Avioni i drogës së Ishmit i kthehet kompanisë italiane

Pas shtatë muajsh, avioni që pilotohej nga Guido Guidi është larguar nga grykëderdhja e Ishmit, ku edhe u rrëzua në një pistë të improvizuar. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë, se me urdhër të tyre, mjeti fluturues iu kthye kompanisë pronare “Aeroclub Savona”, pasi nuk shërbente më si provë në hetimin e nisur pas dyshimeve se në pistën e Ishmit kryhej trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë, në rrugë ajrore.
Ndaj tri ditë më parë, përfaqësuesit e kompanisë në fjalë bashkë me ekspertët, mbërritën në Tiranë dhe pasi kanë marrë kontakt me prokurorët, çmontuan dhe larguan nga Ishmi mjetin fluturues tip “Piper”.
Më herët, Prokuroria për Krime të Rënda, kishte kërkuar nga Forcat e Armatosura, largimin e “Piperit”, por operacioni nuk ishte bërë i mundur për mungesë mjetesh dhe ekspertësh.
Ndërkohë, më herët nga Shqipëria është larguar edhe piloti Guidi, ndaj të cilit Gjykata caktoi masën e sigurisë “garanci pasurore” në shumën e 10 mijë eurove, me kushtin që ai të paraqitet në Prokurori, sa herë është e nevojshme për rrethanat e çështjes. Deri më tani, hetimet nuk kanë dhënë rezultat.