Vrasja e 23-vjeçarit, vrasje shtetërore

Kryetari i PD, Basha ngushëlloi dje familjen e 22-vjeçarit, Estref Halili, nga Kolonja e Lushnjës që u arrestua dhe u çua në vetëvrasje, mbi dyshime për një cigare hashash. Basha tha se kjo është një tjetër vrasje shtetërore që kryehet ndaj njerëzve të pamundur.
“Ishim për ngushëllim në familjen e Estref Halilit. Një familje e këputur, ku dy prindërit kanë rritur fëmijët e tyre me shumë sakrifica, duke mbledhur lulet e malit. Një familje që nuk ka asnjë lidhje me kultivimin e narkotikës. Estrefi është arrestuar, ndërkohë që pastronte makinën e vëllait të vet, gjoja për posedim të një cigareje të dyshuar me marijuanë, që nuk është provuar akoma dhe në kushtet e depresionit të thellë, ka vrarë veten në burgun e Rrogozhinës. Një djalë 22-vjeçar i rritur me sakrificë nga prindërit e tij, i cili arrestohet për një krim të dyshuar, që në fakt konsumohet çdo ditë nga Kryeministri, konsumatori më i njohur i kokainës në vend. E njëjta polici, e cila nuk guxon të ngrejë dorën për Klement Balilin, për trafikantët, i njëjti shtet që liron kriminelë të njohur si Lul Berisha, i merr jetën një 22-vjeçari. Kjo është një vrasje shtetërore. Politikisht, përgjegjësi i kësaj vrasjeje shtetërore është Edi Rama. Unë shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje tragjike të jetës së këtij 22-vjeçari, të Estrefit, jo vetëm familjes, por gjithë komunitetit këtu në Kolonjë të Lushnjës dhe kudo në Lushnjë, dhe u jap fjalën familjarëve të Estrefit, të rinjve lushnjarë se kjo padrejtësi e madhe do të marrë fund. Se shteti që dhunon njerëzit dhe mbron trafikantët dhe politikanët e lidhur me trafikantët, do të marrë fund. Se Partia Demokratike dhe unë, me ndihmën e gjithë qytetarëve tanë do të ndërtojmë një shtet që është në krah të qytetarëve dhe në krah të të rinjve. Një shtet që nuk i shpall luftë të rinjve të pamundur e të papunë të rritur me shumë sakrifica si Estrefi, por që i ndihmon ata të kapërcejnë vështirësitë e jetës, e të ndërtojnë një jetë të sigurtë, një të ardhme të sigurtë për veten dhe fëmijët e tyre. Dhe po kështu, një shtet të ashpër deri në fund për trafikantët, kriminelët e vërtetë dhe për politikanët e papërgjegjshëm mbi të cilët rëndon sot edhe vdekja e Estref Halilit”.