Kompletohen skuadrat në Antalia

Pas hapjes së aeroportit në Stamboll skuadrat shqiptare janë kompletuar në Antalia. Shumë futbollistë nuk ishin pjesë e skuadrave, pasi kishin disa ditë leje më shumë nga klubet për arsye personale dhe familjare. Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja mund të bëjë llogaritë edhe me Hamdi Salihin dhe Bruno Lulajn, të cilët nuk kishin udhëtuar që në fillim me grupin. Nga e hëna e kësaj jave ata do të jenë pjesë e skuadrës në seancat stërvitore, por edhe në miqësoret e ardhshme. Me Flamurtarin janë bashkuar kapiteni Bruno Telushi dhe Milos Rnic, të cilët kishin disa ditë më shumë leje për të qëndruar pranë familjeve për arsye të ndryshme. Nën urdhrat e trajnerit Gentian Mezani është vënë afrimi i fundit Ivan Jakovljevic, qendërmbrojtësi serb që zotëron edhe nënshtetësi kosovare. Tek Tirana janë plot 4 futbollistë që vihen nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Goleadori Afrim Taku, mbrojtësi Olsi Teqja, si dhe mesfushorët nga Gaboni Moise Nounkou dhe Merveil Ndockyt. Në pritje të afrimeve të janarit gjatë kampingut në Turqi trajnerët e skuadrave mund të buzëqeshin tashmë me këto rikuperime, duke patur më të plotë grupin në përbërje.