Berisha: Soros favorizoi krimin e korrupsionin në Lindje

Ish-Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje Senatit dhe Kongresit amerikan të ndalojnë çdo veprimtari të George Soros mbi vendet me demokraci në zhvillim, ndërsa e akuzoi atë për favorizim të krimit, bandave dhe regjimet e korruptuara. Berisha i bëri thirrje gjithashtu Parlamentin Europian të hetojë mbi influencën dhe veprimtarinë e George Soros në Komisionin Europian. Reagimi i Berishës erdhi pas letrës së gjashtë senatorëve amerikanë drejtuar Sekretarit të Shtetit, Tillerson për hetimin e veprimtarisë së Sorros në Shqipëri e Maqedoni. Deklaratën Berisha e bëri dje gjatë një fjalimi të mbajtur në çadrën e lirisë. “U jam mirënjohës shumë senatorëve të Senatit amerikan për shqetësimin e tyre të shprehur në letrën e Tillerson, por i bëj thirrje Kongresit amerikan dhe Senatit amerikan të hetojë me përgjegjësinë më të madhe, çdo veprimtari, të çdo lloj të kryekorruptorit politik të botës George Soros. I bëj thirrje Senatit amerikan, Kongresit amerikan të bëj ligje që t’i ndalojë çdo veprim kësaj monstre në demokracitë e reja, në të cilat ai favorizon krimet, favorizon bandat, favorizon regjimin e banditokracisë. I bëj thirrje PE të hetojë tentakulat e tij në KE dhe kudo dhe të ndërpresë veprimet e tij. Një njëri si ai meriton vetëm një ‘non grata’ kudo”
Berisha u ndal tek Reforma në Drejtësi, e cila për autor kishte pikërisht Sorosin dhe u hartua enkas për t’i dhënë Ramës kontrollin  e drejtësisë. “Na thoni ju, a mundet ne të votojmë, a mundet ne të pranojmë një proces që i jep drejtësinë në dorë Edi Ramës pse do kryekorruptori i globit Goerge Soros? Sdo e bëjmë kurrë këtë. Dhe u them atyre që përpiqen të shtyjnë se po shtyni Shqipërinë drejt destabilizimit, por jo s’ka për të ndodhur kurrë. Cilido që kërkon proces transparent, të rikthejë konsensusin, të vendosë qeveri teknike, të votojmë ligjet me konsensus në Parlament, të vazhdojmë reformën jo për t’ja dhënë Edi Ramës apo Lulzim Bashës në dorë, por reformën për t’u dhënë shqiptarëve drejtësinë që meritojnë. Reformën, jo të projektuar në zyrat e kryemafiozit politik të planetit Geroge Soros, por reformën të hartuar, të vlerësuar dhe miratuar në Parlamentin shqiptar. Këtu ne qëndrojmë, por vegël e kujt ne nuk bëhemi kurrë. Le të thonë çtë dojë, por ne qëndrojmë në të drejtën tonë dhe të shqiptarëve. Së fundi, një pyetje miqësore për të gjithë shqiptarët. Kemi kaluar 26 vite nga diktatura dhe këtë pyetje ua bëj pavarësisht nga bindjet politike që keni: A meritoni ju ministra, xhelatë të diktaturës sot? Unë kam bindje se, përveç zonjës së zezë, korbës Nexhmije Hoxha, bllokmenëve dhe bastardëve të bllokmenëve, shqiptar që të votojë me zemër për të pasur xhelat të diktaturës sot nuk ka. Këtë po bën Edi Rama që e ka at shpirtëror Enver Hoxhën”, tha ish-Kryeministri.
Berisha vlerësoi të gjithë qytetarët që në këto 26 ditë “u ngritën në këmbë për revolucionin demokratik, që do përcaktojë fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë, revolucionin demokratik që do i kthejë Shqipërisë vullnetin e qytetarëve të saj, do t’i hapë rrugët dhe dyert për të ecur në procesin e zhvillimit dhe integrimit europian. E quajmë revolucion, sepse çdo revolucion çmonton një sistem, një rend”.

Do dalin dokumentat për Olsi Ramën si trafikant kokaine

Ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar nga Rama janë cilësuar nga Berisha si nisja e “shkërmoqjes” së tij drejt largimit të pashmangshëm nga pushteti. Ish-Kryeministri u ndal tek afera me CEZ, akuzat ndaj Linda Ramës për drejtimin e një banke të lidhur me pastrimin e parave, si dhe ndryshimet e fundit në qeveri.
“Edi Rama nuk ka asnjë legjitimitet! Shikoni çfarë bëri për CEZ-in. Ja nxorri të palarat Edmond Spaho në hetim. Ia kam thënë atëherë dhe ja them edhe tani: 35 vjet burg do kesh vetëm për CEZ-in. Ngopet ky?! Nuk ngopet kurrë! Para tre vitesh i thonë miqtë e tij, Beqjes: ore ta pësosh shumë keq këto që po bën, o ti. Ai i thotë: Unë çdo gjë e bëj me urdhër të Edi Ramës! Dhe është absolutisht e vërtetë, sepse Rama merrte paratë, thuaju qytetarëve çfarë do hanemi yt (bashkëshortja) me bankë? Pse e bëre bankere gruan? Ç’punë ka kryeministri me bankat private? Ka vetëm një; për të larë paratë e pista! Tre vjet u mor me lojërat e fatit. Këto do t’i zhduk tha, do t’i qëroj, në qytete këto sdo jenë më, nuk do psherëtijnë më nënat për mëkatin e djemve të tyre që shkojnë lënë paratë aty, nuk do qajnë më ato. Çfarë bëri me to? Jua them unë se lojërat e fatit janë pesëfishuar deri në dhjetëfishuar. Vetëm në plazhin e Durrësit ishin 6 njësi, sot janë 56 njësi! Pse? Sepse Olsi, vëlla Olsi, një trafikant kokaine që shumë shpejt do t’ia përplasim në fytyrë dokumentat, do të bëhej kontrollori i përgjithshëm i lojërave të fatit në Shqipëri me një tender të fituar jashtë çdo rregulli, pesë herë në konflikt interesi, pa asnjë garë, por Edi Rama tani ka bankën, një bankë të regjistruar offshore ku mund t’i çojë lumenjtë e parave të pista t’i degdisë në bankat e offshore etj.. Edi Rama bën mirë të ikësh. E nise shkërrmoqjen, deshe të heqësh 6 ministra, por kur të nxorrën videon e Eskobarit ku t’i bëje orgji në hotelin e tij, atëherë u tërhoqe. Nuk mund të shkarkosh ministrat e t’u që njësoj si ty janë peng i Eskobarit me video! Nuk mund të shkarkosh t’i Lindita Nikollën, që me pamjen e saj ëngjëllore fsheh një vjedhje monstruoze të fëmijëve të Shqipërisë, shndërrimin e parave të tyre në vilë mbi një milionëshe. Nuk mund të shkarkosh t’i Madam Striptizën, e cila akuzohet se ka qenë valltare striptize në Greqi dhe që, jo vetëm që nuk e përgënjeshtron, jo që nuk shkon ta hedhë në gjyq gazetën greke, por përgjigjet me Theçerin, kurse kjo tjetra përgjigjet me Vetingun”, tha Berisha.

Vettingu, Rama shkeli marrëveshjen, me urdhër të Sorosit

Reforma në Drejtësi dhe procesi i vettingut ishte shqetësimi kryesor i ngritur nga ish-Kryeministri Berisha përsa i përket ndikimit direkt të George Sorros. “Tani do them dy fjalë për vettingun. E vërteta vonon, por ajo del dikur. Një e vërtetë e madhe po del sot si drita e diellit para shqiptarëve e do të dalë edhe më shumë. Në vitin 2014, Presidenti Bujar Nishani thirri të gjitha forcat politike për të bërë Reformën në Drejtësi. Natyrisht, Presidenti Nishani i thirri për t’i inkurajuar, reformën do ta bënin forcat politike, por ai i thirri për t’i nxitur dhe për të vënë në lëvizje këtë mekanizëm. Çfarë ndodhi? Menjëhërë reformën e mori Edi Rama në dorë dhe akti i parë, përjashtoi opozitën! Çuditërisht, në krah të Edi Ramës, për pa nevojë për opozitën u rreshtuan edhe Guvernatorja, edhe në njëfarë mënyrë, për hir të së vërtetës më pak, ambasadori Lu, por Vlahutin me deklarata të njëpasnjëshme, aq sa u detyrova t’i përgjigjem se t’i me këto deklarata çon drejt stabilizimit, Shqipërinë! Ndiqeni pak, se është shumë e rëndësishme kjo për shqiptarët. Nuk duhet ta hajë kush sapunin për djathë. E bënë draftin me specialistë të huaj, natyrisht majmërisht  të paguar nga Geroge Soros. Ky kryekorruptor në botën e lirë, njeriu që përdor bilionat për të korruptuar politikanët. Draftin e bënë siç e deshën, e bënë me dy ekspertë ndërkombëtarë, e bënë pa ne dhe e dërguan në Venecia. Venecia e përmbysi komplet, pse?. Sepse në 16 nene, projekti i jepte në dorë Edi Ramës drejtësinë. I thamë hajde ulemi e bëjmë bashkë. Jo, jo, thanë, e bënë përsëri vetë. E dërguan përsëri vet në Venecia. Po pse kjo? Sepse përsëri donin t’ja jepnin Ramës në dorë. Përsëri Venecia e rrëzoi. Ne qëndruam. Mos harroni kurrë se ata çakenj analistë që vërsuleshin me tërbim kundër opozitës, e cila qëndronte në të drejtën e të drejtës për të mbrojtur parimet themelore të shtetit ligjor, të Kushtetutës, të drejtësisë së pavarur. Lulzim Basha, si kryetar i PD përballoi presionet më të paimagjinueshme, por nuk e lëshoi të drejtën dhe në fund qëndrimi i tij mori një shpërblim që se ka parë kurrë një lider opozite. I telefonoi Angela Merkel, e cila e kuptoi se pse qëndroi Lulzim Basha dhe opozita, i telefonoi Departamenti Shtetit, të cilët e kuptuan se pse qëndroi Lulzim Basha dhe opozita, i telefonoi KE, i telefonoi e gjithë bota se mbrojti të drejtën. Atë ditë, më 21 korrik ju, të gjithë shqiptarët u informuan me media se është vendosur që të votohen bashkërisht me Kushtetutën, me konsensus të votohen dhe 7 ligje të tjera. Ne jemi njerëz të marrëveshjes. Marrëveshjen e shkelmojnë vetëm ata që janë zuzarë, njeriu i qytetëruar nuk e shkelmon kurrë marrëveshjen, pavarësisht nga çmimi që mund të ketë. Pas dy ditësh, me urdhër të George Sorosit, Edi Rama shkeli marrëveshjen, me urdhër të George Sorosit u votuan të gjitha ligjet pa opozitën, me urdhër të George Sorosit, ligjet u rikthyen ashtu siç i donte Edi Rama, duke shkelmuar plotësisht Kushtetutën”, bëri të ditur Berisha.

Rama duhet të kërrehet prej leckash një minutë e më parë

Nga drejtimi i Bashkisë Tiranë për 11 vite e deri sot Kryeministër, Rama ka qenë i lidhur me bandat më famëkeqe kriminale e sot ai është skllav i tyre. “Le të shohim pak, le të marrim pak faqen tjetër sesi nxijnë me radhë. Edi Rama është një burracak e frikacak që ska toka! Gjatë 11 viteve kryetar bashkie, pavarësisht se kush ishte në pushtet, socialist apo demokrat, atij i takonte me ligj mbrojtja nga Garda e Republikës. Por nuk mbrohej nga Garda po mbrohej nga banda, të cilave u jepte lejet e pafundme të ndërtimit, si Hakmarrja për Drejtësi, Dritan Dajtit e dhjetëra bandave të tjerave. Edi Rama edhe si kryeministër përsëri vazhdoi si skllav i bandave. Po ju pyes: Lushnja ishte më mirë kur qeverisej nga Aldo Bare, kur priteshin koka e luhej futboll apo pas arrestimit të Aldo Bares? Çdo shqiptar e pyes këtu: Veriu i Tiranës ishte më mirë kur ligjin e bënte vrasësi Nehat Kulla apo pas arrestimit të tij? Po Durrësi, ishte më i qetë dhe më i sigurtë kur ligjin ja bënte Lul Berisha apo pas arrestimit të Lul Berishës? Po Tirana, ishte më e sigurt kur ligjin ja bënte “Hakmarrja për Drejtësi” apo pas arrestimit të “Hakmarrjes për Drejtësi”? U arrestuan këto banda dhe vendi u bë më i sigurtë, vendi u anëtarësua në NATO, vendi firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, vendit iu dha liberalizimi i vizave dhe filluan të lëviznin të lirë në mbarë Europën, se nuk kishin krim dhe nuk kishte kush frikë prej tyre. Çfarë bëri Edi Rama? I liroi një nga një këto banda, sepse është skllav i tyre, është peng i tyre, ka ndarë krimet me ta, ka ndarë paratë me ta dhe nuk shkëputet dot kurrë prej tyre? Më thoni ju, a ishte më mirë Parlamenti kur nuk kishte vrasës, kur nuk kishte trafikantë të grave dhe vajzave shqiptare, kur nuk kishte hajdutë banesash dhe xhepash, apo sot kur e ka mbushur me ta? Faqja e zezë e Edi Ramës është krimi pra, dhe nuk ka asnjë sekond legjitimitet. Ai duhet të kërrehet prej leckash një minutë e më parë.  Edi Rama u premtoi shqiptarëve se do të ketë punësim, do të ketë mirëqenie. Më thoni ju, kur kanë qenë vrasjet dhe vetëvrasjet nga mjerimi më shumë se sot? Kurrë nuk ka pasur vetëvrasje kafshate si sot, në kohën e tij, ndërsa vetë zhgërryhet e dergjet në sarajet e Surrelit që të gjitha të ndërtuara mbi bazën e krimit”, tha Berisha. “Le ta marrim pak si qeveritar në rrafshin personal. Edi Rama nuk ka legjitimitet. Ai banon në një vilë 57 m të gjatë, për të cilën bashkëshortja e tij u tha shqiptarëve se e ka ndërtuar me paratë e librit, “Kurbanit”. Pyesni një autor nëse del njeri dhe thotë se me forcën e librit ka fituar gjysmën e vlerës së asaj që ka shpenzuar Rama për pigmentin e vilës dhe unë po ia fal gjithë të tjerat. Edi Rama është pjellë e krimit. Merrni pallatin e tij 5-katësh pa asnjë faturë! Arrestoi 22 mijë shqiptarë se nuk kishin paguar 30,100 apo 200 kilovat, kurse vetë për pallatin 5-katësh nuk ka paguar asnjë qindarkë, nuk ka asnjë faturë. Bashkëshortja e tij thotë se janë para gjaku, implikon vëllanë e saj, por jua them unë që nuk është vëllai i saj, por është burri i saj, është i shoqi saj, që e ka ndërtuar pallatin 5 katësh, duke gjobitur ndërtuesit e Tiranës”, tha Berisha.

Arban Shahini