Afron ora e përmbysjes, qeveri teknike me vulën e opozitës

Kreu i opozitës Basha paralajmëroi dje nga Çadra e Lirisë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira është afër fitores dhe mesazhet sapo kanë nisur të vijnë dhe ato do të shtohen gjatë ditëve të ardhshme. “Dua t’u them se lajmet e mira të mbështetjes së kauzës tonë, të kauzës popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sapo ka nisur. Lajme të tjera të mira po vijnë dhe do të shpalosen këtu para jush në ditët që vijojnë dhe e ndjej nga thellësia e shpirtit se, agimi i fitores për të cilën po luftojmë është shumë afër”, tha Basha.
Dy ditë më parë 6 senatorë paralajmëruan përmes një letre që i dërguan Sekretarit të Shtetit, Tillerson, se Shqipëria mund të shkasë në destabilizim në rast se do lejohet ndjekja e agjendës së Sorosit që përmes diplomatëve mbështetin të majtën në Shqipëri.
Basha ka shprehur besimin e plotë për fitoren e kauzës së opozitës edhe pas një takimi të zhvilluar me ambasadorët. Kreu i opozitës është shprehur i kujdesshëm në lidhje me krijimin e qeverisë teknike. Basha ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi që kjo qeveri të lejohet të krijohet pa vulën e opozitës. Ai tha se nuk do të pranohen kandidatë për kryeministra kukull që të jenë nën kontrollin e Ramës në këtë qeveri teknike.
“Edi Rama e di se i ka shkelur të gjitha nenet e kontratës që ka me qytetarët. Ai e di se me zgjedhje të lira e të ndershme shqiptarët do ta ndëshkojnë me gjykim dhe votë popullore. Prej ditës së parë, ka mbizotëruar vendosmëria dhe shpresa për të nesërmen që do të vijë. Sot jemi këtu, sepse Rama ka vendosur të kapë zgjedhjet e ardhshme, por dhe ne kemi vendosur të qëndrojmë deri në vendosjen e një kabineti teknik me mbështetje të gjerë politike. Jo me një kryeministër teknik që cakton ai, se ka filluar të thërrasë njerëz e të emërojë qeveri kukull. Harroje se do pranojmë. Qeveria teknike do të funksionojë vetëm kur të ketë vulën e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të kësaj lëvizjeje popullore”, tha Basha.

Qytetarët i shtohen çadrës së protestës

Pasdite në Sheshin e Lirisë qytetarët u mblodhën për të dëgjuar zërin e personave me aftësi të kufizuar dhe për të diskutuar mbi situatën e tyre ekonomike, sociale, psikologjike.
Anëtarë të shoqatave të të verbërve, të jetimëve dhe paraplegjikëve ngritën zërin për padrejtësinë që iu është bërë gjatë katër viteve të fundit. Ata denoncuan mungesën e mbështetjes financiare dhe sociale, përjashtimin nga shërbime shtetërore dhe heqjen e asistencës për qindra mijëra qytetarë të kësaj kategorie.
Kadri Aliaj, presidenti i nderit të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë tregoi për shkeljen që i bëhet prej vitesh tashmë kësaj kategorie. Aliaj tha se, jetimët sot nuk marrin atë që u takon me ligj, ndërkohë që qeveria ka rritur burokracitë për donacionet, duke ulur ndjeshëm ato për shtresat në nevojë. Aliaj tha se, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe kabineti ‘Rama’ ka vjedhur jetimët përmes taksimit në doganë të mallrave të dërguar për ta, duke shkuar në kundërshtim me ligjin. Aliaj i kërkoi Bashës të aplikojë standardet dhe të respektohen ligjet në fuqi për jetimët, në të kundërt ai do të protestonte në çadër para Kryeministrisë edhe kur Basha të jetë kryeministër.
Ali Muka, jetim, i pa strehë dhe i hequr nga puna, kërkoi nga Basha që të kthejë vëmendjen ndaj të pamundurve, pasi jetesa për ta është e vështirë. Prej 25 vitesh, ai vijon të jetë i pastrehë në Durrës, ndonëse është i pari në listën e të pastrehëve në këtë qytet.
Sajmir Rrahmani, përfaqësues i Shoqatës të së Verbërve tha se, nevojat dhe shërbimet e tyre që i takojnë me ligj u janë ndërprerë në vitin 2014. Rrahmani tha se qeveria në këto katër vjet, i ka shtuar xhepave të të verbërve vetëm 134 lekë, duke shtrirë mjerimin në çdo familje, e cila ka në gjirin e saj një person me aftësi të kufizuar.
Vilson Hoxha, denoncoi ngritjen e organizatave, të cilat flasin në emër të personave me aftësi të kufizuara, duke mos përfaqësuar interesin e tyre real.
Në protestë dhanë mbështetjen edhe disa të rinj të verbër të shkolluar në Universitetin e Tiranës për Degën Shkenca Politike.
Kryetari demokrat Lulzim Basha tha se, janë 40 mijë familjet e penalizuara nga kjo qeveri, të hequra nga ndihma ekonomike, duke i mohuar kështu edhe bukën e gojës.
“Kam takuar përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Njerëz që me sytë e hapur nga habia dhe dëshpërimi tregonin sesi qeveria e Edi Ramës u kishte hequr asistencën dhe ju kishte thënë të kërkonin punë. Kam takuar me dhjetëra e qindra të tillë, të cilët kanë humbur edhe përkrahjen minimale financiare nga shteti. Dhe po Kadri Alia, nëse qeveria që do të zgjidhni me votën tuaj të lirë e të ndershme nuk përmbush premtimet e votës suaj është e drejta juaj legjitime që të mblidheni këtu e jo vetëm këtu, por të futeni brenda e të na rrëzoni”.
Zoti Basha bëri edhe një reflektim lidhur me mandatin e fundit në qeveri të Partisë Demokratike.
“Unë e di se vitet e fundit të qeverisjes, shtresa e personave me aftësi të kufizuara ka patur një numër problemesh dhe mosmarrëveshjesh edhe me qeverisjen e fundit të Partisë Demokratike. Me Kadriun, Sinanin që janë ulur sot këtu, shpeshherë jam munduar të gjej rrugët e zgjidhjes, të cilat do tejkalonin kalkulimet e ftohta, racionale dhe shpeshherë zemërftohta të buxhetit të shtetit për të akomoduar të drejtat e tyre. Nuk ia kemi dalë gjithmonë dhe unë për këtë sot, jo vetëm juve, por çdokujt që ju përfaqësoni në Shqipëri ju kërkoj ndjesë në emër të Partisë Demokratike”.
Basha premtoi se nën qeverisjen e tij, buxheti i shtetit do t’i dedikohet qytetarëve dhe halleve të tyre. Ai i kujtoi premtimin se në përmbylljen e mandatit të tij të parë paga minimale do të jetë 250 mijë lekë dhe pensionet do të rriten në rang vendi me 40%.