Riberi tundohet nga milionat

Milionat e ofruara nga kinezët po joshin së tepërmi yjet e futbollit europian dhe botëror. Listës së Superligës kineze me emrat si Tevez, Oskar, Pele apo Hulk pritet t’i bashkohet edhe Riberi, por ndoshta në verën e 2018-ës.
Gjatë konferencës për mediat në Doha, ylli francez i Bajernit flet për të ardhmen, modelin me numër 7 të flokëve, atmosferën në ekip, urinë për fitore, Lahmin dhe Hënesin.
– Riberi, si ju lindi ideja të bënit numrin 7 si model në pjesën e majtë të kokës suaj?
Më pëlqen dhe është fatsjellës. I pari që ka bërë këtë model ishte djali im. Më pas unë e kopjova (qesh). Është numri simbol i pandashëm i karrierës sime. Numri 7 i skuadrës si mesfushor i majtë.
– Si e keni pritur rikthimin e Uli Hënesit?
Çdokush e di rëndësinë e tij. Gëzohem kur ai vjen në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. Na jep shumë fuqi.
– Rinovuat kontratën deri më 2018-ën. Parashikoni të ndryshoni vend pas përfundimit të kontratës si në Kinë, SHBA, Australi ose diku tjetër?
Në jetë mund të ndodhë gjithçka. Kam edhe një vit me Bajernin. Kam arritur shumë dhe jam i lumtur në Mynih. Aktualisht jam në superformë. Më pas të shohim, ndoshta në Kinë, Katar ose Dubai. Nëse ata do të paguajnë mirë, atëherë pse jo? Gjithçka është e mundur.
– Si mendoni, Lahm duhet si lojtar apo drejtor sportiv?
Bajerni ka nevojë për Lahmin. Ai është një lojtar i madh dhe e njeh shumë mirë klubin. Por, ai duhet të vendosë vetë.
– Jeni 33 vjeç. Keni fituar gjithçka me Bajernin. Ndiheni ende të motivuar për të fituar?
Adrenalina duhet mbajtur gjithmonë lart. Dua të jem zjarr në fushë për të ndihmuar ekipin dhe marrë rezultatet e duhura. Vërtet kam fituar gjithçka, por, pavarësisht kësaj dhe moshës, unë kam ende shumë uri, sidomos për Champions-in. Ndryshe nga sezoni i kaluar, uroj që sivjet të mos kemi shumë dëmtime, pasi në fazën e fundit duhet të japim të gjithë maksimumin. Është pozitive të mbajmë ritëm të lartë, pasi kjo ndikon edhe nga ana psikologjike. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe mos dëgjojmë se çfarë thonë të tjerët.
– Si është atmosfera në Doha, qoftë në stërvitje dhe në oraret e mbrëmjes?
Atmosfera është super. Po punojmë fort për të qenë gati për fazën e dytë. Gjatë stërvitjes ikën shpejt koha, ndërsa programi i mbrëmjes është i mërzitshëm. Nuk ka gjallëri (qesh).