Engel: Të ndalet abuzimi i Serbisë me Interpolin

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, tha të premten se është e papranueshme që Serbia po abuzon me Interpolin për të vënë në shënjestër ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai i bëri këto komente dy ditë, pasi që ish-kryeministri Haradinaj u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.
Në një komunikatë të zyrës së tij theksohet se, “kjo nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit apo drejtësinë. Gjykata Ndërkombëtare e ka shfajësuar dy herë zotin Haradinaj. Ky veprim vetëm nxit tensionet dhe shton mundësitë për konflikt në të ardhmen”.
Ligjvënësi Engel u ka bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë franceze që të përshpejtojnë procedurat dhe të lirojnë zotin Haradinaj sa më parë që është e mundur.
“Kapitulli i 35-të i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, thekson se Serbia duhet të veprojë në mirëbesim për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Abuzimi i Serbisë me urdhër arrestimet e kuqe të Interpolit është shkelje thelbësore e këtij përkushtimi dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të çojë përpara procesin e anëtarësimit të Serbisë, derisa ajo nuk i kthehet normalizimit të mirëfilltë të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë me Serbinë, ndërsa shfaqet shpresa se këto marrëdhënie do të përparojnë. Por, keqpërdorimi i Interpolit, thekson zoti Engel, mund ta dëmtojë këtë përparim.
“Më në fund, Kosova ka një histori shumë të mirë të punës në fushën e sundimit të ligjit me Shtetet e Bashkuara, vendet fqinje dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë për të penguar kërcënimet terroriste. Ajo është vlerësuar gjerësisht kohët e fundit për ndihmesën në pengimin e një kërcënimi serioz terrorist ndaj një ekipi sportiv izraelit. Kosova ka shprehur interesimin për t’ju bashkuar Interpolit dhe është koha që ajo të pranohet për hir të sigurisë së saj dhe të rajonit”, thuhet në deklaratën e ligjvënësit Eliot Engel.
Ai kishte reaguar edhe në qershor të vitit 2015, kur zoti Haradinaj qe ndaluar në Slloveni për të njëjtat shkaqe. Atëbotë ligjvënësi Engel e kishte quajtur “gjueti shtrigash” vazhdimin e mbajtjes në fuqi të urdhër arresteve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.