Fatura energjie të fryra, vjedhje me tensionin e ulët

Konsumatorët familjarë pritet të përballen me fatura të fryra të energjisë për janarin, si pasojë e motit të ftohtë që ka bërë në këtë fillim viti. Rilindja tashmë e ka bërë trend që për mallrat më jetikë të rrisë çmimet, megjithëse nuk marrin as gjysmën e energjisë që konsumojnë. Në 1 janar të vitit 2015, Edi Rama e rriti me rreth 25% çmimin e energjisë elektrike, duke e çuar atë në 9.5 lekë pa TVSH nga 7.1 lekë që ishte deri në atë kohë për fashën mbrojtëse deri në 300 kilovat. Pra, një familjeje që harxhonte 300 kilovat nga 2100 lekë në muaj i duhej të paguante rreth 3 mijë lekë, pa TVSH. Me gjithë taksën kjo shumë shkon në 3600 lekë, ose rreth 1200 lekë më shumë në muaj për fashën, e cila kishte si synim të mbronte shtresat e varfëra. Rritja u bë dhe për bizneset ku me gjithë TVSH çmimi arriti në 14.8 lekë kilovat orë, duke e dyfishuar shumën që ata duhej të paguanin. Në rast se deri përpara 1 janarit një biznes, bar kafe harxhonte 25 mijë deri në 30 mijë lekë energji, pas kësaj date fatura që i duhej të paguante shkonte deri në 60 mijë lekë të  reja dhe më shumë ose sa rroga e tre punëtorëve. Rritja e çmimit të energjisë, ashtu si vetëvrasja e atyre që s’kishin të paguanin do të justifikohej si përherë me investimet apo shtetbërjen nga koka e karvanit të Rilindjes, megjithëse pavarësisht propagandës, investimet më të mëdha në këtë sektor janë bërë gjatë qeverisjes së PD-së…

Si vidhet me tensionin e ulët

Tensioni i ulët është një tjetër grabitje e përmasave skandaloze që konsumatorët shqiptarë kanë vite që po e paguajnë. Qytete të tëra, lagje dhe fshatra nuk furnizohen me tensionin sipas normave të lejuara 220 volt. Ne jemi koshientë dhe kemi evidentuar në bregdet gjatë stinës së verës dhe në dimër në të gjitha zonat e thella, fshatrat madje, edhe ndërmarrjet që furnizimi bëhet me tension të ulët për të rritur rrotullimet e sahatit dhe pajisjet për të ngrohur, fjala bie, një 1 litër qumësht  kërkon më shumë kohë dhe detyrimisht harxhohet më shumë energji. Nëse tensioni do ishte 220 volt do të duhej 30 minuta të ngrohej 1 litër qumësht dhe do harxhohej 70 lekë. Nëse tensioni është i dobët, qumështi ngrohet për 40 minuta . Por çfarë ndodhë? Në  rastin kur tensioni është i dobët kur plotësohet 30 minutëshi nuk kemi harxhuar 50 lekë, por kemi harxhuar 70 lekë. Dhe kur ta ngrohim qumështin pas 40 minutash do të kemi harxhuar 100 lekë. Kjo vjedhje na bëhet neve si qytetarë, pasi vetë shpërndarësi që quhej CEZ fiton dyfishin me këtë mënyrë. Për të qenë më profesional ne u interesuam pranë një specialisti të energjetikës, i cili na shpjegoi se: “Lidhur me punën e sahatit të energjisë elektrike: shpejtësia e rrotullimit të  sahatit përcaktohet nga intensiteti i rrymës dhe jo nga tensioni. Por problemi është se, siç dihet, fuqia= intensitet x tension (P=I x U). Kështu që kur tensioni është i ulët, brenda një limiti të caktuar, kur punon një pajisje, p.sh. frigorifer, lavatriçe, etj..(se llamba p.sh. ndizet pak) për të punuar, rritet intensiteti i rrymës krahas zvogëlimit të tensionit, që të rruhet fuqia e duhur. Për rrjedhojë, nëpër sahat rrjedh rrymë me intensitet më të lartë dhe sahati rrotullohet më shpejt. Kështu që dritë ka më pak, por parapaguhet më shumë “, thotë Prof. Dr. Alfred Frashëri.
Sipas këtyre llogarive i takon që CEZ ta furnizojë një konsumator me 350 kilovatë në muaj dhe për shkak të tensionit të ulët që i çon i faturon 500 kw sepse vetë aparati rrotullohet me shpejtësi të madhe qoftë edhe për 1 frigorifer që është në punë. Pra, sipas kësaj llogarie, kompania fiton miliona euro në kurriz të qytetarëve dhe shteti bën sehir, Prokuroria fle gjumë dhe krimi ekonomik merret me qindarkat, kur hajdutët kanë ngarkuar bankën në krahë. Sipas disa përllogaritjeve nga kjo metodë, kompania e Shpërndarjes CEZ  përfitonte rreth 50 milionë euro në vit.
Qytetarët në Tiranë po ankohen për tensionin e ulët në banesat e tyre. Kondicionerët nxjerrin ajër jo të mjaftueshëm për ngrohje, celularët kërkojnë një kohë të gjatë për karikim, pasi nuk kanë ushqimin e duhur nga tensioni i ulët. Por sahatet vazhdojnë të ecin dhe ta faturojnë këtë energji sikur vjen normale, pra me 220 kilovolt. Specialistët shpjegojnë se, kjo vjen ngaqë aparatët e instaluar nuk mund ta diferencojnë uljen e energjisë, por e masin atë si të plotë. Pra, megjithëse nuk marrin sasinë e duhur të energjisë dhe shërbimit, por vetëm gjysmën e saj, shqiptarët duhet ta paguajnë atë me çmim të plotë për një kilovat. E thënë më thjeshtë në rast se për një orë është harxhuar fjala vjen 5 kilovat energji për shkak të përgjysmimit të sasisë së rrymës, atëherë çmimi që duhet paguar për këtë energji të përdorur duhet të ishte gjysma e vlerës 95 lekë plus TVSH që shkon diku tek 57 lekë për 10 kilovat orë. Por faturohet dyfish, pra rreth 114 lekë për dhjetë kilovat me TVSH ose 11.4 lekë për kilovat orë të shpenzuar. Për ta bërë më qartë në rast, se një familje në fund të muajit merr një faturë prej 20 mijë lekë energji të harxhuar, atëherë me këtë energji që i vjen duhet të paguajë gjysmën e saj vetëm 10 mijë lekë.

Ngrica deri në fund të janarit

Janari do të jetë i ftohtë tërë muajin dhe Rilindja i ka lënë shqiptarët pa alternativë. Në fund të këtij muaji, pritet një masakër me faturat e energjisë elektrike, ndërkohë që është rritur dhe kostoja e ngrohjes me gaz. Sipas sinoptikanëve temperaturat e ulta do të zgjasin deri në fund të janarit me këtë ritëm, ndërsa shqiptarëve Rilindja do të kujdeset që t’i boshatisë akoma më shumë xhepat. Enturazhi qeverisë duket se ka kaluar në një dimension tjetër dhe mendon çdo ditë e më shumë se si të shtojë luksin e jetesës, zyrave dhe shtimin e llogarive bankare në bankat jashtë vendit. Njeriu që deklaron 12 milionë dollarë pasuri në vitin 2005, sot është ministër Financash… Njeriu që fsheh 200 milionë euro në kompani offshore është kryeministër, e kështu me radhë, deri tek Taulanti i Librazhdit që ka zbuluar pasionin e tij për ndeshjet e Bayern Mynih në stadium. Kjo sa për të kuptuar se sa larg qëndron Rilindja nga hallet dhe mbijetesa e njerëzve që duhet të rropaten përditë për të paguar gjobat e saj.

Rritja e çmimit të gazit, një tjetër barrë për qytetarët

Rilindja, ka një pasion të çuditshëm për të rritur çmimet e mallrave jetikë. Tentativës së shqiptarëve për të kursyer sadopak energji elektrike me anë të përdorimit të gazit, më 1 janar të vitit 2017 qeveria i rriti dhe gazin me 8 lekë për litër, që bashkë me tvsh shkon në 9.6 lekë për litër. Në pikat e licencuara çmimi i gazit dje kish shkuar nga 85-90 lekë për litër, nga 70 që ishte përpara 1 janarit, pra, përpara se të hynte në fuqi rritja. Ndërsa për automjetet nga 43-45 lekë që ishte përpara datës 1 janar, ky çmim ka shkuar në rreth 60 ose dhe 65  lekë, pra është rritur njësoj si për familjarët me 15-20 lekë të tjera. Broçkullave se kjo është bërë vetëm për shitjen e gazit të automjeteve, tregtarëve nga një vesh i ka hyrë e nga një vesh i ka dalë. Kjo për arsye se siç na shpjegojnë, shitja tek pikat e shumicës që kanë monopol depozitat e gazit, bëhet me çmim të njëjtë si për karburantet ashtu dhe për familjarët. Kjo ka sjellë dhe një amulli, pasi gazi duhej të ndahej me çmim të diferencuar… Pra për karburantet të shitej me akcizë dhe për familjarët pa akcizë. Por klientët e qeverisë që kanë dhe monopolin kanë përfituar nga rasti për të njehsuar çmimin, duke bërë që shumën e përfituar nga akciza në pjesën dërrmuese të saj ta fusin në xhep, ndërsa konsumatori të blejë më pak gaz për ngrohje….