Qëndroj për Wenger

Mesut Ozil në dilemë mbi të ardhmen e tij. Mesfushorit të Arsenalit i kanë mbetur edhe 18 muaj nga skadimi i kontratës së tij me “Topçinjtë” e Londrës dhe bisedimet për rinovimin e saj kanë nisur prej muajsh, por palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Zëra merkatoje thonë se turko-gjermani mund të rikthehet tek ish-skuadra e tij, Reali i Madridit, klub nga i cili u largua në vitin 2013. Pavarësisht situatës disi të paqartë, vetë mesfushori është shprehur se dëshira e tij është të qëndrojë tek Arsenali.
“Ndihem shumë mirë tek skuadra ku po luaj. Këtë gjë ia kam shprehur edhe drejtuesve të klubit dhe gjithashtu i kam shprehur dëshirën time për të rinovuar kontratën”, u shpreh Ozil.
Sidoqoftë deklarata e Ozil shkon edhe më tej. E ardhmja e tij tek Arsenali varet edhe nga ajo e trajnerit Arsen Wenger. 28-vjeçari ka shtuar se ai është i gatshëm të vazhdojë aventurën e tij në Londër, por më parë kërkon të dijë se nëse në krye të stolit të “Topçinjve” do të jetë tekniku francez, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nëse Wenger nuk do të jetë timonieri i Arsenalit.
“Drejtuesit e klubit e dinë shumë mirë që unë jam këtu falë trajnerit. Wenger është personi që më bindi të transferohesha këtu duke më dhënë mbështetjen e tij maksimale. Thënë ndryshe klubi e di mirë që unë kërkoj të di se si do të jetë e ardhmja e tij. Nëse ai do të vazhdojë të jetë trajneri jonë ky është një lajm i mirë për mua, në të kundërt do të shoh se ç’do të ndodhë me mua”, tha ai. Në rast rinovimi përflitet që shuma që do të përfitojë Mesut Ozil të kapë shifrat e 11 milionë eurove në sezon.
Ndërkohë, Çelsi ka rigjetur buzëqeshjen pas disfatës së mesjavës ndaj Totenhemit në kampionat. Skuadra londineze siguroi dje një vend në raundin e katërt të Kupës së Ligës (“FA Cup”) pasi mposhti 4-1 Peterboroun.
Gjithçka e thjeshtë për ekipin e Antonio Kontes, që korri suksesin falë dopietës së Pedros (18’, 75’) dhe golave të Batshuait (44’) dhe Uillianit (52’). Tom Nikols shënoi në minutën e 70-të golin e nderit për skuadrën që militon në kategorinë e tretë angleze.
Megjithatë, nëse për skuadrën e djeshmja ishte një mbrëmje pozitive, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kapitenin Xhon Terri. Në të 67-n, qendërmbrojtësi 36-vjeçar u përjashtua me karton të kuq direkt në të parën ndeshje si titullar që prej tetorit të shkuar.