Champions fundos Ajtekin

Gjyqtari gjerman Deniz Ajtekin do të duhet të presë pak kohë para se të kthehet të drejtojë ndeshje ndërkombëtare që organizohen nga UEFA. Bëmat e tij në eliminatoret e Botërorit 2018 gjatë sfidës Shqipëri-Izrael, nuk vunë në lëvizje ndërkombëtarët, edhe pse gjyqtari mori shumë vendime të diskutueshme.
Por vendimet gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes Barcelonës dhe PSG-së, të cilat shumëkush i cilëson vendimtare për fatet e ndeshjes, kanë bërë që UEFA të planifikojë një pushim të gjatë për 38-vjeçarin me origjinë turke.
Burime pranë institucionit që drejton futbollin europian kanë bërë të ditur për spanjollen “Marca” se Pierluixhi Kolina është shumë i pakënaqur me atë që ka parë në “Kamp Nou”. Ndaj parashikohet një “ndëshkim” për Ajtekin. Por i vetmi veprim ndëshkues që mund të bëjë UEFA në këtë aspekt është ta lërë jashtë listave të saj për një periudhë të gjatë, derisa të bindet që është kthyer “në rrugën e duhur”.