Besnik Mustafaj: Zgjedhjet e lira vetëm duke i hequr pushtetin kësaj qeverie

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj cilëson si legjitime kërkesën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa thekson se kjo kauzë mund të realizohet vetëm duke i hequr pushtetin kësaj qeverie. “Rrezikohen zgjedhjet dhe Shqipëria rrezikon një skenar i njohur në Ballkan, si ai i Maqedonisë. Zgjedhjet pa prezencën e opozitës nuk kanë kuptim jo se nuk mund të bëhen nga ana formale. Humbasin vlerën zgjedhjet si institucion demokratik për të ardhmen e pushtetit. Megjithatë ligji e parashikon që mospjesëmarrja e opozitës mund të kapërcehet nga ana ligjore. Nëse do të zbatohet skenari maqedonas atëherë duhet të përgatitemi për një kohë të gjatë. Unë besoj se kjo protestë me gjithë atë çka po ngërthen, tregon se mosbesimi mes dy palëve ka arritur në një pikë ku bashkëbisedimi, zgjidhja e krizës është bërë e vështirë, në mos e pamundur”, deklaron Mustafaj. Ai kritikoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama si gjakftohtësi të tepruar e gjithashtu edhe të aleatit në qeveri, kryeparlamentarit Ilir Meta. “Çfarë duhet bërë, këtë mund ta ketë në dorë vetëm mazhoranca. Në asnjë vend nuk e ka opozita. Mazhoranca duhet të japë prova për të fituar besimin e opozitës, në këtë rast për administrimin e zgjedhjeve. Po shohim një gjakftohtësi të tepruar të kryeministrit, por edhe Metës. Meta ka shfaqur analiza të nuancuara në lidhje me protestën. Ka bërë thirrje më të drejtpërdrejta. Deklaratat e përsëritura të Bashës dhe të figurave të tjera të opozitës se nuk shtrohet çështja për një ministër apo një zgjidhje të pjesshme të krizës e maksimalizojnë kërkesën e opozitën. Kur mohohet gjetja e kompromisit atëherë gjendja është kritike”, u shpreh ai. Lidhur me debatet dhe gjuhën e përdorur në Parlament, Mustafaj tha se janë të provokuara nga kryeministri. “Parlamenti ka qenë vazhdimisht një arenë e polarizimeve ekstreme dhe polarizime të provokuara në shumicën e rasteve nga kryeministri me gjuhën e tij”, tha diplomati. Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës ka ardhur pas situatës së krijuar në vend, sidomos me çështjen e drogës. “Ky është një vit specifik për arsye të parave të drogës. Ka qenë viti absolutisht i lulëzimit të kanabisit. Thuhet se ka 2 mld euro në qarkullim dhe të gjitha kompromiset e pjesshme sipas shqyrtimit të opozitës, nuk ka rrugë tjetër vetëm duke i hequr pushtetin kësaj qeverie. Është një arsye që e çon në skaj mosbesimin e opozitës”, deklaroi Mustafaj.