Basha zbulon sekretin e Venturës

Është një nga njerëzit që ka luajtur më së shumti në Itali nga kontingjenti aktual i futbollistëve të Kombëtares. Pas trajnerit De Biazi, Migjen Basha mund të ketë tagrin e duhur për të komentuar axurrët për përballjen e radhës, jo vetëm për 9 vitet në të cilat ka qenë pjesë e futbollit italian në të gjitha kategoritë, por për më tepër për faktin që ka qenë një ish-lojtar i trajnerit të Italisë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i Barit tregon njohjen e tij me teknikun e axurrëve dhe zbulon një tipar të tij për mënyrën se si i përgatiste ndeshjet kur ishte te Torino. Ndonëse, ai ka eksperiencë të gjatë në futbollin axurr, gjatë intervistës përgjigjet edhe me batutë nëse do të ketë apo jo vend në skuadrën e De Biazit për këtë përballje.
“Para se të mendoj nëse do të kem minutazh apo jo, duhet të mendoj nëse do të kem ftesë apo jo (qesh…)”, tregon ndër të tjera Basha, i cili gjithashtu vlerëson edhe shanset e kuqezinjve përballë Italisë, apo edhe në lidhje me vendin e tretë në grup që shihet si një objektiv i vështirë për t’u arritur.
-Pas një nisjeje jo si duhet të sezonit nga skuadra juaj, tani Bari është në zonën “play off” për në Serinë A dhe ju personalisht keni fituar rolin e një lojtari të rëndësishëm. Si e ndjeni veten në skuadër?
Në fillim kemi pasur probleme dhe më pas u ndërrua edhe trajneri. Me ardhjen e teknikut të ri kemi nisur të ringjitemi në tabelën e klasifikimit. Për momentin jemi në formë, jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët dhe në përgjithësi kemi rezultate të mira.
-Çfarë synimi keni për këtë edicion?
Sigurisht që objektivi ynë është që të ngjitemi në Serinë A. Nuk ka shumë rëndësi nëse do t’ia dalim me anë të ndeshjeve në fazën “play off” apo direkt me vendet që na ngjisin nga renditja në përfundim të këtij sezoni.
-E radhës për Kombëtaren do të jetë përballja me Italinë në Palermo, mirëpo forma e shumë lojtarëve nuk është më e mira e mundshme. A prisni të keni minuta përballë axurrëve?
Nuk e di formën e bashkëlojtarëve të mi, por mendoj se nuk do të thotë asgjë në të tilla ndeshje. Kjo, pasi kur ke përballë një kundërshtarë të tillë i gjen të gjitha motivimet e duhura dhe në atë përballje secili lojtar ndihet mirë dhe plotësisht gati për të treguar më të mirën për Kombëtaren. Para se të mendoj nëse do të kem minutazh apo jo, duhet të mendoj nëse do të kem ftesë apo jo (qesh…).
-Duke e njohur Italinë (mentalitetin e lojës dhe mënyrën si luajnë) dhe shumë prej lojtarëve të saj, cilat mund të cilësohen si pika e saj e fortë dhe pika e dobët?
Një skuadër si Italia nuk ka pika të dobëta. Kjo për vetë faktin se të gjithë lojtarët e saj po kalojnë formë të mirë dhe janë në skuadrat më të forta të Serisë A, apo disa të tjerë janë në skuadra si PSG apo Mançester, i referohem Verratit dhe Darmian.
-Në këtë ndeshje do të përballeni me ish-trajnerin tuaj, Venturën…
E njoh skuadrën italiane në përgjithësi, por njoh sidomos trajnerin Ventura, të cilin e kam pasur te Torino për katër vite. Unë e di se çfarë kapacitetesh ka ai për të përgatitur një ndeshje. Është me të vërtetë fenomenal.
Ndaj Spanjës, Shqipëria tentoi të mbrohej shumë pa arritur të bëjë asgjë në aspektin e ndërtimit. Po ndaj Italisë, si mendoni se është mënyra e duhur për të luajtur?
Në të vërtetë, nuk mundem as të mendoj se do të duhej ta sulmonim Spanjën, pasi do të kishim pësuar shumë gola.
-Një deklaratë pesimiste, për një ekip që mori pjesë në Europian.
Jo, ky nuk është pesimizëm. Ne duhet ta dimë realitetin se sa shumë diferencë ka mes nesh dhe një skuadre si Spanja.
-Si mendoni se duhet të luajmë ndaj Italisë dhe cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë për këto kualifikuese?
Gjithmonë i kemi menduar ndeshjet njëra pas tjetrës, pa bërë kapërcime. Së pari, na duhet të bëjmë një ndeshje me dinjitet kundër Italisë, pastaj të mendojmë për të tjerat.