Interi e nis mbarë 2017-tën

Fitore me përmbysje për Interin nën shenjën e Ivan Perisiç. Zikaltërit e nisën me këmbën e mbarë vitin 2017-të, pasi triumfuan 1-2 në Friuli ndaj Udineses falë një dygolëshi të sulmuesit kroat. Kjo ishte fitorja e 4-t radhazi për Interin në Serinë A dhe e 5-ta në 7 ndeshje për Stefano Piolin në drejtimin e klubit milanez. Interi fillon në këtë mënyrë të ngjisë shkallët në tabelën e klasifikimit për meritë edhe të 51-vjeçarit nga Parma, me Piolin që i ka dhënë një tjetër shtysë skuadrës. Për Interin megjithatë, rezultoi shumë më e vështirë sesa parashikohej sfida ndaj Udineses pasi skuadra e Luigi del Nerit u hapi jo pak probleme zikaltërve.
25 minutat e para të sfidës ishin vërtet katastrofike për miqtë që jo vetëm u ndëshkuan nga Udinese, por rrezikuan të pësonin plot 3 gola. Në të 6-tën një superpritje e Handanoviç ndaj goditjes së Fofana shpëtoi Interin. Por portieri slloven nuk mund të bënte asgjë në të 17-tën kur çeku Jantko i shërbyer nga Fofana i vetëm përballë Handanoviç nuk gaboi. 1-0 për Udinesen në momentin më të mirë të skuadrës friulane. Formacioni vendas nuk u step aspak përballë emrit të madh të kundërshtarit dhe kërkoi me ngulm edhe golin e dytë. Në të 21-tën fati nuk ishte me Udinesen pasi tentativa e De Paul me Handanoviç të mundur u ndal nga shtylla. Në të 23-tën Jantko më i miri në fushë për bardhezinjtë humbi një tjetër rast të mirë.
Me kalimin e minutave pak nga pak drejt portës së Karnezis filloi të shfaqej edhe Interi. Sinjalin e parë e dha Perisiç, por goli i tij në të 29-tën u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi sulmuesi kroat shfrytëzoi një pasim të Icardit në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke rikthyer qetësinë te Interi. Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për skuadrën e Piolit, por në të 49-tën Banega shpërdoroi një rast flagrant.
Pak minuta më vonë vendin e argjentinasit e mori Joao Mario, i cili në të 83-tën nuk përfitoi nga gabimi i Karnezis duke humbur një tjetër mundësi të shkëlqyer. Por goli ishte në ajër dhe për t’i dhënë tre pikët e radhës Interit mendoi sërish Ivan Perisiç në të 87-tën goditi saktë me kokë pas një krosimi të Joao Marios duke mos i dhënë asnjë shans portierit grek të skuadrës vendase. Në minutat e mbetura Interi u tërhoq pas duke mbrojtur avantazhin. Ky sukses i ngjiti zikaltërit në kuotën e 33 pikëve në kampionat.