30 vjet shofer ambulance në Fushë-Krujë, “Rilindja” e pushon dhe emëron një militant

“Rilindja” vazhdon spastrimet politike edhe tek punonjësit e thjeshtë. Izet Kamani ka punuar për 30 vjet rresht shofer ambulance në Fushë-Krujë, por “Rilindja” e ka hedhur në rrugë për ta zëvendësuar me një militant socialist. Edhe pse Izeti ka qenë i përkushtuar në punën e tij, papritur i ka ardhur një letër nga drejtori i institucionit, Bashkim Xhafa, i cili e njofton “për ndërprerje të marrëdhënieve juridike dhe financiare të punës”, pa asnjë shkak vetëm pse në vend të tij do të emërohet një militant dhe njeri i afërt i drejtorit.
Dhe për të justifikuar pushimin nga puna “specialistët” e ‘Rilindjes’ nxjerrin lloj-lloj justifikimi. Ja si e justifikon drejtori Bashkim Xhafa pushimin nga puna të shoferit të ambulancës, Izet Kamani.
“Në zbatim të strukturës së miratuar me shkresë të ministrit të Shëndetësisë Nr.637/1 prot, datë 21.02.2017 dhe njoftimin për ndryshimin e marrëdhënieve të punës nr.38 prot datë 24/02/2017, në vijim të takimit të zhvilluar më datë 01.03.2017 bazuar në nenin 144 të Ligjit 7961 datë 12.07.1995 “Kodi i Punës” të ndryshuar ju njoftoj për ndërprerjen e marrëdhënieve juridike dhe financiare të punës dhe njëkohësisht:
* Bazuar në nenin 94/5 të Ligjit 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës” ju takon një pagesë e barabartë me pagën e pushimeve të pamarra të vitit 2016 (28 ditë) dhe të vitit 2017 (12 ditë).
* Bazuar në nenin 143/1 të Ligjit 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës” të ndryshuar, afati i njoftimit do të jetë tre muaj, duke qenë se keni vjetërsi më shumë se 5 (pesë) vjet ndërprerja e marrëdhënieve juridike dhe financiare të punës do të bëhet më datë 11.6.2017 (sipas nenit 143/1 shtyhet deri në fund të javës, duke qenë se marrëdhëniet duhej të shkëputeshin më datë 4.6.2017).
* Bazuar në nenin 143/1 të Ligjit 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës” i ndryshuar gjatë periudhës së njoftimit, përfitoni 20 orë leje të pagueshme në javë për të kërkuar punë të re.
* Bazuar në nenin 145 të Ligjit 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës” i ndryshuar ju takon një shpërblim për vjetërsi sa paga e një 15-ditëshi, për çdo vit pune të plotë, të kryer pranë të njëjtit punëdhënës. Brenda datës 11.06.2017 duhet të bëni dorëzimet e aktiveve (materialeve, dokumentave etj), që keni në ngarkim”, thuhet në shkresën e drejtorit Xhafa.