Qeveria braktis të papunët

Të jesh i papunë është e vështirë kudo, por në Shqipëri kjo mund të rezultojë dramatike. Statistikat zyrtare nga Instituti i Statistikave, tregojnë se  aktualisht qeveria mbështet me pagesë papunësie vetëm 4.5 për qind të të papunëve. Edhe pse armata e të papunëve të regjistruar si punëkërkues është 114 mijë vetë, qeveria jep ndihmë nga buxheti vetëm për 5100 prej tyre, ndërsa rreth 110 mijë të papunë nuk përfitojnë asnjë pagesë papunësie. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se mbulimi me ndihmë i të papunëve po vjen në rënie nga viti në vit. Sipas INSTAT, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit pararendës, numri i punëkërkuesve të papunë në skemën e pagesës së papunësisë është ulur me 779 persona. Organizata Botërore e Punës e klasifikon Shqipërinë në 10 vendet e fundit të botës për mbrojtjen e të papunëve. Sipas saj, mbulim më të vogël me ndihmë se sa Shqipëria për personat e papunë e kanë vetëm 9 vende të tjera në të gjithë botën. Ndër to bëjnë pjesë Argjentina, Tunizia, Bosnja, Afganistani dhe disa vende të tjera të botës së tretë. Ndërkohë, në çdo vend tjetër qeveritë ndihmojnë me transferta sociale një përqindje më të lartë të të papunëve. Vendi me mbulimin më të lartë është Austria, ku qeveria mbështet me pagesa direkte nga buxheti rreth 90 për qind të të papunëve. Ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë, renditen Gjermania dhe Malta. Thuajse të gjitha vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian ndihmojnë me pagesa dhe ndihmë sociale të papunët në pjesën dërrmuese. Sipas Organizatës së Punës, në Bashkimin Europian, këto pagesa luajnë rol kyç në parandalimin e varfërisë, ndërsa në vendet ku mbulimi i të papunëve me ndihmë është më i ulët, rreziku që ata të bien në varfëri sipas raportit është i lartë. Përgjithësisht në vendet e varfëra qeveritë ofrojnë ndihmë vetëm për një pjesë të të papunëve, çka sipas raportit lidhet me nivelin e ulët të të ardhurave dhe buxhetet e vogla që kanë këto vende.