Besart Berisha spektakolar, gol dhe asist në Australi

Askush nuk mund ta ndalë Besart Berishën në A-League australiane. Sulmuesi shqiptar vazhdon të dhurojë spektakël, të shënojë dhe të jetë vendimtar për Melbourne Victory. Në minutën e 23-të, sulmuesi realizoi me kokë, duke rikthyer baraspeshën, pasi miqtë e Perth Glory shënuan të parët me Castron. Ky ishte goli i 99-të për Besart Berishën në A-League prej transferimit në vitin 2011. Pak përpara pushimit ndërmjet pjesëve, Berisha krijoi një asist të shkëlqyer dhe të rrallë në historinë e futbollit në Australi.
31-vjeçari shqiptar ishte protagonist i disa xhonglimeve me topin në afërsi të flamurit të këndit, përpara se të pasonte për Fahid Ben Khalfallah, që kaloi vendasit në avantazh. Një gjest teknik i cilësuar edhe si asisti i vitit.
Me golat e Rojas dhe Troisi-t në pjesën e dytë, Melbourn Victory fitoi me rezultatin 4-1 dhe konsolidon pozicionin e dytë në renditje, pas Sydney kryesues, që i garanton edhe vendin në gjysmëfinalet e play off, në betejën drejt titullit kampion në Australi.