Zgjerimi i Botërorit, Anglia kundër Gjermanisë

Nëse Gjermania dhe shumë vende të tjera të mëdha kanë dalë kundër propozimit të Xhani Infantinos për të zgjeruar në 48 skuadra Botërorin, duke filluar që nga viti 2026, Anglia dhe vendet britanike janë pro këtij plani. Sipas “The Sun”, Federata angleze ka premtuar mbështetje të plotë nëse çështja do të shkojë për votim në Asamble të Përgjithshme, pasi është dakord që të ndryshojë formula aktuale. Europa, e cila aktualisht përfiton 14 vende në Botërorin me 32 skuadra, pritet të përfitojë vende të tjera, por ato që do të përfitojnë më shumë pritet të jenë Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut dhe Qendrore.
Formula që do të diskutohet në Zyrih javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s, është ajo e 48 skuadrave të ndara në 16 grupe me nga tri ekipe. Dy vendet e para do të kalojnë në raundin tjetër, ku do të fillojë menjëherë faza me eliminim direkt të turneut.
Europa do të përfitojë më pak
Europa është qendra e futbollit të kombëtareve dhe klubeve e kontinenti me vëmendjen më të madhe, spektaklin e garantuar dhe xhiron e milionave që garanton sporti më popullor. Por, pavarësisht idesë për zgjerimin e Botërorit në 40 apo 48 përfaqësuese, kontinenti i vjetër do të duhet të pranojë një përqindje të vogël në formatin e ri të kompeticionit, duke nisur nga viti 2026. Projekti i fushatës së Xhanni Infantinos, që po materializohet në rregull të shkruar me zgjedhjen e zviceranit si president, do të votohet në Këshillin e FIFA-s në Zurich të martën.
Ideja finale është që Botërori i futbollit të ketë 48 finalistë, të ndarë në 16 grupe me nga 3 secili. Në raundin tjetër do të kalojnë nga dy skuadra për çdo grup, e kjo nënkupton se skuadrave kombëtare i garantohen të paktën dy ndeshje në Botëror, ndërsa fituesi do të luajë 7 ndeshje, në një hark kohor që nuk ndryshon. Numri i vendeve të kualifikuara për çdo konfederatë do të vendoset javën e ardhshme në Zurich, por sipas mediave, opsioni më i mirë për UEFA-n do të jetë 16 bileta.