Kompanitë call center largohen drejt Rumanisë?

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Fundi i vitit 2016 nuk ishte aspak i mirë për një nga shërbimet që punëson më shumë të rinj në Shqipëri e që është ai i call center-it. Në fillim të muajit dhjetor 2016, Senati italian miratoi ligjin për buxhetin 2017, ku në të ishin integruar edhe disa mendime në ligjin për funksionimin e këtij shërbimi, delokalizimi i cili vendosi rregulla të tjera loje e që më së shumti, do të rëndojnë mbi bizneset që veprojnë në Shqipëri, si një vend jo anëtar i BE-së.
Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, thotë se për bizneset e këtyre shërbimeve, 2017-a do të jetë një vit i vështirë. “Ligji i delokalizimit pritet të hyjë në fuqi në muajin mars, kjo do të jetë një periudhë që do të shërbejë për t’u qartësuar dhe për t’u njohur me legjislacionin e miratuar”, thotë znj. Muçostepa. Sipas saj, për shkak të masave shtrënguese nuk parashikohet që të ketë hyrje kompanish të reja në tregun shqiptar.
“Ato ekzistuese, më së shumti të mëdha, që janë në Shqipëri, janë duke hapur qendra në Rumani, ku fuqia punëtore është më e lirë në krahasim me shtetet e tjera të komunitetit europian dhe gjuha italiane është e njohur”, thotë kryetarja e Unionit.
Sipas saj, kjo manovër do të shërbejë si një “valvul”.
“Më i vështirë për këtë sektor pritet të jetë tremujori i dytë i vitit, kur do të duhet të fitohet stabiliteti e më pas pjesa tjetër e vitit do të jetë disi më e qetë”, thotë znj. Muçostepa.
Sipas saj, hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të ishte një ndihmë për këtë sektor, pasi Shqipëria do të konsiderohej një vend që po synon të jetë më afër BE-së dhe si rrjedhim mund të ketë lehtësi. Megjithatë, tremujori i parë i 2017-s mbetet kritik për këtë sektor që sot punëson rreth 25,000 persona dhe kryesisht të rinj. Në anën tjetër, sfidë për këto kompani do të jetë diversifikimi i biznesit dhe çuarja e tij në një nivel tjetër, më inovativ.
Sipas ligjit të ri, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center-it në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj, parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.
Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 eurosh për çdo ditë vonese.
Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t’i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.

Italia ka filluar gjobat

Ministria e Zhvillimit Italian ka filluar kontrollet dhe ka gjobitur 17 kompani, shkruajnë mediat italiane. Sanksionet pritet të rriten në prill, kur të zbatohen direktivat e reja.
Arrijnë sanksionet e para për call center-at që delokalizojnë pa njoftuar, pra kalojnë shërbimin në një vend jashtë Bashkimit Europian, pa respektuar ligjin, që parashikon që të njoftohet klienti, shkruan në ditët e para të janarit gazeta “Corriere della Sera”.
Sipas saj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik italian ka dhënë tashmë sanksionet e para. Janë 17 kompani të gjobitura (mes tyre kompani ajrore dhe banka) dhe të tjera. Pse? Sepse ato përgjigjeshin nga jashtë pa i komunikuar as dëgjuesit dhe as ministrisë që po u ofronin shërbimet e tyre nga një vend joeuropian. “Qeveria, thotë zëvendësministrja për Zhvillim, Teresa Bellanova, ka bërë kontrolle efektive mbi kompanitë që zhvendosen. Departamentet përkatëse kanë dërguar tashmë paralajmërimet dhe kanë vendosur sanksionet e para tek call center të vendosura në vendet jo të BE-së”.
Zyrat e ministrisë bëjnë kontrolle, duke bërë thirrje telefonike. Biseda me një operator jashtë Italisë nuk është e pazakontë.

Nga prilli mund të shtohen gjobat

Ndërmarrjet italiane kanë zhvendosur aktivitetin sepse u leverdis, vijon artikulli i “Corriere”: call center është një sektor ku puna njerëzore është intensive dhe jashtë, në vende si Shqipëria, kostoja e punës është inferiore. Sanksionet, në të ardhmen, mund të bëhen më të shpeshta: në prill do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja, të miratuara më 7 dhjetor. Normativat e reja i detyrojnë ndërmarrjet që të njoftojnë paraprakisht për vendin ku ndodhet operatori dhe t’i vërë atij në dispozicion një operator në Itali, ose në një vend tjetër të BE-së- duke garantuar disponueshmëri të menjëhershme për të njëjtën thirrje. Me ligjin e ri është parashikuar një sanksion prej 50 mijë euro në ditë, përfundon artikulli i “Corriere”.

Qeveria shqiptare nuk e mori asnjëherë seriozisht largimin e call center-ave

Ndërsa në dhjetor u përhap me shpejtësi lajmi që qeveria italiane po rriste sanksionet ndaj kompanive call center që zhvendosnin aktivitetin, institucionet shqiptare e morën me qetësi. Ministria e Ekonomisë deklaroi se vetëm 5% e kompanive në Shqipëri kanë thirrje hyrëse (inbound) që goditeshin më shumë nga ligji dhe kompanitë nuk rrezikoheshin. Por, operatorët pohuan se vërtet numri i kompanive inbound është i ulët, por të punësuarit në to janë të konsiderueshëm, në rreth 25% të totalit, pra mbi 6 mijë persona. Ndërsa nuk pritet ardhja e kompanive të reja në këtë sektor, për shkak të shtrëngimit të rregullave.
Vitet e fundit, call center-at ishin bërë sektori me rritjen më të shpejtë të të punësuarve në vend. Aktualisht vlerësohet se janë mbi 800 sipërmarrje të tilla në vend me rreth 25 mijë të punësuar.

Masat e ndërmarra nga Italia

Rishikimi i ligjit nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar tenton të forcojë masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center-it, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit.
Masa e parë konkretizohet në rishikimin e plotë të nenit 24, që është pjesë e Ligjit 83/2012. Sipas disiplinës së re, nëse një operator ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin tek organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e punonjësve.
Kjo normë ekzistonte edhe në ligjin e vitit 2012, por amendimet zgjerojnë listën ndaj të destinuarve të komunikimit, ku përveç Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit, në dijeni duhet të vihet edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me numrat telefonikë që do të vihen në dispozicion të publikut.
Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me ashpërsimin e sanksioneve për mosnjoftime apo vonesa që llogariten deri në 150,000 euro.