Paturpësia e “Rilindjes” në dimrin e fundit të saj!

Armand MAHO

I pari do të ishte Erion Veliaj! Natyrisht shitësit të vogël të fiqve s’kish si t’i ikte rasti për pak propagandë në këtë ditë qameti dhe menjëherë shpërtheu duke u tallur këtë herë me të pastrehët në Tiranë. Rrjetet sociale dhe kronikat televizive u mbushën me policë bashkiakë, të cilët mbushnin makinat me fatkeqë për t’i dërguar në ato që Veliaj i quan “streha sociale”, por që s’janë gjë tjetër vetëm se disa kolibe që mezi nxënë ndonja 20 persona sa për të ngrënë. Tha se do të vinte në dispozicion dhe njësitë bashkiake, por me kusht që ato të jenë sa më larg zyrës së tij.
Të njëjtët policë, të cilët i lëshohen çdo shitësi cigaresh apo kokoshkash në Tiranë për t’i sekuestruar mallin me urdhër të kryebashkiakut, këto ditë morën petkun e bamirësit. Mikrofonat vrapuan drejt fakirëve të pastrehëve, të cilët nën një skenë të dirigjuar nga pehlivanët e Bashkisë, falënderonin gjithçkabërësin, shpëtimtarin e tyre…. Më tej, Veliaj do të merrte pamjen e nikoqirit me atë përparësen teksa shihej t’i shpërndante ushqim atyre që një ditë më parë i kish ngritur nga rruga. Më tej pamjet u dërguan me shpejtësi rrufe në televizionet e paguara prej tij, ku redaktorët shtuan dhe ca falënderime nga ana e tyre.
Menjëherë pas kësaj, në ekrane do të shfaqeshin policët e Sajmit Tahirit. Natyrisht në garën për të qenë pasues i Ramës dhe ky s’kish si mbetej mbrapa. Ministria e Brendshme shpërndante pamje se si merrte të pastrehët dhe i strehonte nëpër komisariate. E njëjta polici, që la jashtë fëmijët e atyre që shtëpitë u shkatërroheshin me dinamit apo atyre që i la pa baba sepse ua burgosi për faktin e thjeshtë se s’kish të paguante energjinë…. Rrekjet e ministrit të Brendshëm apo Erionit të Bashkisë do të ishin për t’u përshëndetur në rast se vërtet do të ishin të sinqerta, nëse ato vërtet do të ishin në shërbim të komunitetit dhe jo në drejtim të propagandës personale, që gjithsesi paguhet po nga paratë tona.
Erion Veliaj është kryetar i një bashkie që po hedh në erë mbi 28 milionë euro për të restauruar një shesh që s’kish asnjë emergjencë për të gllabëruar një shumë kaq të madhe. Shitësi i vogël i fiqve është kryetar i zgjedhur i një kryeministri që e sheh Bashkinë e Tiranës si çifligun e tij personal, për të gllabëruar fonde në emër të asaj që ai preferon ta quajë “rilindje urbane”. E ç’nevojë do të kishte që Erioni të merrte pamjen e nikoqires në rast se ato 28 milionë euro do të investoheshin në ngritjen e qendrave sociale, në rast se paratë e hedhura kot për një kënd lojërash në park do të shkonin për ngrohjen e çerdheve dhe kopshteve?
Ç’nevojë do të kishte ai show bajat në rast se nuk do të investohej vetëm në interesin e tij personal. Kujt i duhet dhembshuria që ai bën sikur tregon ndaj të varfërve kur nën zinxhirët e traktorit mbeti i vdekur Arditi 17-vjeçar teksa flinte në mes të të ftohtit në landfillin e ngritur prej tij?! Kujt i duhet gjithë kjo maskaradë, kur në periferitë e Tiranës janë me mijëra fëmijët që ecin zbadhur dhe s’kanë ç’të veshin në këto ditë të ftohta?! Akoma më shumë ky spektakël bajat nuk i shkon për shtat Sajmir Tahirit. Ai është pjesë e një qeverie që ka harxhuar për vendosje gurësh dhe lyerje fasadash plot 283 miliardë lekë në atë që lideri global e quan “rilindje urbane”. E di Sajmir Tahiri, se sa banesa do të ndërtoheshin me aq para? E kujt i duhen ato fasada në një vend ku njerëzit jetojnë me dy euro në ditë?!
Për çfarë shërbejnë ato fasada në Gramsh, në Kukës apo në Tepelenë në këto ditë të ftohta dimri?! Ka marrë ndonjëherë mundimin të pyesë në ato mbledhjet e famshme se përse këto fonde nuk adresohen atje ku duhen, tek të pastrehët, tek ndihma që duhet t’i jepet familjeve të varfra?! Në rast se ato para do të menaxhoheshin si duhet sot nuk do të kishte njerëz që flinin rrugëve, nuk do të kishte fëmijë nga 4 apo 5 vjeç që në këtë të ftohtë vrasës nxitojnë të lajnë xhamin e makinës. Ka marrë guximin ta pyesë ndonjëherë shefin e tij se përse gjithë ky shpërdorim?! Sajmir Tahiri duhet ta kuptojë se lufta e tij për kupolën e PS-së, pak i intereson shqiptarëve… Pak i intereson se kush e bën më shumë avokatin e liderit global ai apo Erion Veliaj.
Qeveria në radhë të parë është llogaridhënie e çdo pasojë e ka një shkak. Paratë paskan qenë, madje më shumë se sa i nevojiten një qeverie për të plotësuar nevojat e qytetarëve të saj. Është e turpshme që në një situatë të tillë, e cila është normale në shumë shtete, vendi të futet në kolaps të tillë. Të mungojë energjia, të mungojë streha për ta. Sa për të pasur një ide të asaj që thamë lart, 283 milionë lekë ose 240 milionë euro është vlera e ndërtimit të 10 mijë apartamenteve në të gjithë vendin dhe do të zgjidhte përfundimisht plagën sociale të strehimit. Mesa shihet koka e karvanit e ka parë të udhës që këto para t’ia japë një grushti njerëzish, kryetarë bashkish dhe klientë të saj në fushën e ndërtimit që s’bëjnë gjë tjetër vetëm se shtojnë luksin në kurriz të fakirëve të këtij vendi. Në fakt edhe paturpësia ka një kufi, por kjo nuk vlen për Rilindjen!