Lirimi nga burgu i Lulzim Berishës, hetimet i kalojnë Prokurorisë së Tiranës

Hetimet ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës pasi Prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencë. Bëhet e ditur se hetimi bëhet kryesisht për ‘lirimin me kusht’ të Berishës. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Lul Berisha doli nga burgu pasi Gjykata e Durrësit i dha masën e “lirimit me kusht”.
Prokuroria e Durrësit dyshon se, Berisha u lirua nga ‘shpërdorimi i detyrës’ nga ana e gjyqtarëve që firmosën lirimin. “Shpërdorim detyre nga gjyqtarët e Durrësit që firmosën lirimin. Ndaj duhet të hetohet vendimmarrja e gjyqtarëve të Durrësit”, pohuan burime nga Prokuroria e Durrësit. Fill pas kësaj, aktet janë dërguar për hetim në Prokurorinë e Tiranës.
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, fitoi lirinë me kusht më 6 dhjetor. Ndërkohë, po vijojnë hetimet lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje. Vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës për lirimin e Lulzim Berishës është marrë pas një letre të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që kërkonte lirimin e tij me garancinë se do punësohej në Bashki.
Ndërkohë më 15 dhjetor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për lirimin nga qelia të Lul Berishës. Prokuroria po heton për praktikat gjyqësore kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” që liruan Lulzim Berishën, ndërsa shqyrton vendimet e dhëna nga Gjykatat në lidhje me uljen e dënimit, pasi sipas Prokurorisë së Durrësit ka dyshime për veprime në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu do të hetohet edhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për praktikat administrative të ndjekura nga Bashkia e Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha. Për këtë çështje u arrestua edhe drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kote si dhe juristi i këtij institucioni.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në burg ish-drejtorin e Burgut të Durrësit për lirimin para kohe nga qelia të kreut të bandës së këtij qyteti, Lulzim Berisha. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë ndaj ish-drejtorit të burgut të Durrësit, Astrit Kote. Ky i fundit u arrestua për shpërdorim detyre, pasi në bashkëpunim me juristin e këtij burgu, llogaritën gabim kohën që i kishte mbetur për të vuajtur dënimin Lulzim Berisha, duke e liruar përpara kohe.