Plan agresiv ndaj sulmeve kibernetike

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili ka hedhur poshtë idenë se Rusia ndikoi me sulme kompjuterike mbi zgjedhjet presidenciale, mori të premten një informacion të plotë nga zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit.
Më pas, zoti Trump publikoi një deklaratë, ku e quante takimin “konstruktiv” dhe ku pohonte se ka “respekt të madh për punën dhe shërbimin” që bën komuniteti i zbulimit.
Megjithatë ai nuk shprehte një miratim të qartë për pikëpamjen e agjencive amerikane të zbulimit se ishte Rusia ajo që sulmoi kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe më pas publikoi informacione për të ndihmuar fushatën e zotit Trump që ai të zgjidhej president.
Në deklaratë, zoti Trump thoshte se Rusia, Kina si dhe vendet, grupe dhe individë të tjerë janë vazhdimisht të angazhuar në pirateri kibernetike kundër qeverisë amerikane, kundër biznesit dhe organizatave politike në SHBA.
Megjithatë, sipas tij, këto përpjekje nuk patën “absolutisht asnjë efekt në rezultatin e zgjedhjeve”.
Zoti Trump njoftoi se do të caktonte një ekip që do t’i paraqiste atij brenda 90 ditësh pas marrjes së detyrës një plan “për të luftuar me agresivitet sulmet kibernetike”.
Në një gjest të pazakontë për një president të zgjedhur, zoti Trump është treguar tepër kritik ndaj agjencive amerikane të zbulimit. Në një intervistë me gazetën “New York Times” të premten paradite, zoti Trump e quajti polemikën rreth sulmeve kibernetike ruse gjatë zgjedhjeve një “gjueti politike shtrigash” të ndërmarrë nga kundërshtarët, që janë ende të mërzitur për humbjen.
“Ata u mundën shumë keq në zgjedhje. Unë fitova në më shumë qarqe se Ronald Regani”, tha zoti Trump. “Ata tepër të turpëruar. Në njëfarë mase, kjo është një gjueti shtrigash. Dhe atyre u ka mbetur mendja aty”.
Ndërsa shprehu shqetësime në lidhje me sulmet kibernetike të nxitura nga shtetet e ndryshme, zoti Trump akuzoi kundërshtarët politikë se i harrojnë shembujt nga e kaluara, kur vende të tjera kanë ndërmarrë sulme kibernetike kundër SHBA.
“Kina, relativisht vonë, piratoi 20 milionë emra të qeverisë. Si ka mundësi që askush nuk flet për këtë?”, tha zoti Trump, duke iu referuar një piraterie elektronike në vitin 2014 dhe 2015 në sistemin kompjuterik të Zyrës së Menaxhimit të Personelit që çoi në vjedhjen e miliona dokumenteve sensitive.
Duke folur me gazetarët në selinë e Kongresit të premten paradite, udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se kishte lexuar një pjesë të raportit të klasifikuar për sulmet kibernetike ruse, duke e quajtur atë “tronditës”.