Banditët e Ramës dhe Gjushit sulmojnë e rrahin protestuesit

Njerëz të infiltruar nga Rama dhe Dako sulmuan dhe rrahën anëtarët e Shoqërisë Civile në Durrës që protestuan mbrëmjen e së enjtes kundër punimeve në zonën arkeologjike në qytetin bregdetar. Protesta e paralajmëruar nga Shoqëria Civile ka nisur në orën 22:30 të mbrëmjes së enjte, por disa persona të panjohur janë futur në mes të protestuesve me qëllimin e vetëm për të shkatërruar frymën e protestës dhe kauzës qytetare, duke rrahur një vajzë dhe një djalë. Dy të dhunuarit kanë marrë dëmtime të lehta dhe pas ndihmës mjekësore, në Spitalin Rajonal Durrës, shkuan në banesa. Mediat e oborrit qeveritar e paraqitën këtë dhunë të frymëzuar nga Rama dhe Dako si një sulm nga brenda radhëve të protestuesve. Gjithçka bëhet për të denigruar qëllimin e protestës qytetare për ndalimin e ndërtimit të Velierës së Dakos në zonën arkeologjike.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe deputeti i PD të Durrësit, Oerd Bylykbashi. Në një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se, njerëz të infiltruar nga Rama e Dako kanë prishur protestën. “Ekstremistët e majtë rrahin barbarisht ata që po mbrojnë Torren Veneciane nga Veliera e Vangush Dakos. Protestuesit e Shoqërisë Civile që po luftojnë për të mbrojtur trashëgiminë dhe identitetin e Durrësit dhe Shqipërisë nga Veliera e Vangjush Dakos u sulmuan dhe rrahën barbarisht mbrëmë natën nga provokatorë që i shërbejnë këtij regjimi bandit.
Lëvizja e protestës e Shoqërisë Civile, që ka mbështetje gjithmonë e më të gjerë publike dhe politike për një kauzë thelbësisht qytetare që po ndeshen me arrogancën dhe harbutërinë e pushtetit në Durrës dhe në Tiranë, po shënojnë fitore të njëpasnjëshme. Dje u zbulua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës që pezullon çdo punim në Zonën A, por që mbahej i fshehur, sepse Dako vazhdon punimet në atë zonë”, shkruan Bylykbashi.
Bylykbashi shprehet më tej se, të ashtuquajtura grupime rinore aktivistë me prirje majtiste, që shfaqen me telekomandë nëpër protesta, pasi këto kanë marrë formë dhe kërcënojnë qoftë edhe imazhin e pushtetit, mbrëmë u infiltruan me protestuesit e Shoqërisë Civile dhe pas largimit të medias, kanë inskenuar konflikt e më pas kanë rrahur barbarisht protestuesit. Dy aktivistë u sulmuan në mënyrë të kordinuar me dhunë fizike në grup dhe njëri prej tyre u detyrua të shtrohej në spital.
“Në një skenar si ai me protestuesit e Zharrëzës, apo me infiltrimin për të prishur protestën e Parkut të Liqenit, etj., ata arritën të prishnin këtë protestë të mbrëmshme, e para protestë që do të vazhdonte gjithë natën tek Torra Veneciane. Këto grupime të telekomanduara nga Rama dhe sharlatanët pranë tij po kthehen në rrezik për protestuesit paqësorë që protestojnë kundër kësaj qeverie banditësh dhe kriminelësh. Kamuflazhi rinor dhe aktivizmi Çe-guevarist është i pamjaftueshëm për të mbuluar fillin që i komandon. E ç’mund të presesh në një shtet të majtë bandit? Policia dhe Prokuroria duhet të ndjekin penalisht deri në fund personat përgjegjës për dhunën fizike të shkaktuar, pa u ndikur nga interesi i Ramës apo kujtdo sharlatani me pushtet!”, përfundon Bylykbashi.
Edhe aktivistja Lorisa Ylli, ka reaguar me anë të një statusi në “Facebook”, ku shprehet se një grup që iu bashkua protestës së mbrëmjes së djeshme, në fakt kishte qëllimin e vetëm për të shkatërruar frymën e protestes dhe kauzës së tyre qytetare, duke rrahur një vajzë dhe një djalë, i cili u vendos në mbrojtje. “Dhuna e mbrëmshme që i ndodhi djemve dhe vajzave që prej kohësh angazhohen erdhi nga një grup që nuk i kishim parë më parë të angazhoheshin me ne! Ky grup kishte për qëllim destabilizimin e kauzës sonë të fituar me 10 kallzime të fituara në Vendimin e Gjykatës. Njëkohësisht dua të përgënjeshtroj lajmin se këta individë ishin të Forumit Rinor. Një lajm i pavërtetë ky! Veliera nuk do të bëhet”, shkruan Lorisa Ylli.

Shoqëria Civile: Nuk do t’i ndalim protestat kundër projektit Veliera

Në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes zhvilloi protestën e radhës, për zbatimin e vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur bllokimin e punimeve në të gjithë zonën arkeologjike. Sipas protestuesve, firma kontraktuese dhe Bashkia Durrës po vijojnë punën, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës se Shkallës së Parë Durrës, e cila me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur sekuestro preventive thuajse për gjysmën e kantierit të ndërtimit, konkretisht për zonën arkeologjike.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit vendosi ndalim të punimeve në zonën A ku cënohet nëntoka muze e qytetit. Kjo sipas ambjentalistit Sazan Guri kthen në nul të gjithë projektin.
Themelet e një muri mesjetar, dy topa lufte dhe disa sfera guri për hedhje me katapultë, zbuluar pas punimeve që nisi Bashkia e Durrësit për ndërtimin e strukturës së betonit të “Velierës” u bënë shkak që gjykatat të kërkojnë ndërprerjen e tyre. Vendimi i Gjykatës është apeluar, megjithatë Bashkia e Durrësit nuk mund të vazhdojë zbatimin e projektit deri në daljen e një vendimi të formës së prerë.
“Nuk ka vlerë projekti, kur lejohet vetëm në zonën zero dhe në zonën A është e ndaluar rreptësisht. Durrësi nuk është shesh arkeologjik që u përket durrsakëve, as shqiptarëve, por përpos tyre i përket edhe kulturës helene, edhe kulturës romake”, u shpreh Sazan Guri. “Kjo është qëndresa qytetare. Ne nuk do të lejojmë Vangjush Dakon që të asgjësojë Torrën Veneciane, ne nuk do të lejojmë që të asgjësohet historia jonë”, tha Aulon Kalaja.
Arkeologët kërkojnë që gërmimet dhe puna e tyre të shtrihet në një sipërfaqe më të madhe, pasi mendohet se fare pranë rrënojave arkeologjike që dolën në dritë nën tokë mund të ketë objekte të tjerë me vlerë.

R.POLISI