Bajerni shkon në +10 nga ndjekësit

Lajpcigu i ka dhënë mundësinë Bajern Mynihut që të shkëputet edhe më shumë në luftën për titullin kampion, duke u mundur në ndeshjen e javës së 24 të Bundesligës. Bavarezët bënë detyrën me një fitore shumë të thjeshtë 3-0 ndaj Eintraht Frankfurtit në shtëpi, ndërsa konfirmuan formën e mirë që po kalojnë yjet e saj, sidomos Lewandowski, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës. Por Lajpcigu i vendit të dytë dështoi në shtëpi përballë Volfsburgut, në një ndeshje e cila u vendos nga goli i Mario Gomez që në fillimin e takimit.
Të njëjtin fat kishte edhe Borusia Dortmund, e cila u mposht në transfertë përballë Hertës së Berlinit, me rezultatin 2-1 duke rrezikuar tashmë seriozisht vendin e tretë në klasifikim të cilin e kishte marrë me shumë vështirësi pas një serie prej tre fitoresh radhazi.
Sakaq, Fraiburgu i Amir Abrashit ka ndalur në barazim 1-1 Hofenhaimin që pretendon të luajë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Por futbollisti shqiptar nuk zbriti në fushën e lojës, duke e ndjekur takimin nga pankina pasi klubi ka filluar t’u besojë thuajse ekskluzivisht vendasve dhe u paraqit në fushë me një formacion me 11 lojtarë gjermanë.
Bajer Leverkusen i dha lamtumirë ambicieve për Champions pas një barazimi befasues 1-1 në shtëpi me ëerder Bremen. Skuadra e aspirinave regjistroi ndeshjen e 3-të pa fitore, përballë një Werderi që është në formë të shkëlqyer, aq sa me këtë pikë është në pozita më të qeta në garën për mbijetesën. Vendasit që pritej të riktheheshin te fitorja e nisën shumë mirë takimin teksa kaluan në epërsi pas vetëm 7 minutash lojë me Volland.
Gabimi i Leverkusen ishte që nuk gjeti golin e dytë dhe ëerder përfitoi duke arritur te barazimi 8 minuta para fundit me anë të “veteranit” Pizarro që shënoi golin e barazimit për Werder. Megjithatë Leverkusen pati mundësinë e artë për të marrë fitoren në minutën e 95-të, por aspirinat sërish humbën një 11-metërsh në fund, me Toprak që gaboi nga pika e bardhë duke mos lejuar Korkutin që ta nisi me fitore aventurën e tij në stolin e aspirinave.