Italia, Gjermania dhe BE në prag të konfliktit

233

“Mauldin Economics”

Me fillimin e një viti të ri, të gjithë synojnë të vlerësojnë parashikimin kryesor që sjellin kalimin nga viti 2016 në vitin 2017: sistemin bankar italian. Në parashikimin E Ardhmja Gjeopolitike 2016, thuhej se pika qendrore e krizës financiare europiane do të zhvendosej nga Greqia tek sistemi bankar italian. Në vitin 2017, parashikohet evolimi i krizës që mund të sjellë një përballje ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Europian.

Banka kryesore nën vëzhgim
Kriza bankare e Italisë aktualisht rrotullohet përreth fatit të Banca Monte dei Paschi di Siena (MPS). Banka ka kaluar të gjithë vitin 2016 duke u përpjekur të shpëtojë nga kreditë e këqija me vlerë 28 miliardë euro, të cilat përbëjnë plot 36 për qind të të gjithë portofolit të bankës. Kjo është përqindja më e lartë e kredive të këqija të të gjitha bankave italiane.
Rezultati është që investitorët dhe depozituesit filluan të tërheqin paratë e tyre. Kjo e shtoi edhe më shumë krizën financiare të bankës duke krijuar një problem të madh likuiditeti. Në muajin dhjetor, banka MPS tha se 11 miliardë eurot që kishin mbetur si likuiditet i bankës mund të zgjasnin deri në muajin prill. Përpjekjet e bankës për t’i zgjidhur privatisht problemet financiare kanë dështuar, kështu qeveria italiane mbetej alternativa e fundit e shpëtimit. Banka MPS e kaloi tremujorin e katërt të vitit 2016 duke kërkuar 5 miliardë euro kapital. Banka nuk arriti ta respektojë afatin e 22 dhjetorit, pasi mbështetësi më i madh i kësaj marrëveshjeje u tërhoq në momentin e fundit.
Tani që sektori privat dhe institucionet e jashtme financiare hezitojnë të japin ndihmë, banka MPS i ka kërkuar ndihmë qeverisë italiane. Më 23 dhjetor kabineti italian tha se banka do të shpëtohej përmes një fondi prej 20 miliardë eurosh të miratuar nga Parlamenti. Pyetja tjetër e logjikshme është, a do të mjaftojë kjo shumë për ta shpëtuar bankën? Edhe pse sasia e parave mund të jetë e mjaftueshme për të mbuluar nevojat imediate të bankës, shumë ekspertë thonë se janë të pamjaftueshme për ta shpëtuar në periudhën afatgjatë. Goldman Sachs vlerëson se rikapitalizimi i suksesshëm kërkon rreth 38 miliardë euro, ndërsa një analist i lartë i London Capital Group mendon se shuma i afrohet më shumë 52 miliardë eurove.

Pasoja të gjera
Si anëtare e eurozonës, kriza bankare e Italisë nuk është vetëm një problem italian. Pasiguria në tregun italian mund të shkaktojë që investitorët e frikësuar t’i qëndrojnë sa më larg aseteve italiane, duke ndikuar direkt në vlerën e euros. Gjithashtu, nëse banka MPS apo një institucion tjetër i madh financiar falimenton, Italia do të zhytej në krizë financiare që mund të shkaktojë pasoja të mëdha për vendet e BE-së dhe për vlerën e euros.
Italia, në teori duhet të respektojë edhe rregullat e BE-së. Divergjencat ndërmjet nevojave të Italisë dhe nevojave të BE-së e kanë vështirësuar së tepërmi gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët. Italia kërkon të mbrojë taksapaguesit ndërkohë që BE-ja kërkon që të jenë depozitorët, jo Banka Qendrore Europiane, ata që mbajnë barrën e borxhit.
Zgjidhja deri tani ka qenë promovimi i një plani në të cilin Italia duket sikur i respekton rregullat e BE-së, por duke lënë hapësirë për të mbrojtur investitorët e vendit.
Bashkimi Europian duhet të ndjekë një rrugë tepër delikate për të shmangur kolapsin ekonomik, por të tregohet edhe mjaftueshëm e ashpër për të mbrojtur integritetin institucional të bashkimit – të paktën atë çka mbetur prej tij. Referendumi kushtetues i 4 dhjetorit në Itali i ka dhënë qeverisë italiane më shumë mundësi manovrimi. Votuesit italianë i refuzuan reformat e ish-kryeministrit Matteo Renzi dhe rolin e tij si negociator brenda Bashkimit Europian. Kjo reflekton rritjen e dëshirës popullore që Italia të bëjë atë që është më e mira për Italinë, qoftë edhe në kurriz të Bashkimit Europian.

Implikimet politike
Këto probleme ekonomike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e italianëve të shtresës së mesme. Problemet si inflacioni, rritja e ulët ekonomike dhe papunësia ndikojnë direkt në xhepat e tyre. Një paketë shpëtimi prej 4 miliarë eurosh për katër banka më të vogla italiane në vitin 2015 shkaktoi protesta pasi 130 mijë aksionerë dhe zotërues obligacionesh humbën investimet e tyre. Renzi është kritikuar shumë ashpër dhe pakënaqësia popullore po i çon votuesit drejt partive kundër establishmentit.
Paolo Gentiloni, kryeministri i ri i Italisë, ka kërkuar që Bashkimi Europian të mbrojë investitorët italianë për të mos përsëritur përvojën e Renzit. Është vlerësuar se 40 mijë familje italiane kanë mbi 2 miliardë euro në bonot e bankës MPS. Humbja e kursimeve të jetës për 40 mijë familje në Itali mund të gjenerojë pakënaqësi dhe ndjenjë antieuropiane.
Të gjitha palët e kuptojnë se nëse Bashkimi Europian nuk do ta lejojë qeverinë italiane të mbrojë investitorët e vendit, partitë nacionaliste si Lëvizja me Pesë Yje dhe Liga e Veriut do të bëhen më të fuqishme. Të dy partitë kanë premtuar se do të mbajnë një referendum të stilit të Brexit nëse vijnë në pushtet pas zgjedhjeve italiane të vitit 2018. Kjo mund të nxisë edhe presione të mëdha publike që kryeministri i ardhshëm të zgjidhet brenda këtij viti.
Kjo jo vetëm që do të vinte në rrezik mjedisin delikat politik dhe ekonomik në Itali, por edhe atë të të gjithë eurozonës. Edhe pse banka MPS është vetëm një bankë, efektet e falimentimit të saj mund të ishin të thella dhe mund të përhapen në të gjithë rajonin, duke përkeqësuar krizën ekzistuese. Shpëtimi i bankës mund ta lejojë Italinë dhe BE-në të marrë frymë lirisht edhe për pak kohë, por nuk do të zgjidhte përfundimisht shkaqet strukturore që po nxisin problemet e Italisë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI