Trashëgimia e dështimit

366

David Greenberg

Largimi i afërt i Barack Obamës nga Shtëpia e Bardhë ka bërë që shumë njerëz të rimendojnë për trashëgiminë që ka lënë pas. Pavarësisht normës mesatare të mbështetjes prej 48 për qind – më e ulëta e pesë presidentëve të fundit amerikanë – Obama duket se është pëlqyer nga shumë. Njëlloj siç nxituan ta quanin gabimisht Bushin si presidentin më të keq të historisë amerikane, ashtu u nxituan edhe të lavdëronin arritjet e Obamës. Të paktën kjo ndodhi përpara rënies së Aleppos.
Që pas shpërthimit të revoltës siriane në vitin 2011, amerikanët e kanë konsideruar masakrën atje si një katastrofë humanitare. Për Obamën, i cili tashmë duhet të bëjë llogaritë me trashëgiminë e tij, vdekjet dhe shkatërrimi që kanë vuajtur sirianët – me 400 mijë të vdekur, humbja e qyteteve të tëra, përdorimi i gazit sarin dhe bombave bashkë me morinë e historive të tjera të patreguara – kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të gjykohet pasiviteti dhe dështimi i plotë i këtij presidenti amerikan nga brezat e ardhshëm.
Ndoshta Obama shpreson se do të përfitojë nga mospërfillja, duke qenë se reputacionet e presidentëve rrallë herë qëllon të njollosen nga faji i mosveprimit. Me shumë pak përjashtime të vogla, mund të themi se biografitë, tekstet e shkollave, nekrologjitë, madje edhe kujtesa publike nuk e fajësojnë shumë mosveprimin e presidentit George W. Bush në Darfur, hezitimin e Bill Clintonin në Ruanda, ngurrimin e George H. W. Bushit në Bosnje, pakujdesinë e Jimmy Carterit në Kamboxhia apo bashkëfajësinë e Richard Nixonit në Bangladesh.
“Kush flet më sot për asgjësimin e armenëve?”, ka thënë Hitleri në vitin 1939, duke parashikuar se amnezia botërore për vrasjet masive të turqve do t’i lejonte ushtritë e tij të vazhdonin të kryenin mizoritë e tyre pa pasur frikë nga gjykimi. Mund të kujtohen pikërisht këto fjalë kur shihet se sa pak vëmendje i japin librat historikë rolit inekzistent të presidentëve përballë mizorive që ndodhin përtej oqeanit.
Teksa presidencës së Obamës i vjen fundi dhe armëpushimi fillon të bëhet efektiv në Siri, duhet theksuar qartë se Washingtoni nuk ka patur asnjë rol në negociata. Tani po bëhet e qartë se humbja e jetëve të panumërta dhe kriza humanitare përfaqëson një nga pasojat e shumta që historianët do të duhet të vlerësojnë kur të ngrenë pyetjen se si Shtetet e Bashkuara, nën lidershipin e Obamës, zgjodhën të trajtonin ose të mos trajtonin, luftën civile në Siri. Edhe pse historianët kanë tendencën të mos fajësojnë presidentët kur ata nuk ngrihen për të frenuar masakrat, ata nuk tregohen aq të butë kur vlerësojnë humbjen e influencës amerikane nëpër botë.
Tani, humbja e kësaj influence është mëse e dukshme në shumë vende të botës. Sulmi brutal i mbështetur nga Rusia gjatë muajit dhjetor e theu rezistencën siriane në qytetin kryesor të Aleppos, duke ngritur pikëpyetje nëse forcat rebele do të arrinin më të ruanin kryengritjen e tyre. Presidenti Bashar al-Assad është duke u mbledhur me krerët e Rusisë, Turqisë dhe Iranit për të vendosur kushtet e rezolutës, por duke përjashtuar nga negociatat Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara. Ndërkohë, Vladimir Putin korr sukes pas suksesi.
Për vite me radhë, Obama ka këmbëngulur se Siria nuk ka rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara, por ky gjykim i tij nuk përfaqëson vetëm një shkëputje nga dekada të tëra mendimi gjeostrategjik, por edhe një bast me rrezikshmëri të lartë. Nëse Obama ka gabuar gjatë gjithë presidencës së tij, keqllogaritë mund të sjellin implikime të mëdha. Nëse Rusia zëvendëson Shtetet e Bashkuara si fuqi dominante në rajon, kjo do të ndikojë negativisht në aksesin e Amerikës ndaj energjisë, në aftësinë për të luftuar terrorizmin dhe në kapacitetin e saj për të garantuar mbijetesën e Izraelit, për të mos përmendur vënien në rrezik të marrëdhënieve me Turqinë, Iranin dhe Arabinë Saudite.
Po aq të rëndësishme janë edhe implikimet e politikës së Obamës në Siri që kanë gjeneruar krizën e emigracionit në Europë. Për dekada me radhë, kontinenti ka luftuar me rezultate të ndryshme për të asimiluar prurjet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, shumica e të cilëve hyjnë në Europë duke ruajtur me këmbëngulje vlera kulturore tepër të kundërta me rajonin. Por vala e re e refugjatëve sirianë e shkaktuar nga dështimi amerikan për të mbajtur nën kontroll luftën civile, ka krijuar tashmë një krizë të paprecedent.
Vendet, që nga Turqia dhe Hungaria, tek Gjermania dhe Franca janë përballur me trazira nga më të ndryshmet. Tensionet kulturore janë rritur duke fuqizuar partitë e ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin dhe do të kontribuonin natyrisht edhe në votën e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Gjatë vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, edhe Donald Trump adresoi frikën popullore ndaj emigracionit në vend. Në të gjithë botën duket se rritja e valës së populizmit është shkaktuar kryesisht nga thellimi i krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta e Sirisë.
Rezultati i tretë i dështimit të Obamës mund të themi se ka kontribuar në ngritjen e Shtetit Islamik, një organizatë terroriste akoma më e egër dhe më e prirur drejt pushtimit se fragmentet e Al-Kaedës nga të cilat ka buruar. Natyrisht nuk ka qenë Obama ai që e ka krijuar Shtetin Islamik, edhe pse Donald Trump e ka akuzuar shpesh për këtë, por administrata e tij ka kontribuar pa dyshim në fuqizimin e organizatës. Edhe pse grupi terrorist ka marrë njëfarë goditjeje dhe tashmë është kthyer në pozicion mbrojtjeje, vazhdon përsëri të orkestrojë sulme vdekjeprurëse nëpër Europë dhe në mënyrë indirekte frymëzon terroristët e ashtuquajtur “ujqër të vetmuar” që të kryejnë sulme në Shtetet e Bashkuara, duke garantuar kështu që terrorizmi të vazhdojë të mbetet një kërcënim i madh për të dy kontinentet gjatë viteve të ardhshme.
Së katërti, dështimi i Obamës për të mbajtur nën kontroll Shtetin Islamik që në fillim e ka detyruar Amerikën të ndryshojë strategjinë e saj në Siri. Duke e spostuar vëmendjen nga Assadi, Obama vendosi ta përqendronte asistencën ushtarake amerikane në luftën kundër islamizmit radikal, duke braktisur kështu betejën e ashpër të opozitës siriane. Mes shumë pasojave të tjera, ky riorientim i politikës amerikane e ka të pamundur të përmbushë zotimin që Obama ka marrë në gusht të vitit 2011 kur deklaroi se Bashar al-Assadi do të largohej nga pushteti.
Së pesti, nuk është vetëm Assadi ai që është fuqizuar nga dështimet e Obamës. Në vitin 2012 Obama deklaroi se nëse Assadi do të përdorte armët kimike kundër vetë popullit të tij, ky do të ishte kapërcim i vijës së kuqe që kërkon ndërhyrjen imediate të ushtrisë amerikane. Një vit më pas, dolën në sipërfaqe prova të qarta që Assadi i kishte përdorur armët kimike, duke lëshuar raketa të mbushura me gaz sarin përreth qytezave të Damaskusit, por i gjendur përballë opinionit skeptik të Kongresit, Obama u tërhoq nga zotimi i tij. Kështu, ai ra dakord me propozimin e Rusisë që Siria të dorëzonte të gjithë arsenalin kimik, por të mos përballej me akuzat e krimeve të luftës.
Obama e ka bërë të qartë se nuk është dakord me konceptin e “kredibilitetit” – ideja se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë zotimet e tyre nëse nuk duan të shkelen në të ardhmen. Megjithatë, tjetërsimi i politikës në shtator të vitit 2013 shkaktoi të dridhura nga Seuli në Jeruzalem dhe mund të ketë inkurajuar më tej kundërshtarët e Amerikës, përfshirë edhe Rusinë, që ta testojnë Obamën edhe më shumë.
Pushtimi i jashtëligjshëm i Krimesë nga ana e Putinit dhe trazirat e vazhdueshme në Ukrainën Lindore ishin gjithashtu tepër shqetësuese, por jo vetëm kaq. Tani ka prova se presidenti rus mund të ketë trazuar qëllimisht hapësirën kibernetike të Shteteve të Bashkuara dhe këto pretendime tregojnë qartë se Obama është shfaqur jashtëzakonisht i dobët përballë një rivali të pushtetshëm, me vetëbesim dhe tërësisht të pandalshëm në betejën për influencë gjeopolitike.
Se si do të ndikojë kjo në reputacionin e Obamës në peridhën afatgjatë është e vështirë të parashikohet. Vëzhguesit munden vetëm të spekulojnë duke pranuar se nuk mund të dinë se cilët elemente të politikës së Obamës do të zgjedhin të theksojnë historianët në të ardhmen dhe cilët do të injorojnë, cilët do të vlerësojnë dhe cilët do të kritikojnë.
Fatkeqësisht, ka gjasa që Obama të mos gjykohet shumë ashpër për paaftësinë e tij në sagën e luftës së Sirisë. Pavarësisht pasojave, mosveprimi përballë gjenocidit, vrasjeve masive apo katastrofave humanitare nuk i kanë dëmtuar shumë presidentët në historinë që kanë lënë pas. Është e vërtetë se pas shpërthimit të Holokaustit amerikanët janë bërë më të ndërgjegjshëm ndaj vuajtjeve të popujve të huaj dhe për përgjegjësinë që kanë, si qytetarë të vendit më të pushtetshëm të botës, që të përpiqen të bëjnë diçka.
Nëse e gjykojmë të shkuarën nga ky këndvështrim, edhe presidenti i madh Franklin D. Roosevelt mori një goditje të vogël, kur historianët filluan të mësonin se ai kishte hezituar për pak që të ndihmonte refugjatët çifutë në Europë, të bombardonte linjën hekurudhore të Aushvicit, si dhe të frenonte makinerinë vrasëse të Hitlerit. Kohët e fundit historinët dhe gazetarët si Samantha Power, Ben Kiernan dhe Gary J. Bass e kanë kthyer vëmendjen e tyre tek gjenocidet e tjera dhe vrasjet masive. Aktivistët e të drejtave të njeriut po argumentojnë më agresivisht se vendi më i pushtetshëm i botës e ka për detyrë të tentojë parandalimin e këtyre mizorive.
Megjithatë, ndërgjegjësimi popullor pësoi një rënie drastike gjatë viteve 1990 dhe duke qenë se ndërhyrjet ushtarake të Amerikës kanë dalë nga moda që pas luftës së Irakut, ky ndërgjegjësim është zbehur akoma më shumë. Obama mund të ketë gjetur një lloj ngushëllimi tek fakti se reputacioni i presidentëve zakonisht nuk vuan nga kritikat kundër mosveprimit përballë vrasjeve masive në vende të ndryshme të botës.
Megjithatë, reputacioni i presidentit do të vuajë pa dyshim nga dëmtimi që i është bërë pushtetit dhe prestigjit amerikan. Edhe pse Harry Truman fiton pikët më të larta për trajtimin e kërcënimit komunist në Europë, pasi ai dhe Partia Demokratike u ndoqën për vite me radha nga pyetja “Kush e humbi Kinën?”, pas fitorës së Mao ce Dunit në luftën civile të vitit 1949.
Nga ana tjetër, Obama e di mirë se presidentët vuajnë edhe pasojat e luftërave që shkojnë keq. Lyndon Johnson duhet të ishte mbajtur mend si presidenti më i madh i Shteteve të Bashkuara, por këmbëngulja e tij për të vazhduar luftën e Vietnamit, edhe pse e dinte se nuk mund të fitohej, është gabimi që i mohoi madhështinë në faqet e historisë. Po kështu, edhe pushimi i Irakut nga George W. Bush, me të gjitha pasojat shkatërrimtare që solli, do të mbetet për shumë kohë epiqendra e presidencës së tij, duke lënë kështu në hije kundërpërgjigjen e tij tepër efektive kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit.
Në fakt, Obama u ngjit në pushtet pas aventurave të Bushit dhe qëllimi i tij primar ishte të evitonte gjakderdhjet e mëtejshme. I inkurajuar së tepërmi nga mbështetësit e tij të mbrojtjes, Obama lejoi që frika e shkeljes së opinionit antiluftë të diktonte rrugën e tij. Trashëgimia e luftës së Sirisë nuk do të jetë i vetmi faktor që do të ndikojë në mënyrën se si do të portretizohet Obama në librat e historisë. Edhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftërave në Irak dhe Afganistan, marrëveshja bërthamore akoma shumë e debatuar me Iranin, hapja me Kubën, dobësimi i Al-Kaedës, si dhe përpjekjet për të rihapur bisedimet e paqes me Izraelin dhe Palestinën, janë të gjitha të dhëna të punëve të nisura dhe të lëna në gjysmë ose të përfunduara me rezultate të debatueshme. Ndoshta ndërtimi i aleancave me vendet aziatike, pavarësisht rrëzimit të Partneritetit Trans Paqësor, do të rezultojë të jetë njëfarë suksesi për Obamën. Tani për tani, është vështirë t’i shpëtosh konkluzionit se, në përpjekje për të kundërpeshuar politikën e jashtme agresive të Bushit, Obama arriti vetëm të shmangë të gjitha përballjet dhe gjatë procesit nuk ka arritur as ta forcojë vendin e tij dhe as të garantojë sigurinë e qytetarëve të tij, e jo më atë të qytetarëve të vendeve të tjera.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI