Bernadeschi te Interi për 40 milionë euro

Interi realizion një tjetër goditje në merkato. Pasi arriti të transferonte Roberto Gagliardini nga radhët e Atalantës, klubi zikaltër ka arritur të realizojë një tjetër blerje shumë të rëndësishme për merkaton e qershorit. Bëhet fjalë për sulmuesin e krahut të Fiorentinës, Federico Bernadeschi. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, palët kanë arritur akordin dhe në arkat e klubit vjollcë nga kjo marrëveshje do të shkojnë 40 milionë euro. Zikaltërit kanë arritur kështu të mposhtin rivalitetin me Juventusin, të cilët prej kohësh ishin vënë në ndjekje të 23-vjeçarit.
Marrëveshja mes Suning dhe presidentit të Fiorentinës Della Vale ka ende disa detaje, që duhen përkufizuar siç janë të drejtat e imazhit të futbollistit. Interi arrin të transferojë një tjetër talent në radhët e klubit, i cili premton shumë në të ardhmen. Bernadeschi është njeriu ideal për skemat e trajnerit Stefano Pioli, pasi ai shumë mirë mund të adoptohet si sulmues krahu ose duke u pozicionuar në rolin e fantazistit, në mbështetje të Icardit. Sinjali i qartë ky nga ana e drejtuesve të klubit zikaltër, të cilët po tregojnë gjithnjë e më shumë se për sezonin e ardhshëm, ata do të kërkojnë të jenë protagonistë absolutë.