Ajeti lojtari i muajit në Zvicër

Është vetëm 20 vjeç, por aktualisht ai është një nga sulmuesit më të mirë që luan në Zvicër. Me transferimin nga Augsburgu te St Gallen në formë huazimi, Albian Ajeti po përjeton një moment të artë. Me rikthimin në Superligën zvicerane, vëllai i mbrojtësit të kombëtares shqiptare Arlind Ajeti ka shpërthyer përfundimisht dhe me meritë është shpallur nga “Blick” futbollisti më i mirë i muajit shkurt në kampionatin helvet. Me 3 gola të realizuara në 4 ndeshje me St Gallen në muajin e dytë të vitit, 20-vjeçari shqiptar ka mposhtur konkurencën e Elyounoussi të Baselit dhe talentit të Young Boys, Assale. Ajeti ka qenë i preferuari i tifozëve që kanë votuar në sondazhin e “Blick”, duke grumbulluar 10 mijë e 255 vota.
Sulmuesi i talentuar, i cili ka luajtur me të gjithë ekipet e moshave të Zvicrës, por që në të ardhmen pritet të përfaqësojë Shqipërinë në rang kombëtaresh, mori 24% të votave, 1 më shumë se Elyounoussi dhe 3% më tepër se Assale. Përpara ndeshjes ndaj Luzern-it, Ajetit iu dha edhe çeku prej 2 mijë frangash zvicerane që akordon “Blick” për fituesin e çmimit të lojtarit të muajit. Ndoshta edhe në muajin mars ky çmim prestigjioz mund të shkojë, për një tjetër futbollist shqiptar, duke parë ecurinë fantastike të Armando Sadikut me Luganon gjatë kësaj periudhe.