Milan 3 supergoditje

Pavarësisht vështirësive për të marrë autorizimin nga kuvendi i Pekinit për të eksportuar kapitalin e nevojshëm të parave që do të derdhen në arkat e Silvio Berluskonit për blerjen e Milanit, grupi i investitorëve kinezë është shumë optimist që kjo marrëveshje do të mbyllet brenda datës 3 mars.
Për këtë arsye, si Marko Fasone, ashtu edhe Masimiliano Mirabeli, respektivisht administratori i deleguar dhe drejtori sportiv i ardhshëm i Milanit, janë duke punuar mbi blerjet e merkatos së verës. Në veçanti, kanë nisur kontaktet për tre lojtarë që janë Keita Balde, Mateo Musakio dhe Federiko Bernardeski (alternativa është Berardi).
Sa u përket dy objektivave në repartin e avancuar, rivaliteti është mjaft i ashpër, sidomos me Interin që gjithashtu i ka në listën e dëshirave. Për më tepër, nevojiten edhe shifra të majme financiare, por që pronarët e rinj duket se nuk i kanë problem t’i shpenzojnë. Saktësisht, Fiorentina mund të kërkojë 50 milionë euro për kartonin e Bernardeskit, ndërsa Lacio i ka vënë një çmim prej 20 milionësh për Keitanë.
Pronarët e ardhshëm të Milanit nuk do të lëvizin në merkato vetëm për të përforcuar sulmin, por edhe mbrojtjen dhe mesfushën. Emri i parë është ai i Mateo Musakios, futbollistit që militon në radhët e Vijarealit, që Milani e kërkoi edhe në merkaton e verës. Për lojtarin kuqezinjtë janë gati të ofrojnë 25 milionë euro.
Sakaq, administratori ri i Milanit, Marko Fasone, në javët e ardhshme pritet të jetë në Londër, ku do të takohet me drejtuesit e Çelsit. Misioni i tij është për të afruar në radhët e kuqezinjve mesfushorin spanjoll, Cesk Fabregas, i cili me shumë mundësi do të largohet nga londinezët në verë.
Ndërkohë, Xhanluixhi Donaruma me shumë gjasa do të jetë goditja e madhe e Juventusit në merkaton e verës së ardhshme. Sipas të përditshmes italiane “La Republica”, bardhezinjtë i kanë bërë një ofertë zyrtare Milanit për portierin 17-vjeçar, që cilësohet si pasardhësi i Xhixhi Bufonit.
Kampionët në fuqi të Serisë A janë të gatshëm të derdhin 40 milionë euro për kartonin e lojtari dhe pesë milionë neto në sezon për një kontratë katërvjeçare për “gardianin”, ofertë me të cilën duket se klubi kuqezi ka rënë dakord në parim.