoi vetë. Teksa programi i të ardhurave buxhetore u shkurtua fillimisht me 4 miliardë lekë në shtator, kjo nuk e ka ndalur pikiatën e tyre, e cila është përkeqësuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit të vitit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se për të gjithë vitin 2016, buxheti u mbyll me një deficit të ardhurash prej 9.5 miliardë lekësh ose afro 70 milionë euro.
Mosrealizimi prej 9.5 miliardë lekësh i shtohet 4 miliardë lekëve që u shkurtuan në shtator. Kjo do të thotë se në total, për vitin 2016, qeverisë i “avulluan” 13.5 miliardë lekë ose 100 milionë euro. Me gjasa, ky trend do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Të paktën, këtë sinjalizojnë shifrat e janarit.