Basha: Rama, 500 milionë euro për projekte fasadë

280

Kryedemokrati Lulzim Basha bashkëbisedoi dje tek sheshi i lirisë mbi situatën urbanistike dhe fasadat e Edi Ramës në infrastrukturë. Pedagogë, inxhinierë, arkitektë dhe qytetarë të thjeshtë, bashkëbiseduan për një nga problemet e mëdha të qeverisjes sot: fasadat. Lulzim Basha i quajti fasadat jo thjesht propagandë, por instrumentin e kësaj qeverie për të vjedhur shqiptarët përmes projekteve pa vlerë, jo cilësore dhe të rënda për xhepat e lodhur të shqiptarëve, të cilët kërkojnë cilësi në jetën e përditshme. Urbanisti Besnik Aliaj u shpreh se zgjedhjet e vitit 2014 nuk sollën ndryshim, por putinizëm. Ai denoncoi projektet klienteliste të Parkut të Liqenit, të stadiumit, si dhe të Sheshit Skënderbej. Në mënyrë të veçantë ai denoncoi shkeljen e ligjeve të informimit të publikut dhe të pjesëmarrjes së tij në vendimmarrje. “Planet rregulluese nuk u diskutuan kurrë me njerëzit, ndërkohë që ligji thotë minimalisht tre muaj konsultim. Vetëm 48 orë përpara kërkoi të bënte një proces konsultimi sa për t’i hedhur hi syve të njerëzve. Ky është shteti i hipokrizisë që mbahet me fasada. Ne kemi nevojë për një qeveri teknike e Shqipëri teknike”. Urbanistja Kreuza Leka u shpreh se, “Rama e tregoi se arsyeja që donte të bëhej kryeministër ishte interesi i tij për lejet e ndërtimit. Ajo që u bë me Rilindjen, ishte shkelja e ligjit dhe korrupsion masiv duke nisur me prokurimet e duke përfunduar tek lejet e rezervuara për oligarkët”. Përfaqësuesi i Unionit të Arkitektëve dhe Urbanistëve të Shqipërisë, Enver Bregasi kritikoi mënyrën e përzgjedhjes së projekteve të mëdha arkitekturore që përqendrohen në qendër duke i lënë ato të paarritshme nga shumica e popullsisë. Pedagogia Etleva Dobiani, denoncoi shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, veçanërisht projektin e by pass-it të Gjirokastrës, projekti fitues i të cilit nuk ishte as në nivelin e studentëve të arkitekturës. Arkitekti Ervin Minarolli tha se edhe propaganda e humbet efektin e saj kur në katër vite kjo qeveri nuk ndërtoi asnjë kilometër rrugë. Elisabeta Susaj foli për fasadën mjedisore. “Jam e indinjuar me betonizimin që i bëhet qytetit tim. Betonizimi i qendrës 40 mijë metër katrorë është diçka që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Ajo qendër do të shërbejë si panel diellor dhe do të kemi efektin serrë dhe nxehtësia do të përhapet kudo. Ashtu si edhe në dimër ku do të ketë rrëshkitje dhe akuj pasi mungon edhe infiltrimi i ujërave të rreshjeve”. Inxhinieri Endrin Gjipali, kritikoi ligjin e prokurimeve publike, i cili në gjendjen siç është nuk zgjidh ofertën më të mirë, por sjell fasada. Lulzim Basha tha se fasadat për të cilët të ftuarit ngritën shqetësimet e tyre, janë e vërteta e hidhur me të cilën përballen gjithë shqiptarët sot. “Çfarë është qeverisja fasadë? Është kjo që ka bërë të mundur në vetëm 4 vite shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge, në një Republikë të sunduar nga krimi, në një ekonomi të shkatërruar dhe një shoqëri civile dhe media të kthyer tërësisht në funksion të fasadës. Demokraci fasadë, Parlament fasadë, qeverisje fasadë dhe tani duan zgjedhje fasadë, zgjedhje të kapura, zgjedhje të diktuara nga krimi”. Fasadat e kësaj qeveri nuk shkatërrojnë vetëm cilësinë e jetesës së qytetarëve, por edhe ekonominë dhe të ardhmen e saj, si instrument vjedhjeje në dorën e pushtetit, sipas Bashës. “Por fasada nuk është vetëm simboli i gënjeshtrës, fasada është edhe instrumenti i vjedhjes së shqiptarëve. Sepse prapa fasadës nuk është se nuk ka asgjë, por ka një tavolinë ku bashkohen pushtetarë të korruptuar, kriminelë, oligarkë dhe media të bëra njësh me qeverinë, me një qëllim, të vjedhin Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të mashtrojnë dhe të gënjejnë nga mëngjesi në darkë. E pra, shikoni se çfarë ka bërë për 4 vite, e tregon buxheti i Edi Ramës në 4 vite, ka harxhuar 500 milionë euro për projekte fasadë”. Basha tha se përtej fasadës “po bëjmë shtet”, ndodhet e vërteta e shtetit të dështuar dhe të falimentuar të Edi Ramës, shtetit më të kriminalizuar në mes të Evropës. “Pas uniformave të reja të policisë, po kështu një fasadë me anë të së cilës Rama-Tahiri kanë vjedhur milionat e taksapaguesve shqiptarë, ndodhet mafia më e rrezikshme në Evropë, narkomafia e cila ka shndërruar Shqipërinë në hambar droge. Kjo fasadë ka qenë dhe mbetet thelbi i propagandës së Edi Ramës, propagandë që paguhet me këto para dhe paguhet shtrenjtë shumë. Dje, EUROPOL-i, ka bërë publik raportin për gjendjen e narkotikës në Europë. Fasada e Edi Ramës: Ku është droga? EUROPOL-i për fat të keq e thotë fare qartë. Shqipëria është numër një për kanabisin në Europë dhe vend kryesor për trafikun e drogës”. Kryedemokrati Basha i bëri edhe një herë thirrje qëndresës popullore në ditën e saj të 26 të ngrihet bashkë edhe për vlerat e përbashkëta evropiane dhe euroatlantike.