Rilindja Demokratike!

Nga Arian Galdini

Vlora po ziente atë fillimjanari të vitit 1991. Në dt 6 janar do të bëhej në Sheshin e “Flamurit”, mitingu i parë i Partisë Demokratike. Ishte ftohtë, frynte erë si gjithmonë në qytetin bregdetar, por ajri dridhej krejt pashpjegueshmërisht nga një ndjesi e çdo njeriu që gjallonte aty në atë qytet.
Njerëzit shiheshin në sy, por ende nuk guxonin të flisnin ndaj trandnin ajrin me shikimin dhe mendimet e tyre. Ditë e kohë të tilla janë të rralla në historitë e qyteteve dhe kombeve. Të gjithë ndjejnë njëlloj e të gjithë e shkundin ajrin vendit me sy e ndërmendje, pa folur. E folura ishte ose brohoritje e me hov, ose ende sakrilegj. Kur ja, 1 ditë para se të vinte tokmbledhja për brohoritje, Vlora u shpupurit e tëra si një buqetë që bukurinë nuk e kishte më në bashkim, por në rendje. Kishte dalë Rilindja Demokratike. Ishim mësuar me normalitetin e gazetave “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Bashkimi”. Por një gazetë që quhej “Rilindja Demokratike” ishte si të dëgjoje papritmas se në Hënë ishte zbuluar pylli ku banonte gjyshja e Kësulëkuqes.
Vlonjatët nuk u sollën vërdallë tek Kapelja atë 5 janar. As shkuan nëpër rradha për të marrë 80 përqindëshin, nuk vunë gurë në rradhën për vajguri, as u zgjuan në 3 të natës për të provuar fatin mos ia dilnin të blinin ndonjë shishe qumështi. Të gjithë ishin vërsulur për tek 2 pikat e vetme ku shitej gazeta “Rilindja Demokratike”.
Zënka e sherre të ububushme u bënë në përpjekje për të marrë secili kopjen e tij të “Rilindjes Demokratike”. U shamë të gjithë vlonjatçe, por nuk u urryem as u inatosëm. Donim vetëm të ishim ne, ata që e kishim secili të veten kopjen e vet të parë të “RD”. Në gjithë atë katrahurë që ndali jetën e qytetit, nuk ia dola dot mbanë që ta merrja kopjen time. E megjithatë, fill sapo mbaruan çjerrjet e xhaketëkapjet në rradhën për të blerë “RD”, të gjithë e lexuan kopjen e tyre e filluan tua shpërndanin atyre që nuk e kishin blerë dot.
Kush kishte një “RD” të blerë, nuk shkonte në shtëpi për ta lexuar vetëm e në qetësi. Jo asesi. Të gjithë qëndruan aty e ua jepnin të tërëve që ishin aty për ta lexuar. Më erdhi edhe mua mundësia për të prekur me duar e për të lexuar atë “RD” të parë të 5 janarit 1991. Nuk e harroj dot kurrë atë shfletim, atë aromë, atë zemërrahje për çdo emër që lexoja aty e çdo fjalë që përpija. Të nesërmen e dija që do dilja në miting të brohorisja. Ndërsa atë 5 janar, m’u dha shansi të flisja. Po flisja me një gazetë. Po flisja me Kësulëkuqen në shtëpinë e gjyshes së saj në pyllin e zbuluar në hënë.
Kishte ndodhur e pamemdueshmja, e pamundura. E neve që kurrë nuk e kishim besuar se do vinte një ditë kur do të flisnim, me veten, me gazetën a njëri-tjetrin. Ne që kujtonim se e folura ishte vetëm zbrazëti fjalësh në shkreti mendimesh. Ne që të folurën e dinim si informacion politik a zënka nën efektin e kaçurrelit për revistën televizive, të hënën sportive apo festivalin e fundvitit. Ne që të folurën e dinim si sharje të imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik.
Neve që të folurën e dinim si ndërkallje për të gjetur se kush e dinte më mirë se cili shofer punonte për vitin 2000, e cila Kooperativë e tipit të lartë e kishte realizuar planin e grurit me 150%. Atë 5 janar mësuam se ka një të folur tjetër. Mësuam se ka një të folur të lirë, me fjalë të peshuara e mendime të plota.
Atë 5 janar mësuam se e folura me veten, me gazetën, me tjetrin, është njohje, zbulesë, ndërtim. Atë ditë zbuluam se e folura nuk është Kësulekuqja në Hënë. Atë 5 janar e takuam të folurën këtu mes nesh, ndër ne, me ne. “Rilindja Demokratike” na e bëri të folurën atë 5 janar, tokësore, të mundshme të prekshme. Prandaj, bëjmë mirë të mos harrojmë e gjithëherë ta kujtojmë njohjen e parë të së folurës.