Berisha: Zjarri i shekullit për historinë, dijen dhe kulturën

Ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar zjarrin në Bibliotekën Kombëtare si zjarrin e shekullit. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, për këtë ngjarje të rëndë ka një mungesë të plotë informacioni. “Të dashur miq, prej dy ditësh mediat njoftojnë për zjarrin që ra në katet nëntokësore të Bibliotekës Kombëtare, këtij institucioni 100-vjeçar që ruan në raftet dhe skedat e veta diamantet e trashëgimisë tonë, por dhe botërore të etnogjenezës, gjuhës, historisë, kulturës dhe fushave të tjera. Në Bibliotekë punojnë punonjës me shkallë të lartë kualifikimi dhe integriteti, për të cilët unë ushqej një respekt të veçantë”, shkruan Berisha.
Më tej, Berisha shkruan se, zjarri në Bibliotekë përbën për mua zjarrin e shekullit në kuptimin e dëmit të jashtëzakonshëm që mund të kenë shkaktuar ose mund të shkaktonin flakët e tij. “Në Luftën e Parë Botërore, gjermanët rrafshuan dhe dogjën Luvenin, por botën e tronditi më shumë se çdo gjë djegia e Bibliotekës së këtij qyteti.
Lajmet e dhëna nga dje deri sot, ndryshimi i varianteve tre herë, se një herë është djegur fondi rus, herë tjetër libra të pas viteve ‘90 dhe së fundi të pas viteve 2000, dëshmojnë për një mungesë të plotë transparence. Kjo, sepse kriteret e vendosjes së librave dhe dokumentave në raftet e Bibliotekës nuk jane gjuha as dhe viti”, shkruan Berisha.
Berisha shkruan se, në vitin 2010 Bibliotekës iu vendos sistemi më i përsosur. “Së dyti, në vitin 2010 me një financim të veçantë është vendosur rrjeti i ri elektrik (që pas vitit 1967) sipas të gjitha standardeve të sigurisë. Por mbi të gjitha në fondin e librave të të gjithë Bibliotekës u vendos sistemi më i persosur, më i ndjeshëm i alarmit për zjarrin e madje për çdo lloj lëvizje tjetër, sistem që funksiononte në mënyrë perfekte. Me gjithë këto, unë nuk përjashtoj zjarrin elektrik, por dora në zjarr nuk mund të vihet edhe për zjarrvënie për qëllime vjedhje apo shkatërrimi të fondit tejet të çmuar”, shprehet ish-Kryeministri Berisha.
Berisha i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet dhe të vendosë përgjegjësit para ligjit. “Për të sqaruar të gjitha këto, i bëj thirrje Prokurorisë që në mënyrën më urgjente të bllokojë çdo lloj lëvizje hyrje-dalje në zonën e djegur dhe më gjerë. Të hetojë me përgjegjësi të lartë shkaqet e mundshme të zjarrit elektrik, të qëllimshëm apo nga pakujdesia, dhe të vendosë përgjegjësit para ligjit. Të hetojë funksionimin e sistemit të alarmit dhe zbatimin ose moszbatimin e detyrave të lëna nga KLSH në vitin 2014. Të hetojë të gjitha CV e militantëve të mundshëm partiak të marrë në punë gjatë viteve të “Rilindjes”, të cilët në shumë raste në institucione të tjera provohen se kanë qenë kontigjente malavite dhe që për të vjedhur dhe mbuluar vjedhjet e tyre janë të gatshëm të djegin të gjithë Bibliotekën.
Së fundi, procesverbali për librat dhe dokumentat e djegura duhet të bëhet nën vëzhgim të fortë ligjor dhe nga grupe punonjësish dhe ekspertësh, duke përjashtuar në çdo rast konfliktin e interesit!”, përfundon Berisha.
Të mërkurën rreth orës 10:00 ra një zjarr me përmasa të mëdha në katin e tretë të nëndheshëm në Bibliotekën Kombëtare. 24 orë pas zjarrit, ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmit, që i është shkaktuar pasurisë kombëtare, librit. Në një njoftim të shpërndarë nga Biblioteka Kombëtare, thuhet se janë dëmtuar 3 rafte, pa sqaruar sa libra përmbajnë këto tre rafte. Pohohet se një pjesë e krijimtarisë së djegur është e pas vitit 2000.
Nga hetimet ende të pambyllura, burimet thanë se shkak është bërë vendosja e librave deri në tavan. Kjo ka bërë që disa prej tyre të afrohen me llampat dhe të bien në flakë. Ky dyshohet paraprakisht të jetë edhe shkaku që i vuri flakën shtëpisë së librit.

R.POLISI