Maqedonia e bën historinë nëse ndryshon!

Nga Arian Galdini

Më në fund, shqiptarët e Maqedonisë e hodhën një hap të rëndësishëm pothuajse të përbashkët, drejt një axhende shqiptare për një Maqedoni multietnike, multifetare dhe euroatlantike. Deklarata e BDI, BESA dhe Aleancës për Shqiptarët meriton të mbështet e vlerësohet si një nënkrejsë ku mund të mbështetet koka e një historie të re për një Maqedoni të ndryshuar. Por nuk ka vend këtu, e nuk është as rasti për ekzaltim propagandistik as në Tiranë e as në Prishtinë, nëse kjo deklaratë, mbetet si i gjithë produkti i mundshëm a i arritshëm.
Kjo deklaratë është një hartë pune, veç kurrsesi nuk duhet të vlerësohet si vetë puna që pritet të kryhet nga partitë politike shqiptare në vijimësi. A është e rëndësishme deklarata? Patjetër që po. Prej shume vitesh në fushata elektorale e zotime publike, çdo parti e lider shqiptar në Maqedoni, ka shprehur e është përbetuar për pikat e nënshkruara në deklaratë e madje edhe shumë më tepër.
E megjithatë asnjëherë, nuk ka ndodhur që përtej programeve e ditirambeve kombëtariste elektorale, partitë dhe liderët shqiptarë të shprehen në një dokument të përbashkët se kanë të njëjtat qëllimësi e objektiva për shqiptarët dhe vetë Maqedoninë. Kështu që, po, sot (dje) ka ndodhur një ngjarje. Sot nuk ka më fushatë elektorale. Sot ka një dakordësim se partitë dhe liderët shqiptarë kanë një hartë të përbashkët veprimi për shqiptarët atje dhe për vetë Maqedoninë.
Deklarata nuk është historike. Deklarata është një hartë që mund të sjellë ngjarje historike. Sepse nëse nesër gjithçka mbetet si një deklaratë, ku marketingu ka mbivlejtur strategjinë, atëherë, asgjë nuk ka ndodhur. Ndaj ftesa ime është që ta marrim shtruar e qetë dhe të shohim me kujdes dinamikat politike që do të përshfaqen nga sot e tutje. Edi Rama dhe Hashim Thaçi u bënë bashkë me të njëjtin qëllim për të ulur Ali Ahmetin, Bilal Kasamin dhe Zijadin Selën në të njëjtën tryezë. Dhe ia dolën. Uroj që e gjitha kjo nuk ka ndodhur vetëm për një deklaratë.
Maqedonia sot është në një rebus historik. Kërkohet ndryshim. Me se s’bën kërkohet ndryshim. Dhe ky ndryshim, krejt bukurisht është i tëri në duart dhe në fuqinë e shqiptarëve. Ku konsiston ndryshimi i Maqedonisë? Ndryshim në përmbajtjen e saj kushtetuese, institucionale dhe kulturore si një shtet i së drejtës, i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, multietnik, multifetar dhe euroatlantik, ku shqiptarët janë bashkautorë me të drejta të njëjta me sllavo-maqedonasit. Ndryshim në gjendjen e saj demokratike dhe qeverisëse.
Edi Rama deklaron se shqiptarët nuk duhet të negociojnë karrige qeverisëse për parime. Kjo deklaratë e Edi Ramës mua më bie era krizë. Më vjen keq, por kështu më duket. Maqedonia ka nevojë për parime jo të shprehura në deklarata, por në qeverisje. Ndaj them se me këtë deklaratë të sotme (djeshme), partitë shqiptare sapo kanë shtruar në tryezën e tyre të punës, hartën e veprimit politik. Gjithçka varet, nëse kjo deklaratë do e vijojë t’i mbajë partitë shqiptare në të njëjtën tryezë pune, me të njëjtën hartë veprimi apo do të mjaftojë vetëm si një dolli me dy krushq.
Dy krushqit, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, janë përfitues edhe vetëm me dollinë. Por shqiptarët e Maqedonisë, jo. Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për tryezën e punës me hartën e hapur dhe mbërritjen e të gjithë shqiptarëve tek ndryshimi i Maqedonisë, në të dyja kuptimet e shpjeguara më sipër. Dëshira dhe urimi im është që deklarata e sotme (djeshme), të jetë bërë nisja e tryezës së punës dhe jo bitisja e saj. Shqiptarët kanë në dorë ndryshimin e Maqedonisë.
Ndaj edhe një axhendë shqiptare për një Maqedoni multietnike, multifetare dhe euroatlantike, është garancia më e madhe e Maqedonisë me përmbajtje dhe qeverisje të ndryshuar. Këtë thirrje e ftesë kam unë për partitë dhe liderët shqiptarë të Maqedonisë: Nëpërmjet një axhende shqiptare për një Maqedoni multietnike, multifetare dhe euroatlantike, të vijojnë të jenë bashkë për t’i dhënë Maqedonisë ndryshimin në përmbajtje dhe qeverisje.