Ambasadorët e BE duan Bashën, Vlahutin kundër

Në takimin e përjavshëm të ambasadorëve të vendeve të BE të zhvilluar dje një vend të rëndësishëm ka zënë kriza politike. Ambasadorët kanë diskutuar me shqetësim për problematikën dhe ngërçin e zgjedhjeve pas tërheqjes së plotë të opozitës nga regjistrimi në KQZ si dhe protestat, e cila është e pandalshme. Ambasadorët e vendeve të BE kanë kërkuar dje që të dëgjohet prej tyre zëri i opozitës, duke kërkuar një takim me Kryetarin e opozitës Basha.
Kërkesa e disa ambasadorëve është kundërshtuar nga ambasadorja Vlahutin. Kjo e fundit në një axhendë tërësisht personale ka paraqitur argumenta qesharakë që të mos realizohej për momentin një takim i tillë. Sipas saj, Partia Demokratike nuk është forca e vetme që përfaqëson opozitën. Pas kësaj fjalie, ajo ka shprehur edhe fjalinë tjetër se Basha nuk e përfaqëson opozitën dhe në fund fare Vlahutin ka hedhur edhe perlën që ka bërë shumë prej diplomatëve të nënqeshin, se më mirë do të ishte që të dëgjohej Shoqëria Civile se Basha dhe opozita.
Nuk është hera e parë që ambasadorja e BE kërkon t’i imponohet diplomatëve të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian. Vetëm 48 orë pasi nisi protesta e pandalshme e opozitës më 18 shkurt, Vlahutin mbajti një qëndrim të ngjashëm. Ajo kërkoi nga diplomatët e vendeve të BE që asnjë prej tyre të mos vizitojë çadrën e protestës së opozitës. Në fakt, vetëm pak orë pasi ishte bërë një kërkesë e tillë nga Vlahutin, çadrën e protestës së PD e vizitoi ambasadori italian Cutilo.
Ambasada e Italisë reagoi pas vizitës që ambasadori italian Alberto Cutilo bëri në çadrën e protestuesve të opozitës. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ambasada e Italisë sqaroi se ambasadori Cutilo u informua mbi zhvillimin e protestës dhe u rekomandoi drejtuesve të Partisë Demokratike që protesta të vazhdojë të jetë paqësore.
Bashkëbiseduesit e ambasadorit italian shtuan se Cutilo e kishte konsideruar si një kauzë të drejtë kauzën e zgjedhjeve të lira. Ndërkohë mesazhe nga çadra e protestës qytetare kanë shprehur një numër i konsiderueshëm i personaliteteve të politikës ndërkombëtare. Senatori italian Mauro ishte një prej tyre që garantoi mbështetje të plotë për këtë protestë dhe në një postim në Twitter kishte edhe një mesazh për Mogerinin, duke i kujtuar se nuk është opozita që ka bojkotuar zgjedhjet, por qeveria ka bojkotuar standardet e demokracisë.
Lëvizja popullore për zgjedhje të lira nga dita në ditë po gjen një mbështetje gjithnjë dhe më të madhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa Vlahutin për interesa tërësisht personale ka zgjedhur që ta nxjerrë zyrën që drejton jashtë rolit që do të duhet të kishte.
Lufta për zgjedhje të lira e shqiptarëve do të jetë e gjatë dhe vendosmëria as nuk do të vihet në dyshim për asnjë moment të vetëm. Kjo betejë nuk do të mund të mbahet kurrë peng i asnjë afere korruptive të politikës. Ajo as nuk do të blihet as nuk do të shitet rrugëve me valixhe diplomatike apo bonuse të tjera të denja për republikat e bananeve, sepse vlera e votës është shumë herë më e madhe se e pallateve dhe vilave në pajë të korrupsionit.
Shqipëria është sot në këmbë dhe beteja për zgjedhje të lira është jetike për këtë vend po aq sa ishte edhe në vitin 1990. Nuk do të ketë asnjë tërheqje.
Kjo është një betejë historike dhe fitorja do t’i përkasë shqiptarëve, ndërsa turpi historik atyre që janë bërë palë me mafien dhe krimin e organizuar.  Mes  nënshtrimit dhe betejës për dinjitet, shqiptarët kanë zgjedhur atë betejë që do të bënin njerëzit e lirë në çdo vend të Europës së Bashkuar.

Arben SHAHINI