Kosova me prefiksin +383, operatorët kursejnë miliona euro

Nga 2 shkurti nis zbatimi i kodit të ri telefonik për Republikën e Kosovës. Prefiksi i ri +383 është prezantuar sot në një konferencë për mediat nga Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa. “Ne sot kemi marrë vendimin për të lëshuar kodin shtetëror, i cili do të përdoret në shërbimet fikse dhe mobile. Prej sot krijohet mundësia që hap pas hapi t’i zëvendësojmë. Të gjitha thirrjet telefonike mund të realizohen me +383”, u shpreh Mustafa.
Sipas tij, implementimi i kodit do të shuajë nga tregu të gjithë operatorët ilegalë. Deri në fund të vitit, kodi me të cilin ka funksionuar aktualisht Kosova, +381, nuk do të funksionojë më. Ndërsa kostot që do të kursejë Telekomi i Kosovës dhe operatorët e tjerë janë të konsiderueshme. Sipas Mustafës, Telekomi i Kosovës ka paguar atë të Monakos 194 milionë euro deri në vitin 2016, për shfrytëzimin e prefiksit +377. Gjatë konferencës është bërë edhe telefonata e parë me kodin e ri, ndërsa u është bërë apel edhe diasporës të shfrytëzojnë sa më parë prefiksin +383.