Të sëmurët bllokohen nga bora në -10 gradë

Dhjetëra të sëmurë dhe qytetarë kanë mbetur të bllokuar brenda makinave të tyre në aksin Peshkopi-Tiranë për shkak të reshjeve të shumta të borës që kanë arritur deri në 1 metër. Qytetarët u bëjnë thirrje për ndihmë autoriteteve shtetërore, pasi kanë mbetur në mes të rrugës për shkak të bllokimit. Ata thonë se po qëndrojnë brenda automjeteve, por temperaturat janë shumë të ulëta, duke kapur shifrën e -10 gradë celsius.
Sipas burimeve, dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara tek “Ura e Topojanit” në Maqellarë prej mëngjesit të djeshëm. Të mbetur në mes të rrugës dhe të ftohtit, drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndihmë. “Po na mbarohet karburanti”, thonë ata. Autoritet bënë të ditur se janë bllokuar 6 automjete me pasagjerë, por sipas banorëve të zonës, nuk bëhet fjalë për 6 makina, por ata thonë se janë dhjetëra makina të bllokuara.
Borëpastrueset kanë qenë për pastrimin e rrugës nga dëborë, por era e fortë e shpërndan atë, duke mbuluar sërish rrugën. Aksi rrugor Peshkopi-Tiranë është i bllokuar në të dy kahet, e si pasojë në Maqellarë, automjetet qëndrojnë në rrugë prej disa orësh. Segmenti rrugor është bllokuar tek Ura e Topojanit. Mësohet se në rrugë janë bllokuar edhe persona të sëmurë.
Një ambulancë ka mbetur e bllokuar në zonën e Maqellarës për shkak se reshjet e dendura të borës e bëjnë të pakalueshme rrugën nacionale drejt Tiranës. Bëhet e ditur se, ambulanca po transporton një të sëmurë nga Spitali i Peshkopisë drejt Tiranës.
Ndërkohë temperaturat në këtë zonë arrijnë në -10 gradë celsius, dhe era e fortë po pengon zhbllokimin e rrugës. Në rrugën nacionale dëbora arrin në mbi 1 metër. Moti i keq, me reshje të dendura dëbore dhe ngrica ka “paralizuar” zonat malore në vend.
Situata në Qarkun e Dibrës është problematike për shkak të reshjeve të shumta të borës dhe ngricave. Në qytet trashësia kalon 35 cm, në zona të thella mbi 80 cm. Ka patur vështirësi në qarkullim dhe herë-herë segmente të caktuara kanë qenë të bllokuara. Sipas policisë, në aksin rrugor Maqellarë-Bulqizë në vendin e quajtur “Maranicë”, një borë-pastruese, duke pastruar rrugën, ka rrëshqitur dhe ka rënë në një kanal, duke bërë kështu bllokimin e këtij aksi rrugor. Pas ndërhyrjes me ndihmën e fadromave dhe të një borëpastrueseje tjetër, u bë e mundur që pas disa orë pune, të zhbllokohej ky aks rrugor. Lëvizja në këtë aks tashmë vijon me zinxhirë.
Në vendin e bllokimit do të qëndrojnë punonjësit e policisë si dhe borë-pastruesja, pasi si pasojë e erës së fortë grumbullohet dëborë, duke bërë bllokimin e këtij segmenti.
Gjatë kohës që ishte i bllokuar aksi rrugor, një autoambulancë nga Njësia Administrative Maqellarë, po transportonte një grua shtatzënë që ishte për lindje drejt Tiranës, por për shkak të rrugës së bllokuar në vendin e quajtur “Maranicë”, autoambulanca është kthyer prapa dhe me ndihmën e policisë ka kaluar nëpërmjet vendkalimit kufitar Bllatë-Dibër e Madhe-Qafë Thanë – Tiranë.
Po gjatë orëve të pasdites, Shërbimet e Policisë i kanë ardhur në ndihmë një tjetër familjeje, ku një grua shtatzënë për lindje, e kanë transportuar drejt Spitalit të Peshkopisë me automjetin e Policisë Kufitare Bllatë, pa asnjë problem.
Si pasojë e kushteve të motit në Qarkun e Dibrës deri në këto momente kemi këtë situatë:
Në Dibër, Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Luzni si pasojë e rreshjeve të dëborës të rëna gjatë natës dhe erërave të fuqishme, akset rrugore që lidhin këto njësi vazhdojnë të jenë të bllokuara. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e rrugëve. Në Njësitë Administrative Kala e Dodës, Sllovë, Arras, Muhurr, Tomin, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.
Në Bulqizë, Njësitë Administrative Trebisht, Ostren, Tërnovë, për shkak të reshjeve të dëborës dhe erërave të fuqishme, vazhdojnë të jenë të bllokuara. Po punohet për zhbllokimin e tyre. Në Njësitë Administrative Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Fushë-Bulqizë, Martanesh, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.
Në Mat, Njësia Administrative Xibër, për shkak të reshjeve të dëborës, është e bllokuar dhe po punohet për hapjen e saj. Akset e tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërsa aksi kryesor nacional Peshkopi-Bulqizë-Mat është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Shërbimet e Policisë janë të gjitha në gatishmëri, ku po monitorojnë lëvizjen e automjeteve, duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe familjeve që kanë nevojë për ndihmë.

Gjysma e vendit e izoluar dhe pa drita, PD thirrje Ramës të zgjohet

Partia Demokratike paraqiti dje para mediave një raport të detajuar për të gjitha zonat e izoluara, pa ujë, pa drita dhe shërbim shëndetësor, mbështetur në raportimet e strukturave të saj në zonat më të goditura nga moti i keq. Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, akuzoi qeverinë Rama se po bën propagandë dhe jo punë. “Strukturat e Partisë Demokratike kanë sjellë informacion për njësitë dhe zonat më të goditura nga moti i keq. Edhe pse pritej një mot i tillë, qeveria është e papërgatitur dhe mungon ndërhyrja e saj. Eshtë tronditëse ajo që u pranua edhe dje në Shtabin Qendror të Emergjencave, nga drejtori Premçi, se ka mungesë kripe për të zhbllokuar rrugët e zëna nga dëbora dhe akulli”, u shpreh Spaho.
Spaho tha se, kjo tregon papërgjegjshmëri dhe abuzim ekstrem. “Më kontretisht, informojmë si vijon për qytetet dhe fshatrat më të goditura; Puka është një ndër bashkitë më të goditura. Rruga nacionale është pothuaj e pakalueshme për shkak të ndërhyrjes me vonesë. Sot asnjë makinë nuk ka lëvizur drejt Shkodrës për shkak të pasigurisë. Të gjitha njësitë administrative si Rrapë, Qelëz, Luf-Qerret dhe Gjegjan janë të bllokuara totalisht dhe prej 48 orësh janë pa energji elektrike. Njësia e Gjegjanit vuan edhe mungesën totale të ujit të pijshëm. Shtabi i Emergjencës nuk është mbledhur akoma”, deklaroi Spaho.
Has
Të dhënat tona tregojnë se prej dje, i gjithë rrethi është izoluar, të gjitha rrugët janë të bllokuara, dhe nga dje nuk ka drita, as ujë të pishëm. Nuk ka asnjë ndërhyrje qeveritare për ndihma, apo për të hapur rrugët. Banorët e rrethit të Hasit e kanë të pamundur të marrin ndihmë shëndetësore. Trashësia e dëborës shkon nga 50 centimetra, deri në 1 metër në shumë zona.
Malësi e Madhe
E bllokuar, në veçanti Njësia Administrative e Kelmendit. Fshatrat e Vermoshit dhe Vuklës janë të izoluara. Rruga nacionale që lidh qytetin kalohet me vështirësi dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për pastrimin e saj. Prej 3 ditësh në zonat administrative të Shkrelit, Kelmend, Kastrat nuk ka drita dhe rrugët nuk janë pastruar, dhe sot janë tërësisht të izoluara. Aktualisht, gjysma e bashkisë ka mungesë të energjisë elektrike.
Kukës
Mbi 24 orë i gjithë territori i Kukësit është pa energji elektrike. E bllokuar Njësa Administrative e Bushtricës, në  Kalis, Grykë -Caje Ujmisht dhe nuk ka ndërhyrje në rrugen nacionale Kukës- Dibër. E bllokuar rruga Kukës-Fushë-Arrëz, e për pasojë janë të izoluara fshatrat e Njësisë Malzi. Të bllokuara janë edhe njësitë; Shishtavec, Topojan, Zapod. Të kalueshme me vështirësi janë rruga e “Kombit”, rruga Kukës-Bicaj, dhe fshatrat e kësaj njësie janë të izoluara dhe pa drita. Spitali Rajonal i Kukësit është pa drita.
Dibër
Të bllokuara nga dëbora janë të 7 njësitë administrative. Ka mungesa të pastrueseve të dëborës dhe nuk ka kripë për rrugët. Nga dje, nuk ka drita në zonat Lurë, Kala e Dodës, Fushëcimë, Selishtë. Mungesë totale të furnizimit me ujë në 18 fshatra. Problematike mbetet furnizimi me ilaçe dhe ushqime për zonat e bllokuara nga dëbora.
Mirditë
Kaçinari, Selita, Fani dhe Oroshi janë pa drita, prej ditës së djeshme dhe me rrugë të brendshme të bllokuara. Asnjë ndërhyrje qeveritare deri tani në këto zona.
Bulqizë
Të bllokuara nga dëbora akset e njësive administrative që lidhen me qytetin e Bulqizës. Konkretisht; Trebishtë -5 fshatra; Ostren -12 fshatra; Krastë -5 fshatra; Zerçan -5 fshatra; Shupenzë -4 fshatra. Ka mungesë të borëpastrueseve dhe të furnizimit me kripë. Janë pa drita zonat e Ostrenit, Zerçanit, Trebishtës.
Tropojë
Eshtë e bllokuar Njësia Bytyç, ku 2 mijë banorë janë të izoluar dhe prej dy ditësh pa drita. Njësia Bujan, 3 fshatra të bllokuara dhe pa drita. Në Fierzë, disa fshatra të izoluar dhe pa energji elektrike. Në Tropojë fshat, 7 fshatra të bllokuara dhe pa drita. Njësia Margegaj është pa energji elektrike. Zona e Gashit është në errësirë prej 2 ditësh. Në Lekbibaj janë izoluar 6 fshatra dhe janë pa drita. Dëbora në Tropojë shkon nga 50 në 100 centimetra.
Shkodër
Janë bllokuar segmentet: Qafë Thore-Theth, duke izoluar tërësisht Njësinë Shalë. Eshtë bllokuar segmenti Kir-Mali Shoshit-Ndreaj. Në Njësinë “Rrethina”, gjysma e zonës është pa drita, nga dje. Në 5 fshatra të  “Bërdicës” nuk ka energji elektrike nga dita e djeshme. Në Dajç nuk ka drita prej dy ditësh. Në Shosh dhe në Shalë disa fshatra janë pa drita.
Korçë
Të bllokuara rrugët: Korçë-Lekas, Korçë-Dardhë, Korçë-Vithkuq. Me probleme të mëdha rruga Korçë-Liqenas. Të bllokuara dhe pa energji elektrike pjesa më e madhe e fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq, Lekas, Vokopojë.
Lezhë
Eshtë izoluar zona e Kashnjetit, dhe pothuajse të gjitha fshatrat e rrethit janë pa drita.
Mat
Pa drita zonat e Xibrit dhe Gurrës, prej ditës së djeshme. Rruga Klos-Dibër nuk është hapur ende për mjetet.
Kurbin
Pa drita prej 24 orësh, gjysma e qytetit dhe të gjithë fshatrat. Ndërkohë janë krejt të izoluara fshatrat Vinjollë, Gorrnec, Livadhëz, Daul, Selitë, Shemri, Vilëz.
Krujë
Në Njësinë Çudhi; të bllokura fshatrat Shkretë, Mafsheq, Çudhi Kamp, Bruz-Mal, Rranzë. Pa energji elektrike fshatrat; Rranzë Bruz-Zallë Bruz-Mal.
Librazhd
Njësia Sterblevë e izoluar.
“Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit të zgjohet, të lërë propagandën. Njerëzve nuk i vihet në ndihmë me llafe, por me prani në terren, me hapje rrugësh, me furnizime me ushqime, ujë e medikamente, dhe energji elektrike. Partia Demokratike po monitoron në vijimësi situatën dhe do të komunikojë me publikun çdo rast që do të shërbejë për t’iu gjendur pranë qytetarëve”, deklaroi Spaho.

R.POLISI