Largohet djali i presidentit për portierin shqiptar

Me fillimin e merkatos dimërore shumë lëvizje që më parë mund të ishin thjesht aludime, tashmë kanë filluar të konkretizohen. Në Serinë B, skuadra e Peruxhias, ku aktivizohet dhe portieri shqiptar Entonjo Elezaj, është vënë në kërkim të një portieri. Pas dëmtimit të portierit titullar Rozati që pritet të mungojë dhe për 2-3 muaj të tjerë, në dy ndeshjet e fundit portën e ka mbrojtur Elezaj, i cili është portieri i dytë i skuadrës, por paraqitjet e tij duket se nuk i kanë bindur drejtuesit e klubit.
Për këtë arsye, Peruxhia ka siguruar shërbimet e portierit Brinjoli, i cili do të jetë portier i parë deri në rikuperimin e Rozatit dhe më pas do të kalojë në pankinë për të qenë portier i dytë. Ndërkohë mes dy portierëve të tjerë, Elezaj dhe Santopadre, stafi teknik ishte në dyshime se kujt t’i besonte pozicionin e portierit të tretë.
Edhe pse të gjithë prisnin që këtë pozicion ta mbante Santopadre, i cili është për më tepër djali i presidentit të klubit, vendimi i stafit i ka çuditur të gjithë teksa është zgjedhur që portier i tretë të jetë shqiptari Elezaj. Ndërkaq Santopadre do të detyrohet të kthehet të luajë me ekipin e të rinjve.