Media e të vërtetave dhe vlerave të lirisë

Sali BERISHA

Gëzuar 26-vjetorin e fjalës së lirë, daljen e numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”!
Të dashur miq, 5 janari është për ne shqiptarët dita e fjalës së lirë. Më dt. 5 janar 1991 u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe pas pothuaj gjysmë shekulli monizmi total në diktaturën hoxhiste. Në dallim nga vendet e tjera ish-komuniste, në të cilat u tolerua një lloj shtypi klandestin dhe një formë e kufizuar e pluralizmit të mendimit, në Shqipërinë hoxhiste, e shpallur me Kushtetutë si shteti i diktaturës së proletariatit, fjala e lirë, deri në vitin 1990 po të dilte nga goja ndëshkohej sipas nenit famëkeq 55 me shumë vite burg.
Kurse për një trakt të shtypur, autori dënohej dekada burg, në mos dhe pushkatim!
Në Shqipëri, pluralizmi i mendimit dhe pluralizmi politik lindën si të thuash si binjakë të Lëvizjes Studentore, revolucionit demokratik të dhjetorit 1990.
Kështu, fill pas themelimit të PD, Komisioni i saj Nismëtar, në njërën nga mbledhjet më të para të tij, në një vendim historik vendosi botimin e gazetës “Rilindja Demokratike” si gazetë e fjalës së lirë, organ i Partisë Demokratike si dhe miratoi bordin drejtues të përbërë nga gazetarë, publicistë, shkrimtarë, intelektualë të shquar.
Kryetar Bordi u emërua poeti i talentuar Preç Zogaj, një nga themeluesit e PD ndërsa kryeredaktor i gazetës u emërua gazetari i njohur Frrok Çupi. Gazetarë me eksperiencë dhe një grup studentësh aktivë në lëvizjen e dhjetorit do të nisnin punën në ekipin e gazetës, intelektualë të shquar të fushave të ndryshme të Tiranës do të ishin bashkëpunëtore të saj.
“Rilindja Demokratike” lindi me një mision të madh:
– si zë i të vërtetës në mbretërinë e mashtrimit;
– si rreze drite në hapësirën e errësirës gjysmë shekullore;
– si zëdhënëse e fjalës së lirë, anticensurës, por edhe e revolucionit demokratik antikomunist të viteve 1990;
– si zëdhënëse e interesit dhe çështjes kombëtare, deri atëherë të tradhtuar;
– si themeluese e shtypit të lirë, mësonjëtore e tij.
Numrin e saj të parë e pritëm si në ekstazë, në një natë të bardhë, pothuaj si një mesazh gjysmë hyjnor.
Fryma e hapur, guximi i ekipit të saj, përmbajtja, civiliteti i shkrimeve dhe uria gjysmë shekullore e shqiptarëve për fjalën e lirë e bënë “Rilindjen Demokratike”, që në numrat e parë, organ të të vërtetave të ndaluara, të mendimit të lirë, gazetën më të fuqishme, më të lexuar në tërë historinë e shtypit shqiptar. Në javët dhe muajt në vazhdim, “Rilindja Demokratike”, si një akullthyese do të eksploronte dhe thyente me sukses akujt në të gjitha territoret e ndaluara të psikologjisë së shoqërisë më moniste të Europës duke çliruar mendjet e ngrira prej dekadash nga tabutë që i mbanin të pushtuara.
Gazeta, që në numrat e parë përballoi me sukses armiqësinë e egër të partisë terroriste, nomenklaturës dhe organit të saj “Zëri i Popullit”. Duke qëndruar zëdhënëse e revolucionit demokratik e antikomunist të viteve ‘90, ajo iu rezistoi gjithashtu presioneve të pamerituara partiake për të qëndruar besnike misionit të saj kryesor; zëdhënëse e fjalës së lirë, zëdhënëse e të vërtetës.
Ajo vjen sot në 26-vjetorin e saj përsëri si organ i të vërtetës, transparencës, antimafies që përballet me vendosmëri dhe guxim me pushtetin më të korruptuar, më të inkriminuar në Europë, me qeverinë e tij, organizatë e vërtetë kriminale.
Me këtë rast, le të shprehim nderimin tonë më të madh, mirënjohjen tonë më të thellë ndaj të gjithë atyre që themeluan, formuan dhe drejtuan e drejtojnë dhe sot “Rilindjen Demokratike” si organ i të vërtetave dhe vlerave të mëdha të lirisë! Gëzuar!! sb