Alegri nuk largohet

Polemikat me lojtarët dhe interesi i klubeve më të mëdha europiane për të, kanë bërë që e ardhmja e Masimiliano Alegrit te Juventus të vihet vazhdimisht në diskutim. Por duket se për momentin, trajneri nuk do të largohet nga Juventusi dhe do të vazhdojë të drejtojë bardhezinjtë edhe në sezonin e ardhshëm. Konfirmimi vjen nga administratori i bardhezinjve, Xhuzepe Marota, i cili ka deklaruar para gazetarëve se nuk kishte më asnjë dyshim në këtë aspekt.
“Bashkë me Alegrin në 100%? Mendoj se po, në këtë moment nuk ka asgjë që ta pengojë një gjë të tillë. Alegrin e kemi gjithmonë afër, me të kemi një raport shumë të mirë. Ne jemi të kënaqur me të dhe ai me ne. Ndaj ky problem nuk ekziston”, deklaroi Marota.
“Do të vazhdojmë bashkë që të mundohemi të kurorëzojmë një rezultat të rëndësishëm në këtë sezon të bukur”, shtoi drejtuesi i Juventusit. Gjatë ditëve të fundit, emri i Alegrit kishte qarkulluar si te Arsenali në rast largimi të Venger, ashtu edhe te Barcelona nga ku në fund të sezonit do të largohet Luis Enrike.
Përpara ndeshjes së kthimit, të vlefshme për Ligën e Kampionëve, midis Napolit dhe Real Madrid, Antonio de Laurentis rikthehet të flasë dhe të tregojë dy histori interesante. Presidenti napolitan tregon se ka shumë simpati për trajnerin Masimiliano Alegri dhe se kishte tentuar ta sillte në krye të Napolit. “Isha i dashuruar me të, që nga koha kur ishte në Milano. E kam telefonuar për disa muaj me radhë, që të vinte në pankinën e Napolit, por ai më thoshte që të prisja. Pas kësaj ne vendosëm të marrim Benitez”, tha bosi napolitan.
Më pas, De Laurentis zbulon edhe një kuriozitet interesant me Higuain dhe kërkesën për të shitur Callejon. “Nuk darkoja me Higuain, por i njihja mirë familjarët e tij. I ati ishte një burrë i mrekullueshëm, ndërsa i vëllai më thoshte gjithmonë se Higuain nuk i pëlqen të luajë me Callejon dhe se duhet të blija lojtarë të tjerë. Nuk e kam bërë sepse e dua Callejon, ndaj i kam zgjatur edhe kontratën për 4 vite të tjera”, tregon De Laurentis.