Berisha-Migliori: Rama ka shkatërruar çdo mundësi për zgjedhje të lira

Ish-Kryeministri Berisha ka njohur dje ish-Presidentin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Ricardo Migliori me situatën kritike që po kalon vendi, si dhe kërcënimin real të zgjedhjeve të ardhshme nga paratë e drogës dhe krimi.
Gjatë këtij takimi, Berisha theksoi se Shqipëria ndodhet në situatën më kritike se asnjëherë më parë. Ai theksoi se krizat e thella të mëparshme janë zgjidhur nëpërmjet zgjedhjeve, kurse Edi Rama ka shkatërruar në mënyrë të plotë mundësinë e zgjedhjeve të lira në këtë vend.
Ai u shpreh se zgjedhjet lokale të vitit 2015 ishin të vdekura pa u bërë votimi pasi vullnetin e qytetarëve e shtypi egërsisht krimi i organizuar; blerja masive e votës me paratë e drogës; angazhimi i të gjithë institucioneve të shtetit në luftë elektorale kundër opozitës; kontrolli i egër i mediave; të gjitha këto dukuri janë të paraqitura në raportet e OSBE-së.
“Mirëpo gjatë këtyre dy viteve këto çështje madhore në vend që të merrnin zgjidhje ato u shumëfishuan, morën dimensione të paimagjinueshme”, u shpreh Berisha.
Në këtë kontekst, ai e njohu Migliorin me faktin se sot sipërfaqja e kanabisit, e krahasuar me dy vite më parë, është rritur me dhjetëra e dhjetëra herë dhe mbjellja e saj në të katër anët e vendit është kthyer në një politikë shtetërore të pashpallur të qeverisë.
Gjithashtu në një javë, në Itali, ka ndodhur që janë sekuestruar mbi 20 tonë drogë, pothuaj dy herë më shumë se sasia e drogës e sekuestruar në 8 vite të qeverisë së mëparshme. Vendi në çdo cep të tij është i mbushur me banda të armatosura të kanabisit që ruajnë parcelat dhe ndajnë fitimin me drejtorët e policisë dhe qeveritarët lokalë dhe qendrorë. Ministri i Rendit, i shkarkuar këto ditë, transportonte drogë me skafin dhe makinën e tij, zëvendësuesi i tij, është një xhelat i vërtetë i diktaturës hoxhiste, që ka masakruar njerëz në qelitë e burgjeve, ndërsa vëllai i tij është trafikant ndërkombëtar droge i dënuar në Itali dhe i kërkuar në disa vende.
Berisha shprehu shqetësimin se miliardat e eurove janë bërë gati të blejnë votat e shqiptarëve, e tërë administrata – polici, gardë, ushtri, ndërsa administrata publike është pajisur me formularin e patronazhistit për të rrëmbyer votat e qytetarëve. Njëkohësisht janë liruar nga burgu dhe janë shpallur të pafajshëm banditë e vrasës serialë që kanë kryer akte terroriste vetëm se janë si miq të Edi Ramës dhe u janë ngarkuar detyra elektorale.
Berisha në ekspozenë e tij mbi situatën në të cilën ndodhet vendi, theksoi se qeveria është peng e Eskobarit të Ballkanit, ministra dhe vetë Edi Rama janë të akuzuar si të filmuar në skena të papërshtatshme në hotelin e Eskobarit, ndërsa ligji i dekriminalizimit nuk ka asnjë efekt real, vrasësit, trafikantët, pengmarrësit janë në Parlament dhe të gjitha nivelet e qeverisjes.
Vendi është shndërruar në lavatriçe të parave të pista të drogës dhe trafiqeve të tjera. Kryeministri ka bankën e tij private, të regjistruar off shore, drejtimin e të cilës ia ka besuar bashkëshortes, gjithçka në funksion të larjes së parave të pista. Ai këto ditë i duke shkelur të gjitha ligjet, i dha të vëllait kontollin e lojërave të fatit në mbarë vendin.
Berisha e njohu Migliorin me faktin se opozita shqiptare, nga viti 1991 deri sot, kurrë nuk ka protestuar në prag fushate elektorale. “Opozita e bashkuar si kurrë më parë, është prej 25 ditësh në një protestë, të pandërprerë pasi asaj nuk i ka mbetur asnjë hapësirë tjetër për garë elektorale. Opozita proteston me qëllimin e vetëm – vendosjen e një qeverie teknike, që shqiptarët të mund të votojnë të lirë”, theksoi ai.