10 kushtet për t’u bërë trajneri i ri

Luis Enrike do t’i japë lamtumirën Barcelonës në fund të këtij sezoni dhe klubi katalanas ka filluar menjëherë kërkimet për zëvendësuesin e tij. Sipas mediave spanjolle, nuk është e thjeshtë të gjesh një zëvendësues në lartësinë e duhur, pasi klubi ka një “manual” me 10 kërkesa, të cilat ai duhet t’i plotësojë medoemos.
Të njohë ambientin. Pika e parë dhe më thelbësorë është se kërkohet një trajner, i cili njeh si funksionon Barcelona dhe të cilit nuk është nevoja që t’i shpjegohen parimet thelbësore të filozofisë katalanase. Nga kjo pikëpamje, nuk dëshirohet të ndiqet shembulli i gabuar i afrimit të Tata Martinos.
Prirja ndaj akademisë. Ky është parimi bazë i klubit. Punohet shumë vite që nga kategoritë më të ulëta për të nxjerrë talente të aftë për të treguar vlerat te ekipi i parë. Lista e yjeve të dalë nga ‘La Masia’ është e gjatë: Mesi, Pyjol, Iniesta, Pike, Buskets, Çavi, Valdes, Pedro, Guardiola, Alba, Serxhi Roberto… Ky rrugëtim do të vazhdojë pavarësisht atij që do të zgjidhet si trajneri i ri.
Eksperiencë në punë dhe njohje e mirë e La Liga. Trajektorja që ka ndjekur trajneri është shumë e rëndësishme, ndërsa ai duhet të tregojë se në të kaluarën ka pasur sukses në administrimin e grupit. Edhe njohja e kampionatit është shumë e rëndësishme, pasi kërkon vijueshmëri rezultatesh pozitive.
Administrimi i karrierës së Mesi, Iniesta e Suarez. Trajneri i ri duhet të ketë parasysh se duhet të administrojë më mirë minutazhin e këtyre tre lojtarëve sapo ata të kalojën moshën 30-vjeçare. Duhet kujdes, pasi janë të gjithë futbollistë me ego, por duhet shfrytëzuar në çdo mënyrë rendimenti i tyre maksimal pa i mbingarkuar.
Të jetë një njeri i besueshëm i klubit. Trajneri i ri duhet të respektojë vendimmarrjen e klubit edhe kur nuk është dakord me të. Një shembull mund të jetë çështja e gjyqtarëve. Nëse klubi vendos që nuk duhet folur për ta, edhe trajneri duhet të mos e bëjë një gjë të tillë.
Të respektojë stilin dhe filozofinë e lojës. Më shumë se një skemë e thjeshtë 3-4-3 apo 4-3-3, filozofia e Barcelonës është të luajë në sulm. Ky është kusht për të cilin nuk bëhen lëshime. Trajnerët mbrojtës apo që luajnë në kundërsulm, nuk kanë vend apo të ardhme te Barcelona.
Të ruajë profesionistët në staf. Barcelonës nuk i nevojitet një trajner që merr kudo një shpurë të gjerë ndihmësish me vete. Klubi ka të punësuar profesionistë, të cilët kujdesen për aspekte të ndryshme që nga fëmijët e deri te ekipi i parë, ku përfshihen mjekë, përgatitës atletikë apo fizioterapistë të nivelit më të lartë.
Marrëdhënie e mirë me shtypin. Drejtuesit nuk duan që çdo konferencë për shtyp të kthehet në një sherr banal me gazetarët. Ndaj kërkohet që të ruhet marrëdhënia sa më e mirë me të gjithë edhe pse në fakt Luis Enrike nuk e zbatonte gjithmonë këtë rregull.
Të respektojë zërin e “eksperiencës” së klubit. Projekti i ri i viteve të ardhme i Barcelonës quhet “Masia 360”, e cila do të përqendrohet te mbledhja e eksperiencave të personave që kanë krijuar këtë klub ndër vite. Trajneri i ri duhet të respektojë këtë eksperiencë dhe këshillat e saj në të gjitha nivelet.
Barcelona nuk është një klub trampolinë. Trajneri i ri nuk duhet të mendojë për një projekt të ardhshëm pas Barcelonës dhe çdo fokus i tij duhet të jetë ekskluzivisht tek e tashmja. Për sa u përket blerjeve, duket të ketë komunikim të plotë me përgjegjësit e zonës teknike dhe të pranojë vendimet e klubit.