A po shkon drejt hekurave republika mafioze e Ramës?

Pak ditë pas fillimit të protestës, kryetari i Partisë Demokratike do të shpallte Republikën e re. Në fjalimin e tij Basha ishte i prerë dhe konçiz kur tha se Republika e re do të presë lidhjet e shtetit me mafien. Madje po aq i qartë ishte lideri i opozitës kur tha se për gjithë përgjegjësit e kësaj gjendjeje të kriminalitetit në Shqipëri do të ketë vetëm një përgjigje, prangat: “I zhytur siç është deri në fyt me aferat korruptive të tij dhe ministrave të tij, i zhytur deri në fyt siç është me lidhjet me krimin e organizuar, me banditët më të njohur të Shqipërisë dhe Ballkanit, me drogën dhe paratë e drogës ai e di fare mirë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme jo vetëm do të largohet nga pushteti, por do të përfundojë para drejtësisë dhe me gjasa prapa hekurave. Kjo është beteja, kjo është lufta. Prandaj ai po bën gjithçka që më 18 qershor të mos ketë më zgjedhje, mos të ketë më mundësi shqiptari të zgjedhë, por të vazhdojë dhe të zgjedhë vetëm Edi Rama dhe 40 hajdutët dhe kriminelët e tij që janë pasuruar në kurriz të një populli të rraskapitur dhe të rrënuar nga qeverisja e tij korruptive dhe kriminale”, tha Basha. Është një nga ato deklarata të forta, të drejtpërdrejta, të cilat minojnë një perandori krimi dhe mafie, e cila ka zënë rrënjë prej tre vjetësh në vend. Një perandori, e cila po bën të largohen shqiptarët, që po shtrydh resurset e këtij vendi dhe ka shtrënguar darën e varfërisë tek çdo shqiptar, përveç një kaste të caktuar njerëzish. Kjo është arsyeja se pse prej 21 ditësh opozita shqiptare ka thirrur shqiptarët të protestojnë. Kjo është arsyeja se pse 18 qershori duhet të jetë një ditë zgjedhjesh pa Edi Ramën dhe shpurën e tij.

Mafia ndërkombëtare

Menjëherë pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet duket se ka pasur një interesim jo të zakontë të grupeve mafioze, sidomos përtej Adriatikut, që kanë të bëjnë kryesisht me pastrimin e parasë dhe trafikun e drogës. Personazhe të jetës së krimit, por edhe krerë të lartë të politikës atje të dyshuar si të lidhur me krimin e organizuar, kishin filluar projektet për pastrimin e parave sidomos në fusha të tilla si energjetika, ndërtimi, riciklimi i mbetjeve etj. Raportimet nga vendi fqinjë, flasin për qindra shqiptarë, të angazhuar në grupet e Ndraghetas së famshme italiane, që mundësojnë nëpërmjet porteve tona kalimin e sasive të mëdha të hashashit, por dhe drogërave të tjera të forta si heroina apo dhe kokaina që zbarkon në brigjet tona. Ngritja e një laboratori të përpunimit të kokainës në Xibrakë, ku anëtarë ishin dhe pinjollë të lartë të ish-nomenklaturës komuniste apo dhe të krerëve të lartë të mazhorancës sot ishte një fakt mjaft domethënës. Kanabizimi i pjesës më të madhe të vendit dhe tonelatat e kapura në Itali, që tregojnë kalimet nga Porti i Durrësit janë një tjetër fakt që tregon se Rama po e përdor pushtetin dhe kufijtë e tij në funksion të mafies ndërkombëtare.

Pastrimi i parave

Në vitin 2015, do të arrestohej në Rumani, Amiran Dzhakashvilli, një miliarder hebre nga Rumania me lidhje të forta me kupolën socialiste. Ai akuzohej për pastrim parash me anë të lojërave të fatit, trafik prostitucioni, droge dhe armësh. Në Shqipëri rezultonte të kish blerë për 1.4 milionë euro biznesin e vëllezërve Frroku. Arben Frroku i akuzuar për vrasjen e një komisari të policisë dhe Mark Frroku aktualisht në burg, por me mandat deputeti të dhënë nga Edi Rama. Por jo vetëm kaq. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se Dzhanashvilli kishte lidhje të ngushta me kryetarin aktual të Bashkisë Erion Veliaj. Bashkëshortja e tij ishte personi kryesor i autorizuar nga Dzhanashvilli për të kryer transaksionet bankare dhe ato financiare në krye të kompanisë së basteve të blera nga ana e trafikantit rumun vëllezërve Frroku. Skandali plasi në vigjilje të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, por kjo nuk e pengoi Ramën ta bënte kryetar bashkie, të përzgjedhurin e tij që vinte nga shoqata “Mjaft”. Më tej ish-kryeministri Sali Berisha do të bënte një denoncim. Sipas tij Dzhakshvilli, kishte qenë një ndër financuesit kryesorë të PS-së, me dy milionë euro gjatë fushatës së vitit 2013 dhe me lidhje të ngushta me Genti Gazhelin, ish-kryefinancierin e PS-së dhe më pas drejtor i Drejtorisë për Luftën kundër Pastrimit të Parave. Kohët e fundit Rama ka emëruar anëtare të bordit të një banke me pronar një shtetas kolumbian, bashkëshorten e tij. Kjo ndodh kur OSBE ka dhënë alarmin se në vend qarkullojnë vetëm nga narkotrafiku rreth 6 miliardë euro, ndërsa kontrolli i shtetit raporton një dëm për shkak të aferave korruptive prej 1.5 miliardë euro.

Kapja e shtetit

Por jo vetëm kaq. Ligji i dekriminalizimit ka nxjerrë fakte tronditëse. Përditë po dalin fakte se si në çdo qelizë të shtetit janë vendosur njerëz me rekorde kriminale. Trafikantë droge, prostitucioni etj., me veprimtari të dyshimtë në vendin fqinj, kanë kapur majat më të larta të shtetit. Kjo dukuri u vu re në vitin 2013, me futjen e tyre së pari në Parlament. Mark Frroku, Arben Noka, Armando Prenga, por dhe të tjerë që janë në proces hetimi dhe rrezikojnë humbjen e mandatit janë vetëm disa nga emrat. Në vitin 2015, vetë Rama u kujdes që t’i vinte në krye të bashkive, sidomos ato bregdetare ku pastrimi i parave dhe trafiku i lëndëve narkotike është më i prekshëm. Më tej, trafikantët do të shtriheshin në çdo qelizë të shtetit. Klement Balili, i njohur si Escobari i Ballkanit, do të mbante zyrën e Transporteve të Sarandës. Persona të tjerë të provuar të lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar të narkotrafikut vazhdojnë të veprojnë në Policinë Kufitare të Durrësit apo Vlorës. Viti 2016-të do të ishte viti ku Shqipëria do të merrte emrin si “kryeqyteti evropian i drogës” apo “republika e hashashit”. Natyrisht në krye të Ministrisë së Brendshme i duhej një i besuar i tij dhe më mirë se ministri aktual nuk mund ta bënte kush tjetër. Në krye të Bashkisë së Tiranës, i duhej njeriu Dzhaksashvillit, dhe ky ishte Erion Veliaj. Tirana do të vazhdojë të mbetet, si qyteti numër një në Shqipëri, ku mafia e plehrave, pastrimi i parave etj., janë dhe me intensive. Në bregdet i duhej Enver Rroshi dhe si kryetar i PS-së atje Gentian Daja dhe ky i akuzuar për trafik narkotikësh. Më tej lista vazhdon, me koncesionet ku persona të dyshimtë vazhdojnë të marrin paratë e taksapaguesve dhe nuk ofrojnë asgjë e kështu me radhë. Pra, duket sikur kemi të bëjmë me një piramidë të tërë krimi të studiuar me kujdes, për ta vënë vendin e shqiponjave në funksion të mafies.

Si po përdoret vettingu për lirimin e bandave dhe banditëve të rrezikshëm

Deklaratat e kreut të opozitës kanë shkaktuar jo pak trazim sidomos tek kupola dirigjuese e gjithë kësaj maskarade mafioze në vend, ku natyrisht në majë të saj qëndron Edi Rama. Klanet e tij mediatike janë vënë në një garë të ethshme, për ta goditur protestën e opozitës me një arsyetim absurd, se po bëhet për të penguar reformën në drejtësi. Dhe rreth kësaj reforme duhen thënë ca të vërteta. I gjithë klani mafioz i rekrutuar nga Rama për të ndërtuar këtë piramidë, është vënë në funksion të një propagande që ka të bëjë me kontrollin e figurës së gjyqtarit. Nën justifikimin e kësaj të ashtuquajture reformë, çdo ditë e më shumë po mësojmë për lirimin nga akuza të bandave që kanë kryer krime monstruoze në vend. Lirimi i Lul Berishës, shfajësimi i Hakmarrjes për Drejtësi dhe procedurat për lirimin e Aldo Bares, përjashtimi nga hetimi i kryetarit të Bashkisë për vdekjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë janë shenjat e para të presionit që po u bëhet gjyqtarëve nën vellon e vettingut të famshëm. Shqipëria, ndoshta mund të jetë rasti unikal në botë, kur për të kontrolluar gjyqtarët thirren në votim njerëz me të kaluar kriminale. A nuk ishte i tillë rasti i Armando Prengës, që u thirr me urgjencë nga Rama për të plotësuar 84 votat që i mungonin? Për vettingun e drejtësisë, i jep të drejtën të flasë dhe Elvis apo Enver Rroshi i Kavajës apo dhe shumë të tjerë të ngatërruara në veprimtari mafioze korrupsioni. Që kur të pandehurit e një vendi, marrin përsipër të vlerësojnë punën e një gjyqtari? Kjo mund të ndodhë vetëm në republikën e Edi Ramës, e cila nuk është asgjë tjetër vetëm se një lloj hibridi ndërmjetës, mes mafies ndërkombëtare, bandave dhe krimit të organizuar vendas. Një lloj hibridi korruptiv që vetëm shtet nuk mund të quhet.