“Banda e Tritolit”, Julian Sinanaj i shpëton burgut përjetë

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka dhënë vendimin për të ashtuquajturën “Banda e Tritolit”. Togat e zeza kanë lënë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë për Andon Mëhillajn, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. 10 vite u dënua kushëriri i tij Genisi, i cili u arrestua tre ditë më parë. Vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm. Apeli i Krimeve të Rënda ka marrë vendim që ai të dënohet me 30 vite burg.
Për llogari të Mëhillajve dyshohet se Sinanaj ka kryer dy vrasje në Vlorë. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë. Me nga 8 vite burg u dënuan Albin Mexhaj dhe Ndriçim Gjokona. Edhe ky i fundit për shkak të statusit të bashkëpunëtorit i shpëtoi dënimit me 25 vite burg.
Për Marjon Mitron, personi i cili vendosi eksplozivin e gjetur në makinën e ish-prefektit të Vlorës u ul dënimi me 11 vite. Përfundimisht, ai do të vuajë 8 vite burg. Mina u gjet gjatë kontrollit të bërë nga Garda në hyrje të Kryeministrisë. Për biznesmenin e gazit Ilir Karçini u dhanë 5 vite burg, pasi porositi Julian Sinanajn të vrasë konkurrentin e tij, Piro Bare, kundrejt 150 mijë eurove. Por, ai është liruar për shkak të mbarimit të vuajtjes së dënimit.
Të pandehurit në shkallën e parë u dënuan me 85 vite burg në total dhe një burgim të përjetshëm. Përkatësisht; Genis Mëhillajn me 10 vjet burg, Ndriçim Gjokonajn me 8 vjet burg, Marjon Mitron me 19 vjet burg, Albin Mexhajn me 8 vjet burg, biznesmenin Ilir Karçini me 5 vjet burg dhe me burgim të përjetshëm Anton Mëhillajn. Ndaj 7 anëtarëve të bandës rëndonin 38 akuza, si “Vrasje me paramendim, për interes”, “Vepra me qëllime terroriste”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen”. Hetimi për këtë grup nisi në janar 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose që mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë.
Arrestimi i kreut të grupit, Julian Sinanaj, më 25 janar 2014 dhe prangosja e ndihmësit të tij Ndriçim Gjokona, hapi rrugën e zbardhjes së të paktën gjashtë ngjarjeve të rënda kriminale, dy nga të cilat vrasje me armë në Vlorë dhe të tjerat atentate me eksploziv të mbetura në tentativë. Sinanaj, i cilësuar si “vrasës me pagesë” akuzohet se ka vrarë me paramendim, për interes shtetasin Sokol Veizi, në gusht 2012. Këtë krim Sinanaj akuzohet se e ka kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal në bashkëpunim me të dyshuarit si porositës, Erjon Mëhillaj, Genis Mëhillaj dhe mbështetësin Ndriçim Gjokona.
Në të njëjtat rrethana ai akuzohet se ka tentuar vrasjen e shtetasit J. M. në Vlorë, ngjarje nga e cila Julian Sinani është tërhequr në momentin e fundit. Sinanaj akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, vepra me qëllime terroriste, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të dyshuarin si porositës Andon (alias Erjon) Mëhillaj, që kanë shkaktuar shkatërrim serioz të pronës private, si dhe kanë synuar vrasjen e Ardian Kollozi në Vlorë.
“Vrasësi me pagesë” akuzohet se në vazhdim ka kryer edhe veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të lëndëve plasëse” si dhe “vrasje me paramendim për interes” të shtetasit Agron Çela, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurin Andon (alias Erjon Mëhillaj). Në këtë rast, Sinanaj akuzohet edhe për krimin e “mbajtjes pa leje në ambiente publike të armëve luftarake”.