Barça nuk dorëzohet

Barcelona bëhet gati për përmbysjen e madhe dhe nuk do të dorëzohet në kërkim të saj edhe pse historia në Ligën e Kampioneve thotë se është e pamundur të përmbyset një humbje 4-0 si ajo e pësuar ndaj PSG-së. “Duhet të jemi të durueshëm”, shpjegoi Luis Enrike në konferencën e sotme për shtyp. “Rezultati i ndeshjes së parë ishte shumë i pastër, por jemi vetëm në gjysmën e eliminatoreve. Duhet të mendojmë për kualifikimin nëpërmjet asaj që bëjmë në ndeshje dhe falë dominimit të kërkojmë të kthejmë rezultatin. Duhet të bëjmë shumë gjëra mirë në sulm dhe në mbrojtje, pasi PSG është një ekip i madh dhe do na vështirësojë gjithçka”, tha ai.
“Nëse një skuadër ka arritur të na shënojë 4 herë, ne mund t’i shënojmë plot 6 gola. Nuk kemi qenë më parë asnjëherë në një situatë të tillë, por për t’u kualifikuar, nuk do të na duhet ndeshja më e mirë e jona, por duhet të jemi efektive në fushë”, shtoi trajneri i Barcelonës.
I pyetur nëse sulmi i skuadrës së tij mund ta bënte një gjë të tillë, Luis Enrike, nuk kishte dyshime. “Jemi në mes të eliminatoreve. Nuk kemi çfarë të humbim dhe vetëm shumë gjëra për të fituar. Nëse një ekip si PSG mund të na shënojë katër gola, atëherë ne mund t’i shënojmë atyre 6”, deklaroi trajneri i Barcelonës.
“Duhet të jemi profesionistë dhe të jemi të ndërgjegjshëm që sporti të vendos përpara situatave të çdo lloji. Nëse kësaj skuadre nuk i është nevojitur më parë një përmbysje e madhe, vjen për shkakun e thjeshtë se ka zhvilluar ndeshje të para shumë të mira. Ndaj ky është një objektiv shumë i madh që mund të realizojmë. Po nëse nuk e përmbysim? Do ta shohim pas ndeshjes, për momentin më lini të jetoj me iluzionin se mund ta bëjmë një gjë të tillë”, ishin fjalët e Luis Enrikes.
Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka përsëritur sërish se nëse një skuadër mund ta përmbysë një rezultat të tillë, atëherë ajo është Barcelona dhe se do të japin gjithçka të mërkurën mbrëma që të shkruajnë histori. “Kemi besimin, shpirtin dhe entuziazmin të përmbysim gjithçka. Do të luftojmë nga fillimi deri në fund”, tha fillimisht Suarez. “Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Nëse një klub mund të shënojë katër e më shumë gola dhe të përmbysë gjithçka, është Barcelona”, shtoi ai në konferencën për media.
Ndërkohë, drejtori i klubit të Barcelonës, Ariedo Braida ka thënë se Leo Mesi do ta vazhdojë me Barçën. Ai ka thënë se Barcelona është vendi i përkryer për yllin argjentinas. Mesit i skadon kontrata me Barcelonën në vitin 2018 dhe interesim për të kanë shfaqur klubet gjigante të Premier Ligës, si dhe PSG-ja.
“Barcelona është vendi i përkryer për të. Është kombinim i përkyer, një martesë e përkryer”, ka thënë Braida për Radio “Anch’io Sport”.  “Ai shërben në Barca dhe anasjelltas. Jeta e tij është këtu, është qyteti i tij. Ai nuk do të lëvizë nga këtu”, ka shtuar ai.