James Rodriguez drejt Manchester United

James Rodriguez vendosi që të mos largohet nga Reali i Madridit në merkaton e janarit, kjo edhe për faktin se Los Blancos nuk dëshironin të privoheshin nga shërbimet e mesfushorit kolumbian në këtë periudhë. Gjithsesi në verë është pothuajse i sigurtë largimi i 25-vjeçarit nga “Santiago Bernabeu”. Edhe pse do të provojë të fitojë sërish vendin e titullarit te skuadra merengues, gjasat janë që në verën e ardhshme, James Rodriguez t’i japë lamtumirën Realit të Madridit. Për ish-lojtarin e Portos dhe Monacos interesohen shumë klube të mëdha, duke filluar që nga Manchester United për të vazhduar me Chelsea-n, Interin e Bayern Munich.
Gjithsesi duke iu referuar lajmeve që vijnë nga Anglia destinacioni i ardhshëm i yllit të Los Cafeteros do të jetë Premier League angleze. Nëse përpara disa javësh ishte Chelsea skuadra që kishte më shumë shanse për të firmosur me lojtarin tashmë në pole-position janë “Djajtë e Kuq”. James Rodriguez pëlqehet së tepërmi nga trajneri i Manchester United, Jose Mourinho. Ed Woodward, zëvendëspresidenti i “Djajve të Kuq” ka kontaktuar nga afër menaxherin e lojtarit Jorge Mendes, i cili i ka ndezur dritën jeshile për një kalim të mundshëm të klientit të tij në “Old Trafford”. Për të lënë të lirë James Rodriguez, Reali i Madridit kërkon rreth 70 milionë euro, por ky operacion merkatoje mund të mbyllet me sukses edhe për një shifër disi më të ulët.