Sfidat më të mëdha të presidentit Trump

Justin FISHEL

Më 20 janar, Donald Trump do të jetë zyrtarisht presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara dhe do të nisë qeverisjen e vendit, si dhe formimin e vizionit të tij të politikës së jashtme, së bashku me sekretarin e tij të Shtetit. Rex Tillerson do të jetë ai që do të mbajë timonin e politikës së jashtme dhe sfidave të mëdha me të cilat do të përballet Amerika gjatë viteve të ardhshme. Edhe pse nuk ka eksperiencë formale diplomatike, sekretari i ri i Shtetit ka krijuar një marrëdhënie profesionale me presidentin rus, Vladimir Putin që në vitet 1990. Megjithatë, marrëdhënia ruso-amerikane do të jetë vetëm një prej këtyre sfidave në arenën ndërkombëtare që Trump dhe Tillerson do të duhet të zgjidhin së bashku.

Shteti Islamik
Presidentët thonë shpesh se nuk kanë asnjë përgjegjësi më të madhe se sa siguria e popullit amerikan. Për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara mposhtja e Shtetit Islamik dhe eliminimi i rrezikut direkt që organizata terroriste përbën për popullin amerikan do të jetë prioriteti kryesor. Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim global, duke këshilluar të gjithë amerikanët që udhëtojnë nëpër botë që të tregohen ekstremisht të kujdesshëm ndaj sulmeve potenciale terroriste.
“Gjatë vitit të fundit, ka pasur sulme terroriste në vendet si Belgjika, Franca, Gjermania, Turqia, Egjipti, Arabia Saudite, Somalia, Nigeria, Siria, Iraku, Indonezia, Pakistani, Afganistani dhe Bangladeshi ndër të tjera”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. “Autoritetet mendojnë se ka një rrezik të vazhdueshëm të lëshimit të sulmeve të tjera terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, vendeve perëndimore dhe partnerët e tyre në të gjithë botën, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Europë dhe Azi”.
Administrata e re do të gjendet përballë një presioni të jashtëzakonshëm për të bërë atë që administrata Obama ka dështuar në mënyrën më spektakolare dhe të rimarrë në dorë kontrollin e vendeve të zaptuara nga Shteti Islamik në Mosul të Irakut dhe Raqqa të Sirisë, madje mund të përballet edhe me ndryshime të taktikës së armiqve, kryengritje dhe luftëra të hapura që mund ta detyrojnë Shtëpinë e Bardhë të marrë vendime të vështira në kuadër të angazhimit të forcave amerikane ushtarake në terren.
Presidenti Trump do të duhet gjithashtu të udhëzojë institucionet e qëndrueshme qeveritare për të mbushur boshllëkun e lënë nga ISIS dhe të sigurohet që të arrihet një zgjidhje e suksesshme politike për luftën civile 5-vjeçare të Sirisë, një zgjidhje që do të ishte ideale sikur të mos përfshinte qëndrimin në pushtet të presidentit Bashar al-Assad. Si lufta në Siri, ashtu edhe brutaliteti i Shtetit Islamik kanë shkaktuar një krizë shkatërrimtare refugjatësh në Europë, por Amnesty International vlerëson se konflikti në Siri ka detyruar largimin e 4,5 milion refugjatëve nga Siria, të cilët tashmë jetojnë në Turqi, Lebanon, Jordani, Irak dhe Egjipt.
Trump nuk ka paraqitur ende një strategji të qartë për të mundur Shtetin Islamik, por ka thënë se do të luftojë agresivisht kundër organizatës terroriste. Për sa i përket krizës së refugjatëve, ai e ka refuzuar thirrjen e ish-kandidates demokrate për president, Hillary Clinton për të rritur numrin e refugjatëve sirianë që do të pranohen në Shtetet e Bashkuara.

Rusia
Marrëdhënia ruso-amerikane mund të themi se ka arritur pikën më të ulët që pas Luftës së Ftohtë. Departamenti i Sigurisë së Atdheut dhe Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare pretendojnë se zyrtarët e lartë të qeverisë ruse kanë urdhëruar një sulm kibernetik për të trazuar procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. Sulmi kibernetik i Rusisë kundër Komitetit Kombëtar Demokrat tregon ekzistencën e një rreziku për komponentët kritikë të qeverisë amerikane, infrastrukturës, teknologjisë së mbrojtjes dhe të gjithë sektorëve të tjerë që varen nga teknologjia kibernetike. Presidenti Trump do të përballet kështu me zgjerimin e madh të fushës së betejës në hapësirën kibernetike dhe do të duhet të ndërtojë strategji dhe mbrojtje më të mirë krahasuar me atë të administratës Obama.
Rusia ka vendosur gjithashtu të angazhohet ushtarakisht brenda në Siri dhe të bëhet aleate e qeverisë siriane, duke i shpallur kështu luftë forcave rebele të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Rusinë për dështimin e vazhdueshëm të armëpushimit, si dhe për sagën shkatërrimtare të Aleppos, edhe pse nga ana e tyre nuk kanë qenë të aftë të bëjnë asgjë për ta përmirësuar situatën. Më pas, lufta e Putinit në Ukrainë dhe aneksi i jashtëligjshëm i Krimesë përhapi frikën se ai mund të jetë duke rimarrë në dorë kontrollin e kufijve të epokës sovjetike dhe se mund ta fusë aleancën e NATO-s në një konflikt të afërt ushtarak.

Koreja e Veriut
Gjatë muajit shtator, Koreja e Veriut zhvilloi testimin e saj më të fundit bërthamor duke shpërthyer një bombë që analistët thonë se mund të jetë ekuivalenti i 10 kilotonë TNT. Ky ishte testimi i dytë bërthamor i vendit diktatorial këtë vit dhe i pesti që vitin 2006. Shtetet e Bashkuara tashmë janë më të shqetësuar se kurrë se Koreja e Veriut mund të jetë afër krijimit të një arme bërthamore në miniaturë që mund të vendoset brenda një rakete me rreze të gjatë, një lëvizje që mund të destabilizojë rajonin dhe botën.
Administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara nuk ka arritur të negociojë një marrëveshje për çështjen bërthamore. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk kanë pothuajse asnjë marrëdhënie diplomatike ndërmjet tyre dhe Kina konsiderohet si e vetmja fuqi globale që mund të ketë mundësi manovrimi me regjimin diktatorial. Duke qenë se tre nga pesë testimet bërthamore të Koresë së Veriut janë zhvilluar gjatë regjimit të Kim Jong Unit, është e qartë se diktatori nuk është duke u lëkundur nga sanksionet ekonomike të imponuara nga vendet perëndimore.
Edhe pse Ministria e Jashtme kineze e ka kritikuar ashpër testimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe ka bërë thirrje për dialog ndërkombëtar, qëndron përsëri rreziku që tensionet e kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës lidhur me Detin e Kinës së Jugut mund ta dobësojnë vullnetin e Pekinit për të kërkuar një qasje më agresive kundër regjimit koreanoverior. Në kundërpërgjigje të testimeve të fundit bërthamore të Koresë së Veriut, zëdhënësja e Trumpit, Kellyanne Conway, ka thënë se me presidentin e ri, koreanoveriorët do ta kuptojnë se Amerika nuk tallet.

Ndryshimi i klimës
Një raport i publikuar në muajin nëntor nga Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara thotë se vitet 2011-2015 kanë qenë periudha 5-vjeçare më e nxehtë dhe se kishte shenja të qarta se klima është ndikuar nga dora e njeriut. Një vit më parë, pothuajse 200 vende firmosën një pakt global për të luftuar ndryshimin e klimës duke rënë dakord në përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta për të parandaluar rritjen e mëtejshme të temperaturave me më shumë se 2,2 gradë celsius në vit.
Por sfidat me të cilat do të përballen vendet e ndryshme gjatë procesit të përmbushjes së standardeve janë të mëdha, duke filluar që me Shtetet e Bashkuara. Gjykata e Lartë amerikane e ka frenuar planin e Obamës për të reduktuar aktivitetin e fabrikave të qymyrgurit në favor të “Planit të Energjisë së Pastër”. Vonesa mund të zgjasë për vite e vite me radhë për shkak se kanë hyrë në lojë padi të shteteve të ndryshme kundër planit të Obamës.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me vende të tjera të zhvilluara do të duhet të financonin sistemin e emetimit të karbonit në nivel të ulët në vende që kanë filluar të ankohen se financat nuk janë duke ecur ashtu siç ishte premtuar. Zbatimi i marrëveshjes së klimës së Parisit do të kërkojë një betejë të fortë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Gjatë muajit maj të vitit të kaluar, Donald Trump ka thënë se mund ta “anulonte” pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit. “Çdo rregull që është i vjetëruar, i panevojshëm, i keq për punonjësit apo që bie në kundërshtim me interesat e kombit do të anulohet”, tha Donald Trump. “Ne do ta arrijmë këtë duke marrë në konsideratën e duhur edhe mirëqenien mjedisore dhe shqetësimet klimaterike”.

Turqia
Afërsia e madhe e Turqisë me konfiktin në Siri, zotërimi i një baze ushtarake të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, reagimi ndaj grushtit të shtetit të dështuar dhe mbështetja e Shteteve të Bashuara për luftëtarët kurdë në Siri dhe Irak janë vetë disa prej faktorëve që kanë kontribuar në tensionimin e marrëdhënieve ndërmjet Washingtonit dhe Ankarasë gjatë qeverisjes së administratës Obama.
Turqia, një aleate e NATO-s e akuzon Amerikën se është duke strehuar edhe një individ që liderët turq thonë se është ekuivalenti i Osama bin Ladenit për Turqinë. Kjo është mënyra se si ministri turk i Drejtësisë përshkroi klerikun Fethullah Gulen, i cili jeton në Pensilvani, që autoritetet turke e fajësojnë për grushtin e shtetit të dështuar që duhet të rrëzonte qeverinë e Erdoganit. Turqia këmbëngul që Gulen të ekstradohet nga Shtetet e Bashkuara, por Departamenti i Drejtësisë ka refuzuar për shkak se nuk janë ofruar prova të krimeve të tij.
Lëvizja guleniste etiketohet si organizatë terroriste në Turqi dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar ekstradimin e liderit të saj. Nga ana e saj, Amerika ka nevojë për bashkëpunimin e Turqisë për kontrollin kufitar, si dhe për forcat e armatosura turke dhe bazën e tyre ushtarake për të mbajtur nën kontroll Shtetin Islamik. Një ftohje diplomatike me Turqinë mund ta dëmtojë së tepërmi luftën kundër terrorizmit, edhe pse si Turqia, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk duan që diçka e tillë të ndodhë.
Në një intervistë të dhënë gjatë fushatës për “New York Times”, Trump ka përgëzuar presidentin Erdogan dhe popullin turk për qëndresën e tyre ndaj grushtit të shtetit. Ai tha gjithashtu se mendon që Turqia mund të bëjë shumë për luftën kundër Shtetit Islamik dhe se shpresonte se dy vendet do të kishin një bashkëpunim mjaft të mirë. Kur e pyetën se çfarë mendonte për akuzat se Erdogani ka burgosur dhjetëra mijëra njerëz në Turqi, Trump tha: “Mendoj se është e vështirë të angazhohesh me problemet e vendeve të tjera kur nuk dimë se çfarë po bëjmë brenda vendit tonë”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI