Çfarë do bëjë Vettingu me dyshimet mbi Fatmir Xhafën?

Nga Gavrosh LEVONJA

“Ohu .., çfarë demokracie është kjo, kur Fatmir Xhafa, ish-sekretar rinie është bos kompanie…kamionë me mallra shkarkohen tek shtëpia e tij çdo ditë”. Kështu më ankohej një mik i imi, njëkohësisht dhe komshi i të sapoemëruarit ministër i Brendshëm ditët e fundit. Ky ka qenë kontakti im i parë me emrin Fatmir Xhafa, që natyrisht duke qenë një individ, i cili nuk paraqiste kurrfarë interesi për mua, nuk vonoi të mbulohej nga pluhuri i harresës.
Megjithatë, diku nga fundi i viteve ‘90-të me emrin e Fatmir Xhafajt do të ndeshesha gjithnjë e më shumë në lajmet që vinin në redaksinë e “Koha Jonë” mbi aktivitetet e Partisë Socialiste. E megjithse mbiemrit i ishte shtuar një “j” në fund, instiktivisht m’u kujtua biseda e dikurshme me komshiun e tij dhe mikun tim, ndonëse për mua gjithçka në këtë aspekt ishte mëse normale.
Hap pas hapi Xhafaj do të bëhej një emër gjithnjë e më i lakuar në lajmet që vinin prej selisë së PS-së. Kështu, nga një anëtar i zyrës së kryeministrit të athershëm Fatos Nano, deputet, zëvendësministër e më pas deri ministër Drejtësie, ai ngjiste një e nga një shkallët e hierarkisë socialiste, duke lënë pas dhe emra të njohur e me kontribute në PS.
Ndoshta, kjo mund të ketë qenë dhe pasojë e aftësisë për “ta pasur mirë” me ata që vendosnin në parti. Megjithatë, në asnjë moment nuk pata kureshtjen që të interesohesha për të kaluarën e tij. Fakti që kishte qenë në forumet drejtuese të BRPSH-së në kohën e komunizmit ishte i mjaftueshëm si një nga arsyet për të shpjeguar ngjitjen e Fatmir Xhafajt në majat e PS. Tani, me ndryshimet në qeveri, ndër katër ministrat e rinj që zëvendësuan Tahirin, Beqen, Klosin dhe Çuçin, të cilëve u ishin publikuar dhe CV-të e shkurtëra, padyshim që Fatmir Xhafaj duke qenë një “njohje e vjetër” përbënte një arsye më shumë për t’u njohur me të kaluarën e pasardhësit të Saimir Tahirit.
Duke lexuar CV-në e zotit Xhafaj më tërhoqi vëmendjen periudha 1982-1986. Periudhë në të cilën shkruhej se kishte qenë “jurist në sistemin e drejtësisë…” pa dhënë asnjë hollësi tjetër. Të ishe pjesë e sistemit të drejtësisë së asaj kohe, duhej të ishe gjyqtar, prokuror apo larg qoftë hetues. Duke pasur parasysh se avokatura në ato vite ishte e ndaluar me ligj, nuk mund të besohet që Fatmir Xhafaj i diplomuar në Fakultetin Juridik, për më tepër dhe anëtar i forumeve drejtuese të Rinisë Komuniste, të kishte përfunduar në ndonjë sekretar gjykate apo arkivist.
Fakti që për Xhafajn nuk jepet asnjë informacion rreth detyrës apo funksionit që ai ka ushtruar në atë sistem drejtësie, prokuror, gjyqtar, hetues apo institucionin tek i cili paguhej, Gjykata, Prokuroria apo Drejtoria e Hetuesisë, të krijon përshtypjen se ai apo të tjerë pranë tij fshehin diçka nga kjo periudhë gjatë së cilës ka qenë “jurist në sistemin e drejtësisë”. Por, nuk është vetëm kjo. Në CV-në e Xhafajt nuk shkruhet asnjë fjalë për periudhën nga viti 1986 e deri në vitet ‘97-’98, kur emri i tij del në dritë për herë të parë si pjesë e kabinetit “Nano”.
Eshtë në nderin e zotit Xhafaj, por dhe të atyre që e kanë emëruar ministër, deputet apo kryetar të Komisionit të Ligjeve në Parlament, të bëjnë transparencë të plotë jo vetëm mbi funksionet që ka pasur në sistemin e drejtësisë së diktaturës, por edhe për periudhën ‘86-‘97 rreth së cilës nuk përmendet asnjë e dhënë. Gjithashtu, nuk është e moralshme që, sot kur termi “Vetting” përmendet pa doganë poshtë e lart, kur flitet për pastrim të sistemit të drejtësisë, njeriu, i cili ka qenë protagonist i arkitekturimit të “Vetting-ut” të mos bëjë një autovetting.
E njëjta gjë mund të thuhet pak a shumë dhe për ata deputetë, të cilët “lehin” për hapjen e dosjeve, të mos kërkojnë transparencë të plotë mbi të kaluarën e neoministrit të Punëve të Brendshme, natyrisht pa harruar të tjerët. Në mungesë të kësaj, kushdo ka plotësisht të drejtë të besojë raportimet e qytetarëve dixhitalë që i raportojnë Berishës, sipas të cilëve Xhafaj ka qenë një hetues i devotshëm i diktaturës që kryente me zell detyrat për të goditur pa mëshirë “armiqtë e klasës”.