Guardia nxjerr bllof Tahirin për kapjen e 510 kg drogë në Leçe

Guardia di Finanza ka kapur përsëri gjysëm ton drogë nga Shqipëria në Leçe, vetëm pak orë pas kapjes së gati 1 ton natën e 1 janarit. Mediat italiane bënë të ditur se, gjatë operacionit të Guardia di Finanza ra në pranga drejtuesi shqiptar i skafit. Sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike kishte një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Policia italiane bëri të ditur se, në prangat e policisë ra 29-vjeçari shqiptar me inicialet A.M, drejtues i skafit 5.5 metra të gjatë, në të cilin u gjetën 510 kg lëndë narkotike.
Policia shqiptare bëri të ditur dje nëpërmjet një deklarate për shtyp se, “finalizohet një operacion tjetër i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe policisë italiane, GDF sekuestrohen rreth 510 kg marijuanë”. Por kjo deklaratë është rrëzuar nga Guardia Di Finanza. Guardia di Finanza deklaron për “ANSA”, agjensia zyrtare e lajmeve në Itali, si dhe për “Leccenews24” se, operacioni në fjalë, ka nisur pas “interceptinit të skafit të drogës nga helikopteri patrullë” për t’u përmbyllur me sukses në bregdet. Asnjë fjalë për “operacion të përbashkët” me policinë shqiptare, siç pretendon sërish policia shqiptare me deklaratë zyrtare!
Droga u sekuestrua në brigjet e Leçes në zonën e San Kataldos. Mediat italiane bëjnë të ditur se forcat e Guardia di Finanza-s ishin vënë në ndjekje të skafit pas sinjalizimeve nga helikopteri patrullë. Disa milje larg bregut, skafisti shqiptar kishte arritur të çante rrethimin e forcave detare italiane, të cilat menjëherë më pas sinjalizuan qendrën. Në ndihmë të tyre erdhi një helikopter i Guardia di Finanza-s që e ndoqi deri në brigjet e Leçes.
Pavarësisht detit të trazuar për shkak të motit të keq, shqiptari shkarkoi drogën dhe më pas tentoi të arratisej. Por policia italiane e zbuloi pak metra larg vendit të zbarkimit për shkak të veshjeve të tij të lagura dhe e vuri në pranga rreth orës 21:00 të së mërkurës. Prokuroria e Leçes ka nisur hetimet për gjetjen e pritësve të drogës në Itali dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të shqiptarit.
Tre ditë më parë, policia italiane sekuestroi 760 kg kanabis në Itali. Mediat italiane bënë të ditur se një gomone me 760 kg kanabis e nisur nga bregdeti shqiptar është sekuestruar të hënën në Leçe. “La Repubblica” shkruan se mjeti lundrues është gjetur në brigjet e Leçes dhe afër tij u zbuluan 760 kilogramë marijuanë. Bima narkotike nëse do të përfundonte në treg përllogaritet që të kapë vlerën e 7 milionë eurove. Ndërsa drejtuesit e gomones janë arratisur, pasi kanë shpuar me thikë mjetin lundrues pas arritjes në breg.

Trafiku i drogës Shqipëri-Greqi-Gjermani

Dy ditë më parë policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe me autoritetet gjermane shkatërruan një organizatë droge që trafikonte kanabis nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në Gjermani. Në portin e Igumenicës u sekuestrua 266 kg kanabis të fshehura në brendësi të dy kamionëve që do të imbarkoheshin në traget me destinacion Gjermaninë. Katër grekë u arrestuan gjatë operacionit të zhvilluar njëkohësisht në dy shtete, 3 në Greqi dhe një në Gjermani.
Operacioni filloi, pasi autoritetet greke të portit të Igumenicës zbuluan një sasi të madhe droge në një furgon frigorifer që do të udhëtonte me tragetin e linjës për në Itali. Rreth 213 kg kanabis, të fshehura mes një ngarkese me mobilje dhe djathë, u zbuluan gjatë kalimit të furgonit nga skaneri. Dy drejtuesit grekë të furgonit u arrestuan. Përveç tyre, në Greqi janë arrestuar edhe 4 shtetas shqiptarë, ndërsa një pjesëtar i rrjetit është arrestuar në Gjermani.
Rrjeti dyshohet se sillte drogë nga Shqipëria në Greqi, dhe prej andej trafikohej për në shtete të tjera europiane. Sasi e kanabisit e kapur në Igumenicë mendohet se përfaqëson një pjesë fare të vogël të drogës që ka trafikuar grupi në fjalë, për të cilin ende nuk janë dhënë detaje. Pritet që autoritetet greke të bëjnë njoftimet zyrtare, kur operacioni të finalizohet.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se droga trafikohej nga Shqipëria në Greqi. Në shtetin fqinj aty paketohej dhe më pas trafikohej për në Gjermani dhe shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Deri tani, policia greke nuk raporton për shqiptarë të arrestuar. Sasi e drogës së kapur vlerësohet rreth 265 mijë euro, ndërsa në kamion u sekuestruan edhe 2800 euro dhe 4 celularë.

Reagon Berisha: Mashtrim i paskrupullt i Saje qorrit!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj mashtrimit të policisë shqiptare, e cila deklaroi se, kishte bashkëpunuar me policinë italianë për bllokimin e skafit me 510 kg drogë në Leçe, të nisur nga Shqipëria. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, mashtrimi i paskrupullt i Saje qorrit është përgënjeshtruar nga autoritetet italiane. “Një mashtrim i neveritshëm dhe i paskrupull i Saje qorrit që përgënjeshtrohet nga autoritetet italiane, Guardia di Finanza!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe faksimilet e mediave italiane për zhvillimin e operacionit nga Guardia Di Finanza.
“Të dashur miq, në lumin e drogës që vërshon çdo ditë drejt Italisë nga Shqipëria, sot autoritetet italiane të Lecces kapën 510 kg. Lidhur me këtë, Saje qorri mashtron shqiptarët me një komunikatë, në të cilën thuhet se: “Finalizohet një operacion tjetër i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe policisë italiane, GDF sekuestrohen rreth 510 kg marijuanë”.
Ndërkohë lajmet zyrtare italiane nuk i referohen në asnjë fjalë policisë shqiptare, përkundrazi thonë se skafi me drogë u diktua në det nga helikopteri i patrullës së policisë italiane. Ky është mashtrimi i radhës i Saje qorrit që nuk skuqet as nuk zverdhet nga turpet e tij”, përfundon Berisha.

Prokuroria zbardh funksionin e Balilit në trafikun e drogës

Zbardhen detaje të reja të dosjes së Klemend Balilit, të njohur si Eskobari i Ballkanit. “ABC News” ka siguruar materialet ku identifikohen emrat e personave të përfshirë në rrjetin e narkotrafikut si dhe detajet e momentit të arrestimit të pothuajse gjithë grupit kriminal. Në dosje figuron edhe emri i Klemend Balilit si drejtuesi kryesor i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Klemend Balili u identifikua si drejtuesi i grupit kriminal që transportonte drogë drejt Europës nga një telefonatë. Prokuroria greke me ndihmën e DEA-s kishin vënë në përgjim disa biznesmenë grekë që merreshin me trafik droge. Deri në atë kohë, Klemend Balili njihej vetëm si “Kelly” dhe kishte në përdorim dy numra telefoni.
Por në fillim të muajit mars, biznesmeni i arrestuar në Greqi, Georgios Alifandis, i kërkon personit me të cilin komunikonte vazhdimisht për ngarkesat e drogës, t’i dërgonte me mesazh numrin e pasaportës së tij.
Pas kësaj kërkese, Kelly i dërgon me mesazh nr. e pasaportës së tij. Më pas, hetuesit grekë kanë futur në sistem numrin e pasaportës dhe kanë parë se  dokumenti i përkiste Klemend Balilit. Me identifikimin e numrave të telefonit, Prokuroria greke ka siguruar qindra biseda telefonike mes Balilit e skafistëve që angazhonte ai për transportin e drogës dhe biznesmenët grekë, të cilët ishin pritësit e mallit.
Ndonëse është shpallur në kërkim ndërkombëtar, Balili nuk arrestohet nga policia shqiptare. Në dosjen greke thuhet se, ka dyshime se, Balili ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve grekë, ai fshihet në zonën e Sarandës, duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se, të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.
Transporti i trafikantit të drogës ishte bërë me autobusin e linjës, duke mos tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve kufitare. Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani.

Raporti i Antimafias/Droga, armët dhe tritoli nga Shqipëria pushtojnë Italinë

“Vite më parë ishin vetëm cigaret, ndërsa sot është kanabisi, emigrantët, armët dhe tritoli. Të gjitha këto kalojnë nëpërmjet rajonit të Pulias në 80 kilometra vijë bregdetare, e cila është zgjedhur nga krimi shqiptar për trafiqet e paligjshme”. Kështu shkruante dje gazeta e madhe italiane “La Repubblica”, e cila thotë se shqiptarët zotërojnë rrugën ballkanike të trafikut të drogës, armëve dhe emigrantëve drejt vendit fqinj.
Gazeta e ka bazuar shkrimin e saj mbi raportin e fundit të Antimafias, i cili është dorëzuar në Parlamentin italian. Sipas raportit në kanalin e “Otranto”-s nuk lëviz asgjë pa pëlqimin e grupeve kriminale shqiptare. Ata janë të fokusuar në trafikun e drogës dhe armëve, i cili është më i thjeshtë për t’u menaxhuar sesa ai i emigrantëve, të cilin jua kanë mafies turke.
Për të transportuar drogën, armët dhe eksplozivin, shqiptarët përdorin gomone dhe avionë të vegjël. Në shkrim thuhet se, thuajse e gjithë marijuana që mbillet në Shqipëri është e destinuar për t’u trafikuar në Itali, e cila dikur mbillej vetëm në Lazarat, ndërsa vitet e fundit në të gjithë vendin-vazhdon raportimin gazeta e njohur italiane.
Sipas “La Repubblica” edhe mëngjesin e datën 1 janar të këtij viti në plazhin e Pulias janë gjetur 41 kilogramë tritol i ndarë në disa pako. Ky lloj trafiku është një risi, pasi asnjëherë më parë nuk ishin sekuestruar ngarkesa të tilla eksplozivi kaq të mëdha. Autoritet italiane ende nuk e kanë përcaktuar se nga ka mbërritur lënda eksplozive dhe përse do të përdorej.
Megjithatë, hetuesit nuk kanë dyshime se bëhet fjalë për eksploziv ushtarak dhe origjina mund të jetë nga Evropa Lindore, posaçërisht Shqipëria. Bregdeti i Pulias është zgjedhur jo rastësisht nga trafikantët shqiptarë. Plazhet me rërë bëjnë që gomonet dhe avionët ta kenë më të lehtë ankorimin dhe mbulimin.
Në këtë rajon ka mjaft shtëpi të pabanuara për të fshehur mallin. Ndërsa pyjet e dendura janë vendet më të mira për të fshehur makinat, të cilat ngarkohen për ta dërguar drogën drejt Veriut të Italisë, vazhdon raportimin gazeta, duke ju referuar raportit më të fundit të antimafies italiane të dorëzuar së fundmi në Parlament.

R.POLISI