Robotët, a mund të zëvendësojnë mjekët?

311

Edhe pse makineritë inteligjente janë duke kryer prej kohësh operacione komplekse në prodhim dhe po zëvendësojnë njerëzit nëpër fabrika, nuk kanë arritur ende të kenë arritje aq të larta në kujdesin shëndetësor. Makinat më të acancuara të këtij sektori, që nga instrumentet e teknologjisë së lartë të imazherisë e deri tek robotët kirurgë, janë tërësisht të kontrolluara nga njerëzit dhe kjo duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë në periudhën afatgjatë.
Por teksa robotika dhe inteligjenca artificiale bëhen më të avancuara, a do të arrijnë një ditë që të zëvendësojnë dorën e mjekëve dhe infermierëve dhe njerëzit të konsultohen me një kompjuter? Përgjigjja është e thjeshtë: jo së shpejti. Profesionistët e kujdesit shëndetësor është e sigurt që do të bëhen gjithnjë e më të varur ndaj pasjisjeve teknologjike që i ndihmojnë në punën e tyre, por teknologjia vetëm do të zhvillohet, pa arritur të zëvendësojë aftësitë e tyre dhe do të jenë mjekët ata që do të kontrollojnë praktikat mjekësore me ndihmën e makinerive.
Në librin e tij “Receta e Inovatorit”, Clayton Christensen ka identifikuar spektrin e praktikave mjekësore që variojnë nga “intuitive” tek “saktësia e lartë”. Mjekësia intuitive ndodh kur një mjek interpreton simptomat e pacientit për të arritur në një diagnozë dhe për të përshkruar trajtimin e tij, ndonjëherë edhe me pasiguri. Mjekësia e saktësisë së lartë është përmbledhja e procesit të bazuar në rregulla të qarta, përmes së cilit trajtimi i standardizuar me rezultate të parashikueshme, aplikohet për një gjendje të caktuar shëndetësore.
Sipas Christensen, pjesa më e madhe e mjekësisë që praktikohet sot është intuitive dhe vetëm disa sëmundje, kryesisht ato infektive, mund të përdoren duke përdorur mjekësinë e saktësisë së lartë. Në fakt koncepti i mjekësisë së saktësisë së lartë aplikohet gabimisht për të përmirësuar rezultatet e mjekësisë intuitive, në vend që të identifikohen mekanizmat që shkaktojnë sëmundjen. Për aq kohë sa mjekësia intuitive të jetë parësore, ekspertiza njerëzore dhe përkushtimi do të jetë pjesa më integrale e kujdesit shëndetësor.
Trajtimi i simptomave jo specifike pa një rrugë të qartë të paracaktuar kërkon aftësi vendimmarrëse dhe vetëbesim, gjë që është e pamundur të arrihet nga makineritë. Pas miliona vitesh evolucioni, njerëzit kanë zhvilluar kapacitetin e intuitës kontekstuale që i lejon mjekët e trajnuar të marrin vendime të vështira në kohën e duhur në një mjedis ku të dhënat janë shpesh të pamjaftueshme. Edhe sistemi më i sofistikuar i inteligjencës artificiale do të duhet të përmirësohet për ta arritur këtë aftësi.
Komunikimi me pacientët është një tjetër sfidë që robotët nuk e kapërcejnë dot. Shpjegimi i nuancave të shumta të një sëmundjeje misterioze si kanceri kërkon inteligjencë emocionale dhe aftësinë për të krijuar besim me pacientët duke dhënë informacione të sakta në mënyrën e duhur. Doktorët duhet të shfaqin edhe përulje kulturore, në mënyrë që të marrë në konsideratë sfondin social të pacientit kur administron kujdesin shëndetësor. Brenda të ardhmes së parashikueshme, makineritë do ta kenë të pamundur të arrijnë aftësitë njerëzore për të ndihmuar pacientët e sëmurë me sëmundje kronike, prognozat e të cilëve janë të pasigurta.
Megjithatë, pavarësisht kufizimeve të makinerive, ato do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor edhe në sferën e mjekësisë intuitive. Falë fuqisë së tyre të jashtëzakonshme analitike, makineritë janë duke ofruar më shumë të dhëna mbi të cilat mjekët bazojnë diagnozat dhe vendimet e tyre. Makineritë përdoren edhe për të monitoruar pacientët, duke parandaluar gabimin njerëzor në spitale dhe farmaci. Së shpejti, do të mund të kryejnë funksione të tjera ndihmëse si pranimi i pacientëve, regjistrimi, përcaktimi i orareve dhe lëshimi i fjetëdaljeve.
Gjatë shekullit të kaluar, njohja shkencore e baktereve është përmirësuar aq shumë sa çdo virus dhe bakter mund të diagnostikohet dhe të izolohet me shpejtësi. Kjo i ka lejuar mjekët të kalojnë nga mjekësia intuitive në atë të saktësisë së lartë, ku mund të aplikojnë proceset e standardizuara që kurojnë sëmundjet me rezultate të parashikueshme. Me metoda të thjeshta dhe jo të kushtueshme, kemi arritur të çrrënjosim sëmundje si poliomeliti. Kohët e fundit, studiuesit zbuluan edhe vaksinën kundër Ebolës që ofron 100% mbrojtje kundër virusit.
Një ditë, kur të arrijmë të njëjtin nivel të njohjes të biokimisë dhe fiziologjisë të trupit të njeriut, mjekësia e saktësisë së lartë do të aplikohet në të gjitha kategoritë e sëmundjeve. Do të jemi të aftë të përcaktojmë shkakun e çdo sëmundjeje dhe makineritë do të mund të punojnë në mënyrë më autonome, në një mjedis të standardizuar për të ofruar trajtimin që i nevojitet secilit pacient.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI